Rama: S’do lejojmë ’97. Basha: Beteja jonë paqësore

Me të rinjtë që votojnë për herë të parë në Gjirokastër, Edi Rama vuri në dukje dy arsye përse ata duhet të zgjedhin Partinë Socialiste.

“Ne jemi këtu me vendosmërinë më të madhe, jo vetëm të mos lejojmë që të përsëritet historia tragjike e 20 viteve më parë, por edhe të mos lejojmë që t’u mbyllet rruga e drejtësisë. O me Europën, o me çadrën”, tha ai.

Por Lulzim Basha, i cili ka vendosur përshkallëzimin e protestës të hënën me bllokimin e akseve kryesore kombëtare, i hodhi poshtë akuzat e Kryeministrit.

“Sot na flet për ‘97, por një gjë ta ketë të qartë; ‘97 për prapanicën e tënde nuk do bëhet më kurrë në Shqipëri, por ne jemi totalisht të vendosur për ta çuar betejën deri në fund me fitore, pa u thyer një gotë, pa u këputur një lule! Paqësor, demokratikë e të vendosur deri në fund”, deklaroi Basha.

Kjo fushatë e pazakontë elektorale për socialistët ka edhe një motiv të pazakontë.

“Nëse duam të rrisim ekonominë dhe nëse duam ta rrisim shumë herë më shumë punësimin, duhet të pushojmë nga puna gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, që janë të lidhur si mishi me thoin me ata që janë ngujuar në çadër për t’i mbrojtur nga drejtësia”, u tha të rinjve në Gjirokastër, kryeministri Rama.

Vettingu është çështje kyçe edhe e Lulzim Bashës, por zbatimin e tij kreu i opozitës e lidh me krijimin së pari të një qeverie teknike.

“Heshtje për ofertën e Vettingut se kanë frikë, këta janë ata që kanë frikë nga gjyqtarët dhe prokurorët e pavarur dhe të pakorruptueshëm”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin se po dështon negociatat përpara mbërritjes në Tiranë të ndërmjetësuesve europianë me qëllim që të ruajë, siç tha ai, pushtetin mbi krimin.

“Prandaj nuk ndahet dot nga karrigia e Kryeministrit, se që të ndahet nga karrigia e Kryeministrit do të thotë që të zbresë në garë i barabartë dhe i barabartë në garë, ai e di fare mirë se çfarë e pret me votë të lirë e të ndershme”, thotë Basha.

Megjithatë, Edi Rama kishte një mesazh të fortë për domethënien e zgjedhjeve të 18 qershorit.

“Jo vetëm nuk janë të gjithë njësoj, por vota e 18 qershorit muk është njësoj si votat e tjera, sepse vota e 18 qershorit ka brenda mundësinë për të marrë hak. Duhet të kuptojmë se këtu nuk është çështja sa vota do të marrë Partia Socialiste, këtu është çështja sa grushta do të marrin gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar”, thotë Kryeministri.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme