Prokuroria ende pa ndonjë rezultat për hetimet ndaj Grabovcit

Janë bërë tre muaj prej kur Prokuroria Speciale ka nisur hetimet ndaj Adem Grabovcit të PDK’së lidhur me përgjimet, nën dyshimin se ka kryer veprat penale, duke ushtruar ndikim për punësimin e militantëve partiak. Avokati i Grabovcit, Florent Latifaj ka thënë se s’kanë asnjë njoftim për veprimet e Prokurorisë.

Prej kohës kur është marrë në pyetje, Adem Grabovci nuk ka pasur ndonjë njoftim prej Prokurorisë lidhur me veprimet që janë ndërmarrë. Ende s’ka njoftuar nëse Grabovcit dhe të tjerëve do të ngritët aktakuzë apo do të pushojnë hetimet.

Avokati i Grabovcit, Florent Latifaj, ka thënë për Express se s’kanë asnjë informacion se çka ka bërë Prokuroria. Ka treguar se asnjë njoftim s’e kanë marrë prej organeve të ndjekjes.

“S’kemi asnjë njoftim prej Prokurorisë për këtë rast”, ka thënë Latifaj, për Express, të shtunën.

Hetimi ndaj Adem Grabovcit, është i bazuar në provat e përgjimeve telefonike të bëra në vitin 2011 gjatë një operacioni anti-korrupsion nga ana e misionit të BE-së për drejtësi në Kosovë, EULEX.

Përgjimet i kishte publikuar insajderi derisa aty Grabovci dëgjohej duke shpërndarë pozita për militantët partiak. Në mesin e atyre që dëgjohet në përgjime është edhe ish-deputeti i PDK’së, Bahri Hyseni, i cili është anëtar i Këshillit Prokurorial nga Prokuroria e Ferizajt .