Revoltohen familjarët e të vdekurit nga shembja e pllakës së betonit

Familjarët e Fitim Kiqinës, të vdekurit nga shembja e një pllake betoni janë revoltuar në gjykatë.

Në gjykimin e Agim Bajramit, pronarit të një kompanie ndërtuese, së cilës iu rrënua një pllakë betoni që shkaktoi vdekjen e Fitim Kiqinës në vitin 2008, familjarët e të ndjerit u revoltuan, pasi u shty seanca.

“Që nëntë vjet jemi tu prit, ja kemi lënë drejtësisë, por nuk ka drejtësi këtu, e tash e mbas e kryejmë vetë ne, u krye, e kanë kap shtetin në dorë, qeshtu”, ishin fjalët me të cilat iu drejtua kryetarit të trupit gjykues njëri nga familjarët e të ndjerit Fitim Kiqina.

Seanca u shty ngase mungoi anëtarja e trupit gjykues Nora Bllaca që është emëruar në Gjykatën e Apelit.

Kryetari i trupit gjykues Vehbi Kashtanjeva tha se nuk ekzistojnë kushtet për mbajtjen e seancës gjyqësore për shkak se trupi gjykues është në përbërje jo të plotë.

“Prapë jemi pa trup gjykues, nuk jemi në përbërje të plotë të trupit gjykues meqenëse gjyqtarja që ka qenë e emëruar për ketë seancë është emëruar në Gjykatën e Apelit, e po ashtu edhe pse ka qenë e planifikuar që të dëgjohet i vetmi dëshmitar- i dëmtuari Kushtrim Gashi, atëherë gjykata merr aktvendim që shqyrtimi i sotëm të shtyhet me 6 shtator”, tha gjyqtari Kashtanjeva.

Në gjykatë nuk u paraqit as dëshmitari dhe i dëmtuari Kushtrim Gashi,edhe pse e kishte pranuar ftesën për të dëshmuar.

Gashi, por edhe gjyqtarja Nora Bllaca munguan edhe në seancën e kaluar.

Në aktakuzë thuhet se Fitim Kiqina vdiq në QKUK pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra në shkurt të vitit 2008, kur në Lagjen “Arbëria” të Prishtinës një pllakë betoni e një objekti që po ndërtohej u shemb.

Kiqina ishte duke punuar nën këtë pllakë.

Sipas aktakuzës, ndërtimin e këtij objekti ishte duke e bërë kompania “Ari-Xoni” me pronar Agim Bajramin, i cili akuzohet për punime ndërtimore të kundërligjshme.

Në aktakuzë thuhet se Bajrami “ka vepruar kundër ligjit apo standardeve të pranuara ose kundër kushteve të lejes për ndërtim dhe me këtë ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe të pasurisë në vlerë të madhe”.

Edhe mbikëqyrësi i punimeve në këtë objekt Njazi Hoxha, akuzohej njësoj si Bajrami, por Hoxha ka vdekur./Kallxo.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme