Rrugëtimi i një shqiptari të suksesshëm; nga refugjat i dikurshëm, drejtor i një prej fondacioneve më të fuqishme në botë – Rockefeller Brothers

Lufta e vitit 99′ në Kosovë e detyroi që të largohet nga vendi si qindra mijëra shqiptarë të cilët lanë vendlindjen e tyre përkohësisht, që një ditë të ktheheshin bashkë me kujtimet që do t’i bartnin përjetësisht.Ishin shqiptarët e Maqedonisë ata që hapen dyert për refugjatin e dikurshëm, Haki Abazin, familja e të cilit ishte në shënjestër nga regjimi i Milloshevicit shkaku i veprimtarisë së të atit të tij, Hasan Abazi. I atij i tij ishte një prej themeluesve të degës së LDK’së në Ferizaj dhe bashkë me shumë bashkëveprimtarë të tjerë përpiqeshin të mbledhnin informata që t’ua prezantonin organizatave botërore për krimet çnjerëzore që ndodhnin asokohe me shqiptarët e Kosovës në dekadën kur ish Republika Jugosllave po e përjetonte shkatërrimin e saj përfundimtar, ndërsa shqiptarët ishin të vendosur që një herë e përgjithmonë t’i realizonin aspiratat e tyre për pavarësi. Por, ky nuk do të ishte ballafaqimi i fundit i Hakiut me një sistem që nuk mund të shkëputej lehtë nga mendësia e së shkuarës, nga ato politika që përgjakën Ballkain dhe shkaktuan vdekjen e qindra mijëra civilëve të pafajshëm. Menjëherë pas përfundimit të luftës, asokohe i riu Haki Abazi u aktivizua në shoqërinë civile. Dëshira e tij ishte që të permbushej ëndrra dhe amaneti i atyre që nuk ishin me fat që ta shihnin Kosovën e lirë. Derisa nisi punën si moniturues i punës së Komunës së Ferizajit, nuk zgjati shumë dhe përjetoi zhgënjimet e para. Pushteti kishte transformuar disa veprimtare të dikurshëm që sapo u veshën me petkun e politikanit, në vend të ndërtimit të shtetit, zgjodhën thellësinë e xhepit! Njerëzit si Hakiu ishin pengesë. Ata duheshin qoftë edhe dhunshëm të tërhiqeshin zvarrë dhe të lironin hapësirat e institucioneve ku edhe filloi instalimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit…

Udhëtimi drejt SHBA’ve dhe përvoja e tij që fitoi në shtete të dala nga konflikti ku ishte i angazhuar si bartës i projekteve të rëndësishme për tejkalimin e fazave tranzitive, nuk kaluan pa u vënë re. Me punë dhe përkushtim dhe me një vullnet të hekurt që do ta konfirmonin më vonë edhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, ai u bë shqiptari i parë dhe i vetëm deri më tani që arriti të bëhej drejtor për Ballkanin Perëndimor i një prej fondacioneve më të rëndësishme botërore – “Rockefeller Brothers”. Këtu zë fill edhe paraqitja e tij publike në Kosovë, në shtetin që kishte degraduar skajshmërisht në rrugëtimin e tij drejt shtet bërjes. Ëndrrat e të riut të dikurshëm si aktivist i shoqërisë civile, tani ishin zëvendësuar me dhembjen që ndjente për zbrazjen e Kosovës nga shtresa më vitale e kombit, – rinia shqiptare. Degezimi i kësaj rinie në katër anët e botës njëjtë si në periudha të ndryshme kohore, “largimi i trurit” shkaku i shpresave të përmbysura nga një sistem i vënë së prapthi ku “aftësitë” individuale ishin zëvendësuar ne interesat klanore dhe partiake, ishin sfida e radhës për drejtorin e një prej fondacioneve më të rëndësishme. Hakiu filloi një mision të ri, vështirë të realizueshëm, por jo të pamundur. Duke përkrahur dhe mbështetur projekte inovative, kreative, ai luajti një rol të rëndësishëm në mobilizimin dhe forcimin e shoqërisë civile. Krijoi mundësi të reja për grupe njerëzish të guximshëm që ishin të vendosur t’i lufonin hallkat e korruptuara të sistemit. Emri i tij nuk ishte më i padëshiruar vetëm për mediat serbe që mbushnin ballinat me tituj se një shqiptar financon dhe ndihmon në fuqizimin e OJQ- ve në zemër të Serbisë, me orientime anti ruse dhe pro NATO’s. Emri i Haki Abazit filloi të bëhej thuajse njëjtë i padëshirueshëm edhe për qarqe të caktuara të pushtetit në Kosovë që ishin mësuar të përfitojnë nga brishtesia e demokracisë në një shtet ku parakusht ishte dhe mbeti stabiliteti, stabilitet që ishte në funkcion të fuqizimit të partive në pushtet, port ë dobësimit të shtetit që u mbërthy nga të “fuqishmit”. Në të tilla rrethana, prespektiva e një shteti të ri vihet në pikëpyetje, sidomos kur jo vetëm Kosova por edhe i tërë Ballkani ngjan në një tampon zonë ku përplasen dhe interesa dhe agjenda të shteteve të fuqishme…

Haki Abazi, drejtor i Fondacionit “Rockefeller Brothers”, vjen me një rrëfim special në intervistën “Saktë” me autor Xhevdet Pozhari ku ai për herë të parë përgjigjet për të pathënat lidhur me angazhimin dhe veprimtarinë e tij, si dhe sjellë këndvështrimet lidhur me zhvillimet në trojet shqiptare si dhe situatën në rajon, në përgjithësi. /Sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme