Marrëveshja me PDK-në për bashkëqeverisje ka bërë që Komuna e Istogut të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Ujdinë mes LDK-së, si fituese e zgjedhjeve, dhe PDK-së, e ka konfirmuar vetë kryetari Haki Rugova.
“Ne kemi bërë marrëveshje me PDK-në dhe ata do t’i kenë tri drejtorate në qeverisjen e ardhshme”, ka thënë Rugova për Insajderin.
Megjithatë, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova (LDK) ka thënë për Gazetën Insajderi se kryesuesi do të mund të kalonte edhe pa marrëveshjen me PDK-në.
“Nuk e di, ajo krejtësisht do të varej prej votave. Aty ishin 26 asamblistë prezent, prej 27 sa janë gjithsej. U votua n raundin e tretë. Ka pasur mundësi që të kalohet kryesuese edhe pa këtë marrëveshje. Mirëpo, sido që të jetë, unë e kam shprehur qëndrimin që, pavarësisht kësaj, që të ketë një koalicion të tillë”, ka thënë për Insajderi kreu i komunës, Haki Rugova.
“Me rastin e marrëveshjeve kemi të bëjmë edhe zgjedhjen e kryesuesit, sepse kryesuesi duhet t’i ketë votat se ndryshe nuk mund të zgjidhet. Nuk ishte ideja të shkohet në zgjedhje tjera si asamble komunale. Dhe, mirë që u pajtuan edhe ata”, ka shtuar ai.
Por ai nuk ka bërë të ditur se cilat drejtori do t’i takojnë PDK-së, duke thënë se në këtë drejtim do të jenë shumë fleksibil në marrëveshje.
I pyetur nëse ka pasur kritika nga LDK në qendër rreth koalicionit me PDK-në, Rugova ka thënë se vetë është nënkryetar partie dhe askush nuk mund t’i përzihet në punët e Istogut.
“Unë jam nënkryetar partie, dhe nuk mundet kurrkush me mu përzi në Istog”, ka shtuar ai.
Sipas Rugovës, krejt kjo është bërë në interesin e qytetarëve dhe në funksionimin e pushtetit lokal.
“Nëse kjo marrëveshje nuk funksionon, atëherë prishet”, ka përfunduar ai./Insajderi.com