Pse është gënjeshtare dhe e bezdisshme tema për bashkimin e partive opozitare në Maqedoni?

Autor: Kim Mehmeti

“E dini pse në mas të madhe është gënjeshtare dhe pse është bërë thuajse e bezdisshme tema për bashkëpunimin mes partive opozitare shqiptare në Maqedoni: pse përpos të sinqertëve dhe qëllim mirëve, ajo u lejon të thonë diçka edhe atyre që vlerë të vetme kanë vetëm emblemën partiake si dhe ‘tallave mendimtarëve’, që janë aq të thellë në të gjykuarit, sa nuk e pyesin veten pse BDI-ja aq shumë investon në mbajtjen gjallë të zhurmës për ‘përçarësit’ e popullit! Përgjigja është e thjeshtë: ngaqë kriminelët dhe hajdutët e BDI-së e dinë se sa më të zhurmshme janë ‘debatet’ për opozitën e ‘përçarë’, aq më pakë dëgjohet zëri i mllefit popullor kundër regjimit kriminel VMRO-BDI, si dhe, aq më mirë mbulohen ‘emisarët’ e BDI-së në radhët e partive opozitare, e të cilët për të hyrë në lista për deputet, apo për ta siguruar edhe një mandat kryetari komune, janë të gatshëm të lidhin aleanca me cilindo që ua garanton këtë! Andaj, mos u besoni gjithaq disave që me lehtësi të padurueshme na vlerësojnë neve përjashtuesve dhe përçarësve të opozitës, por të cilët nuk na shpjegojnë si duhet vepruar me ‘qelbësirat’ politike që e ndotin edhe ‘farën’ e shëndosh opozitare, pra me ata që partitë i kanë kuptuar si ‘lavatriçe’ për pastrimin e kapotave të mëparshme partiake, me ata që bëhen bashkues të partive e të popullit, por vetëm pasi që partia e mëparshme t’ua ketë larguar grazhdin nga kanë ngrënë gjatë viteve! Andaj kjo rini nuk duhet të merret me bashkimin e elitave partiake, që interesin e tyre personal e barazojnë me atë të popullit, por me bashkimin e vrullit rinorë, që do e pastrojë plehun politik të grumbulluar gjatë dekadës së fundit! Më në fund, nëse bashkëveprimi opozitar do të thotë heqje dorë nga të gjitha standardet vlerësuese dhe, nëse opozita do funksionojë sipas bindjes se ‘nuk është hajdut ai që i vjedh të tjerët, për të na dhënë neve, por vetëm ai që e vjedh tonën, për ta ndarë me të vetët’, atëherë pse të humbin kohë me bërjen e ‘aleancave’ që do prodhojnë hajna dhe karrieristë të rinj të sëmurë politik, kur mund të gjithë të shkojmë te BDI-ja, aty ku janë mjeshtrit e vasalizmit, të gënjeshtareve, të hajnisë dhe të krimit!”