Edhe sot rrugët e qendrës së Prishtinës do të jenë të mbyllura për automjete.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se vendimi mbetet në fuqi, pa vetura në qendër dhe me transport falas me autobusët e kompanisë publike “Trafiku Urban”, transmeton TV Arta.
Për më tepër, Komuna do ta shfrytëzojë këtë ditë për të larë rrugët në të cilat është i ndaluar qarkullimi për vetura. Të mërkurën ndërkohë ka pasur qytetarë të cilët kanë refuzuar të respektojnë vendimin e Komunës dhe Ministrisë së Mjedisit.
Sipas policisë, një person është shoqëruar të mërkurën rreth orës 19:00 në stacionin policor, për shkak të pengimit të personit zyrtar në punë. I dyshuari, 52-vjeçar, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Sipas zëdhënëses së policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, rasti ka ndodhur në rrugën Ahmet Krasniqi, ku qytetari ka kaluar veturat në kolonë dhe ka insistuar të kalojë në rrugën e ndaluar për automjete.
E mëngjesin e sotëm, sipas të dhënave të ambasadës amerikane, cilësia e ajrit është mesatarisht e mirë.