Një grup arkeologësh dhe zhytësish profesionistë nga Instituti i Arkeologjisë, në ekspeditën e quajtur “Prespa 1”, të zhvilluar në muajt prill-maj në Liqenin e Prespës, sjellin fakte se vendbanimet në këtë zonë datojnë të paktën që prej 3.100 vitesh.
Ekspedita tërësisht shqiptare, me zhytës dhe arkeologë nga Instituti i Arkeologjise, ka dalë në këtë përfundim pas gjetjeve nënujore.
“Jemi rreth 1.100-1.000 vite përpara Krishtit, pra janë rreth 3 mijë vjet që ka ekzistuar ky vendbanim. Është me mjaft interes, pasi duke u përqendruar në këto gjetje dhe tek të dhënat shkencore që marrim nga ky vend, kemi mundësi që të bëjmë edhe krahasime me zonat e tjera të gërmuara deri më tani në tokë, apo përtej kufirit në Maqedoni e Greqi”, thotë Dr.Adrian Anastasi, drejtues i Arkeologjisë Nënujore të Institutit të Arkeologjisë.

Tabani i liqenit është në formen e llumit, një mbrotjës shumë i mirë ndaj degradimit të materialit arkeologjik, i cili prek hapësirën e 7 hektarëve.

Gjatë kërkimeve është bërë edhe zonimi në mënyrë që në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, këto site arkeologjike të mbrohen dhe ruhen si trashëgimi kulturore e vendit.



