Mijëra pacientë nga qyteti i Gjakovës që janë diagnostikuar me sëmundjen e diabetit dhe që janë të varur nga insulina, tash e disa muaj po ballafaqohen me mungesë të këtij medikamenti mjekësor. Ministria e Shëndetësisë nuk po e bënë furnizimin e rregullt me këtë ilaç për këtë komunë, ndonëse është e obliguar që të furnizojë institucionet me barna esenciale. E me dhjetëra pacientë për çdo ditë qëndrojnë para dyerve të QKMF’ve të komunës së Gjakovës duke e kërkuar këtë shiringë.
Nga e hëna e deri në të enjten e kësaj jave që po e lemë pas, Feriz Ademi 70 vjeçar, nga Gjakova e ka vizituar Qendrën Kryesore të mjekësisë Familjare në këtë komunë. Ai vuan nga diabeti dhe tash e dhjetë vite e bartë këtë sëmundje në trupin e tij. Por, muajve të fundit ai nuk po furnizohet në mënyrë të rregullt me insulinë. Kjo ngase që nga muaji nëntor i vitit të kaluar në komunë e Gjakovës ka mungesë të insulinës në institucionet publike shëndetësore. Ndërkohë që në muajin shkurt në QKMF’në kryesore në Gjakovë, nuk është dërguar as edhe një shiringë me insulinë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.
70 vjeçari thotë se muajin e kaluar e ka marrë vetëm një frakon (shirit me insulinë), ndërkohë që për të kaluar një muaj të plotë, atij i duhen pesë të tilla.
“Nuk e di pse është ndërprerë furnizimi. Unë e di që neve si pacientë po na shkakton shumë probleme shëndetësore. Që një javë rresht çdo ditë vij në Qendrën e Mjekësisë Familjare për ta marrë insulinën, e kërkoj atë, por nuk ka”, thotë ai.
Hall të njëjte si të 70 vjecarit ka edhe zonja S.Grezda nga kjo komunë. Ajo thotë se edhe në barnatoret private gjatë këtyre ditëve vështirë se po gjendet insulinë.
“Shumë keq, sepse ne na varet jeta nga insulina. E ilaçet që janë në listë esenciale nuk shiten në barnatore, do të thotë, ne as me e ble atë ilaç nuk kemi mundësi, sepse nuk gjendet”, thotë Grazda.
Fat të njëjte si të pacientëve Ademi dhe Grezda kanë dhe 1 mijë e 10 pacientë të tjerë të kësaj komune. Të gjithë këta, për muajin shkurt nuk e kanë marrë as edhe një faron me insulinë në këtë QKMF. Vetëm gjatë orëve të para të mesditës të së enjtes mbi 200 pacientë kishin vizituar këtë komunë duke kërkuar ilaç i cili gjendet në listën esenciale të barnave.
Zyrtarë të kësaj Qendre i kanë thënë të enjten Expressit se për muajin shkurt nuk janë furnizuar me Insulinë nga ane Ministrisë së Shëndetësisë. Teknikja e Farmacisë së QKMF’së, Diana Mullatahiri, tha se kërkesa për këtë medikament është jashtëzakonisht e madhe.
“Gjithë ditën pacientët po vijnë e po pyesin për insulinë. Ne po iu tregojmë që nuk ka. Nuk po varet nga ne furnizimi”, ka thënë ajo. Ajo tregon se lloji më i përdorur i Insulinës është ‘Novomix”. Thotë se shumica prej pacientëve e përdorin këtë ilaç.
Teknikja Mullatahiri, tregon se për muajin janar me këtë lloj të insulinës janë furnizuar vetëm me 900 frakone(shirita) insulinë, shifër kjo e cila rrjedhimisht nuk mjafton as për gjysmën e pacientëve, ngase një pacient me diabet i përdor zakonisht deri në 5 frakone të tilla në muaj.
“… për muajin janar i keni pas 900 frakona me insulinë ‘Novomix”, ndërkohë që për muajin nëntor jemi furnizuar me 2 mijë e 775 frakna me Insulinë për 1 mijë e 10 pacientë sa i kemi të regjistruar këtu në qendrën tonë”, tregon tutje zyrtarja e farmacisë në QKMF’në e Gjakovës.
Sipas saj, mosha mesatare e personave që përdorin Insulinë është 50 deri në 60 vjeç.
Ndërkohë që në listën e pritjes për insululina janë edhe 15 të mitur nga kjo komunë. Insulinë nuk po ka as në barnatoret private në këtë komunë. Lloji ‘Novomix’ vështirë se po gjendet, derisa insulina e tipit ‘Rapid’ në barnatoret private po kushton 14 euro, dhe këtë pacientët, shumica nga ta pensionist po detyrohen që ta blejnë vet.
Gazeta Express, ka tentuar që të marrë një përgjigje nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, institucion ky i cili është përgjegjës për furnizim të rregullt me barna të listës esenciale ku hyn edhe insulina, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës. E derisa MSH ta bëjë furnizimin, kjo kategori e prekur me diabet e që janë të varur nga Insulina do të detyrohen që ta blejnë atë vet në barnatoret private./GazetaExpress/