Raporti sekret për Ramiz Alinë: Në sektorin e Çermës kemi disa kosovarë, armiq dhe agjentë të UDB-së, që do…!/ Informacioni i Drejtorit të Sigurimit të Shtetit

Publikohet një dokument arkivor i nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi 14, i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili i përket muajt prill të vitit 1970, ku zv / Ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, Rexhep Kolli (i cili ishte dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), me anë të një raport-informacioni i bën me dije Drejtorit të Marrdhënieve me Jashtë në Komitetin Qendror të PPSH, Behar Shtylla, dhe njëkohësisht Sekretarit të Komitetit Qëndror, Ramiz Alisë, lidhur me survejimin e vazhdueshëm që i bëhej emigracionit kosovar në Shqipëri nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, duke i dhënë me detaje të gjitha pakënaqësitë që ata shprehnin ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës.

“Flitet se Republika Popullore e Shqipërisë dhe udhëheqja e saj asnjëherë nuk e ka menduar seriozisht për Kosovën. Veprimtaria e saj në këtë drejtim ka qenë e pakët. Edhe në periudhën më të vështirë që ka kaluar Kosova në vitet 1955-1956-aksioni i armëve dhe masat e tjera Rankoviçiane, shtypi dhe radioja shqiptare janë mjaftuar me artikuj vetëm kundër revizionizmit titist dhe nuk kanë shkruar asnjë të veçantë për Kosovën.
Gjendja dhe trajtimi i emigracionit Kosovar në Shqipëri jo gjithmonë ka qenë i drejtë. Kosovarët s’janë trajtuar si shqiptarë dhe patriotë, por janë mbajtur në kampet e Çermës dhe Semanit. Vetëm atëhere kur në Jugosllavi filloj të ndryshonte gjendja e kosovarit, me heqjen e Rankoviçit, qeveria shqiptare mori disa masa dhe prishi Semanin, ndërsa Çerma vazhdon të ekzistojë dhe është një turp që akoma djem prej Kosove, mbahen atje”. Kështu thuhet në mes të tjerash në një raport-informacion me siglën “Tepër sekret” që i përket muajt prilli të vitit 1970, ku zv / Ministri i Punëve të
Brëndëshme të asaj kohe, Rexhep Kolli, i bën me dije Drejtorit të Marrdhënieve me Jashtë në Komitetin Qëndror të PPSH, Behar Shtylla dhe njëkohësisht Sekretarin e Komitetit Qëndror Ramiz Alisë, lidhur me survejimin e vazhdueshëm që i bëhej emigracionit kosovar në Shqipëri nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, duke i dhënë me detaje të gjitha pakënaqësitë që ata shprehnin ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë, të cilin Memorie.al e publikon të plotë.
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Raport-informacioni i zv / Ministrit të Punëve të Brendëshme, Rexhep Kolli, për Ramiz Alinë dhe Behar Shtyllën

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET

 

 

MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDESHME Ekzemplar Nr. 1

DEGA E VEÇANTE

Nr. 175

Tiranë, më 1.4.1970

Shokut Behar (Shtylla)

LENDA: Mbi disa pikëpamje armiqësore në rradhët e emigracionit Kosovar me banim në RPSH.

KOMITETIT QENDROR TE PPSH

SHOKUT RAMIZ ALIA

TIRANE

Në vëndin tonë që nga viti 1948 e në vazhdim kanë ardhur një masë e konsiderueshme shqiptarësh nga krahinat e Kosovës dhe viseve shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi. Nga ana jonë në bazë të orientimeve, është bërë trajtimi i tyre duke i konsideruar emigrantë politikë.

Pjesa kryesore e këtij emigracioni është stabilizuar përfundimisht në vëndin tonë dhe si e tillë punon dhe aktivizohet në të gjithë sektorët e jetës së vëndit. Qëndrimi politim i tyre është pro vijës së Partisë dhe e gatëshme për të kryer çdo detyrë për mbrojtjen e atdheut.

Mirëpo në rradhët e këtij emigracioni ka edhe elementë armiq e irredentistë që i kundërvihen me qëllim vijës së Partisë në shumë çështje dhe sidomos në atë që ka të bëjmë me problemin e Kosovës.

Nga përpunimi që ju bëjnë organet tona këtyre elementëve, veprimtaria e tyre armiqësore mund të përmblidhet në këto drejtime:

-Flitet se Republika Popullore e Shqipërisë dhe udhëheqja e saj asnjëherë nuk e ka menduar seriozisht për Kosovën. Veprimtaria e saj në këtë drejtim ka qenë e pakët.

Edhe në periudhën më të vështirë që ka kaluar Kosova në vitet 1955-1956-aksioni i armëve dhe masat e tjera Rankoviçiane, shtypi dhe radioja shqiptare janë mjaftuar me artikuj vetëm kundër revizionizmit titist dhe nuk kanë shkruar asnjë të veçantë për kosovën.

-Gjendja dhe trajtimi i emigracionit Kosovar në Shqipëri jo gjithmonë ka qenë i drejtë. Kosovarët s’janë trajtuar si shqiptarë dhe patriotë, por janë mbajtur në kampet e Çermës dhe Semanit.

Vetëm atëhere kur në Jugosllavi filloj të ndryshonte gjendja e kosovarit, me heqjen e Rankoviçit, qeveria shqiptare mori disa masa dhe prishi Semanin, ndërsa Çerma vazhdon të ekzistojë dhe është një turp që akoma djem prej Kosove, mbahen atje.

Në rast se udhëheqja e Partisë e di këtë gjëndje, ne nuk jemi me të. (Dihet se në Seman të Fierit dhe në Çermë të Lushnjes, janë mbajtur personat më negativë, armiq dhe vagabondë, të cilët here mbas here i kemi riatdhesuar në Jugosllavi.

Ndërsa aktualisht Çerma është një sektor ferme, ku banojnë disa familje dhe individë kosovarë. Më tepër janë elementë armiq të dënuar si agjentë të UDB-së, ose të tillë që kërkojnë me insistim të shkojnë në Jugosllavi).

-Aktualisht pak mendohet për Kosovën. Shtypin dhe radioja shqiptare nuk po ndërrmer asnjë veprim, asnjë artikull për gjëndjen e atjeshme. Shumë shqiptarë të Kosovës, ose viseve të tjera në Maqedoni dhe në Mal të Zi, po largohen përgjithmonë nga këto krahina, gjë kjo që si pasojë do të bjerë asimilimin dhe zhdukjen e kombit shqiptar. Vëndin e tyre do ta zënë kolonët serbë, malazezë dhe maqedonas.

-Ne si kosovarë, pavarësisht se ç’bën shteti shqiptar, duhet të organizohemi dhe të punojmë për Kosovën.

-Mendohet deri në organizim grupesh me persona të besuar, të cilët janë në gjendje për të ekzistuar në rast se veprimtaria e tyre keqkuptohet nga organet e Sigurimit të Shtetit, duke menduar se me këto veprime do t’i diktojnë PPSH-së qëndrimin që duhet të mbajë në drejtim të Kosovës.

-Kërkojnë që ministria e Arsimit, Universiteti, Biblioteka Kombëtare, Ministria e Punëve të Jashtëme, përfaqësitë tona diplomatike jashtë shtetit, të akordojnë fonde të veçanta dhe këto të shpenzohen për të futur në Kosovë literaturë marksiste-leniniste, qoftë të klasikëve të marksizmit, apo veprat e shokut Enver. Historia e PPSH-së dhe materiale të tjera të Partisë. E gjithë kjo të behet edhe me ndihmën e kosovarëve që jetojnë në vëndin tonë.

-Këta element armiq dhe irredentistë, përpiqen që pikpamjet e tyre dhe këtë qëndrim t’i fusnin edhe në rradhët e studentëve kosovarë që ndjekin institucionet e larta arsimore. Si pasojë, në rradhët e disa studentëve ka shfaqje që cënojnë unitetin e tyre. Ka grindje dhe akuza që i bëjnë njëri tjetrit për lidhje me organet tona të Sigurimit të Shtetit.

Kjo veprimtari armiqësore ka për qëllim që të dobësojë unitetin e këtij emigracioni, ta hedhi në opozicion me vijën dhe qëndrimin e Partisë, një nga qëllimet kryesore edhe të Zbulimit Jugosllav.

Vërehen raste se ky qëndrim armiqësor ka lëkundur edhe disa kosovarë të tjerë me qëndrim të mirë politik, të cilët nuk kanë arritur ta kupotojnë si duhet qëndrimin e Partisë karshi Jugosllavisë dhe në veçanti Kosovës, se me ta nuk bëhet punë e duhur ideo-politike dhe jo gjithmonë zbatohet udhëzimi i Këshillit të Ministrave për trajtimin ekonomik.

Krahës punës politiko-edukative të diferencuar me këta persona, si dhe masave agjenturalo-operative kundrejt elementit armik, që do të ndërrmarin organet tona, mendojmë se edhe organet e Partisë dhe të pushtetit në rreth, si dhe Komiteti i Partisë së Universitetit, duke u mbështetur edhe në të dhënat e degëve të Punëve të Brendëshme, të rrisin punën politiko-ideologjike në drejtim të tyre, duke angazhuar shokë dhe kuadro, si dhe të zbatojë drejt udhëzimin e Këshillit të Ministrave për trajtimin e tyre, mbasi praktika e deritanishme ka treguar që mjaft nga këta, për probleme të ndryshme strehimi, punë, shkollim etj., drejtohen vetëm në organet e Punëve të Brendëshme.

Ky spostim ka ardhur si rezultat i kujdesit të pakët që tregohet nga organet që janë ngarkuar për zbatimin e këtyre detyrave. Mendimi jonë është se përplasja e tyre për zgjidhjen e të gjitha problemeve në organet tona edhe politikisht nuk është e drejtë.

ZV/MINISTRI I PUNEVE TE BRENDESHME

REXHEP KOLLI

SEKRET

EKZEMPLAR Nr. 1

E përkohshme, 5 vjet

Memorie.al

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme