Gazetare: Fatlume Dervishi
Ministria e Punëve të Jashtme thirri dje ambasadorin bullgar në një takim lidhur me publikimin e notës diplomatike që përmbante informacionet për një udhëtim privat të anëtarëve të familjes së kryeministrit në Bullgari. Ministri Timço Mucunski tha se deri më sot nuk kanë marrë një shpjegim për lëshimin diplomatik as nga ambasadori dhe as nga Ministria e Punëve të Jashtme Bullgare. Ai nuk tregoi drejtpërdrejt dyshimet se nga kishte rrjedhur dokumenti, por, duke folur në mënyrë hipotetike, drejtoi gishtin nga Ministria e Jashtme Bullgare.
“Kur bëhet fjalë për lëvizjet e anëtarëve të familjeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë, siguria është primare. Dhe në territorin e vendit tonë, familjet e përfaqësuesve të lartë të huaj dhe vetë përfaqësuesit e huaj, ndonjëherë në cilësi private, lëvizin vazhdimisht, por nuk ka ndodhur kurrë që një dokument i tillë të jetë bërë publik, dhe nëse do të kishte ndodhur, hapi i parë që do të ndërmerrja do të ishte të kërkoja falje nga ai vend sepse padyshim nuk kishte një nivel mjaftueshëm të lartë të kapacitetit të sigurisë brenda institucionit. Së dyti, ajo që më shqetëson është se po publikohen të dhëna personale që lidhen me gruan dhe fëmijën e mitur të një kryeministri”, deklaroi Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm.
Mucunski tha se për këtë kanë njoftuar edhe partnerët strategjik. Ai bëri një paralele me incidentin e djegies së dy veturave diplomatike bullgare në Shkup.
“Ne menjëherë e dënuam publikisht, institucionet vepruan sa më shpejt të ishte e mundur dhe unë dhe zëvendësministri komunikuam menjëherë me përfaqësuesit e Bullgarisë fqinje. Dhe më e pakta që prisnim ishte një qasje kaq proaktive nga ana e tyre. Sigurisht, ne presim jo vetëm një shpjegim, por edhe një hetim të plotë se si erdhi deri te kjo situatë sepse, do ta përsëris, dhe sipas së drejtës ndërkombëtare, një gjë e tillë është e papranueshme në marrëdhëniet reciproke midis dy vendeve pavarësisht faktit se ato kanë tensione të ndërsjella politike”, theksoi Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm.
Ditë më parë, në mediat dhe rrjetet sociale në Bullgari u publikua një notë diplomatike me të dhëna për udhëtimin e bashkëshortes dhe djalit të kryeministrit Mickoski, në Bullgari, në janar të këtij viti. Përveç të dhënave të tyre personale dhe kohës së udhëtimit, dokumente përmbante të dhëna edhe për anëtarët e sigurimit, armët dhe pajisjet teknologjike që do të kishin me vete. Kryeministri Hristijan Mickoski, një ditë më parë, i cilësoi marrëdhëniet midis dy vendeve si të radikalizuara, duke përmendur pikërisht publikimin e notës diplomatike./Alsat.mk.
The post Publikimi i notës diplomatike për familjen e kryeministrit gjatë udhëtimit në Bullgari rrit tensionet Shkup-Sofje appeared first on Alsat.



