Punëtorët e Kujtim Shalës shpenzime enorme për udhëtimet jashtë vendit

Zyrtarët e shtetit udhëtimet jashtë vendit i kanë specialitet, por Këshilli Kosovar për Trashëgimi Kulturore ka rritur luksin e shpenzimeve edhe për udhëtime brenda vendit.

Auditori i Përgjithshëm ka gjetur parregullsi të mëdha në shpenzimet e Këshillit Kosovar për Trashëgimi Kulturore , e në veçanti për udhëtimet brenda dhe jashtë vendit, raporton lajmi.net.

Këshilli Kosovar për Trashëgimi Kulturore kishte pasur 1 mijë euro për udhëtime zyrtare brenda vendit, por kjo shumë është tejkaluar për 4 fish, duke shpenzuar 4 mijë e 620 euro, 3 mijë e 620 euro më shumë.

“Buxheti për mallra dhe shërbime ishte realizuar 99,77%, megjithatë kemi vërejtur se ka dallime në mes të planit dhe shpenzimeve në disa kode ekonomike. Për udhëtime zyrtare brenda vendit ishin planifikuar 1,000€ ndërsa ishin shpenzuar 4,620€”, thuhet në raportin e Auditimit.

Ky institucion ka tejkaluar edhe shpenzimet për udhëtime jashtë vendit. 13 mijë euro ishin planifikuar për tu shpenzuar për udhëtime jashtë vendit, por Këshilli Kosovar për Trashëgimi Kulturore e ka rritur luksin e udhëtimeve në 32 mijë e 320 euro, duke tejkaluar vlerën për afër 20 mijë euro.

“Derisa për udhëtime jashtë vendit ishin planifikuar 13,000€, ndërsa ishin shpenzuar 32,230€. Këto shpenzime përbëjnë mbi 42% e totalit të shpenzimeve për mallra dhe shërbime apo mbi 20% të shpenzimeve totale. Përveç kësaj, ka raste kur shpenzimet nuk ishin të arsyetuara. Në një udhëtim katër (4) ditorë jashtë vendit të shtatë (7) zyrtarëve me kosto 6,425€, në bazë të raportit në këtë vizitë është mbajtur vetëm një takim me një zyrtar”, thotë raporti i Auditorit.

Po ashtu auditori ka gjetur edhe parregullsi në pagesat e grupeve punuese që ka bërë ky institucion.

Këshilli Kosovar për Trashëgimi Kulturore ka shkelur ligjet e Kosovës duke bërë kompensimin e anëtarëve këtij institucioni jashtë rregulloreve.

“Bordi i KKTK-së gjatë vitit kishte aprovuar një Rregullore në bazë të së cilës Anëtarët e KKTK-së dhe nëpunësit e Sekretariatit të KKTK-së (pjesë e grupeve punuese) me rastin e punës në teren të kompensohen në lartësi prej 35€ në ditë. Kjo rregullore nuk është në pajtueshmëri me nenin 80 të LMFPP-së dhe me rregulloren Nr. 33/2012 të Qeverisë për shtesa në pagë dhe kompensime tjera për shërbyesit civil. Përveç kësaj, sipas Rregullores së aprovuar nga Bordi i KKTK-së, stafi obligohet që individualisht të raportojë te zyrtari i financave në lidhje me punët e kryera. Ne kemi konstatuar se nuk kishte raporte individuale për punët në teren, por vetëm raporte përmbledhëse, nga të cilat nuk është e qartë se sa ditë është angazhuar secili staf. Vlera e pagesave të testuara të kësaj natyre është 1,295€”, thuhet në të gjeturat e raportit të auditimit./Lajmi.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme