Ambientalisti Sazan Guri ka marrë fjalën në protestën e 90-të para Kryeministrisë, duke e cilësuar lëvizjen qytetare si një shprehje të frymës dhe shpirtit shqiptar.
Guri tha se, pavarësisht titujve apo roleve që mund të kenë individët, pjesëmarrja në protestë përbën një nga format më të larta të përgjegjësisë qytetare. Sipas Gurit, kjo lëvizje nuk ka nevojë për komandantë apo drejtues, pasi forca e saj buron nga qytetarët. Ai tha se shqiptarët po protestojnë për të mbrojtur vendin dhe vlerësoi mënyrën paqësore të zhvillimit të protestës. Në vijim, Guri akuzoi qeverinë për politikat e saj ndaj qytetarëve, duke e cilësuar situatën si një “gjenocid” politik.
“Para se të vija këtu, më tha dikush: ‘Ti je profesor i madh’. Përgjigjja ime është: Pjesa më e lartë e çdo profesori, e çdo studenti, e çdo shqiptari është kjo protestë. Kjo lëvizje nuk ka nevojë për komandantë, gjeneralë, presidentë apo kryetarë. Kjo lëvizje ka një gjeneral më të madh se të gjithë këta komandantë apo secili prej nesh, dhe ai është fryma e protestës, fryma shqiptare dhe shpirti shqiptar.
Shqipëria ka nevojë kur ajo thërret. Çdo media e huaj, italiane, franceze, thotë: ‘Shikoni shqiptarët se sa bukur protestojnë dhe nuk shkatërrojnë’. Të gjithë shqiptarët sot protestojnë për të mbrojtur vatanin. Pra, ti i mallkuar, ke bërë gjenocid me politikën shqiptare ndaj këtij populli. Nuk është gabim të reagosh”, pohoi Guri.
The post Protesta e 90-të para Kryeministrisë/ “Rama ka bërë gjenocid!”, Sazan Guri: Kjo lëvizje s’ka nevojë për komandantë, ka frymën shqiptare! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



