Rusia thotë se deklaratat e Ramës dhe Thaçit thërrasin për konflikt

Rusia ka shprehur shqetësim mbi deklaratat e fundit të politikanëve shqiptarë, kryeministrit Rama e presidentit kosovar Hashim Thaçi, në lidhje me atë që sipas Moskës, e konsiderojnë si qëllim për rishikimin e kufijve të Ballkanit dhe përpjekje për të destabilizuar juglindjen e Europës.

Përmes një deklarate zyrtare të publikuar nga Ministria e Jashtme e Rusisë, Moska vlerëson se nën maskën e akuzave të pabazuara të përpjekjeve për destabilizim të Ballkanit, po bëhen përpjekje për të implementuar projektin e Shqipërisë së Madhe, projekt që bazohet në Kushtetutën shqiptare, e cila i jep të drejtën Tiranës të mbrojë interesat e shqiptarëve jashtë vendit, kudo që ata ndodhen.

“Nën maskën e bisedimeve hipokrite mbi nevojën e stabilizimit të rajonit nën mbikëqyrjen e NATO-s, themelet e vërteta të stabilitetit po tronditen. Një kurs i ri politik është adoptuar për të rishikuar kufijtë në Ballkan, gjë që shton në mënyrë të paevitueshme potencialin për konflikt”, thuhet në deklaratë.

Ky, siç nënvizon Moska zyrtare, është konteksti i deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama, si dhe kreut të të vetëquajturës Kosovë e pavarur, Hashim Thaçi, mbi gatishmërinë e tyre për të bashkuar forcat nën një shtet të vetëm shqiptar, raporton Top Channel.

“Këtyre deklaratave u ka bërë jehonë edhe kreu i Bashkisë së Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, një rajon i populluar kryesisht nga shqiptarë, të cilët shpallën dëshirën për të qenë pjesë e shtetit të përbashkët Shqipëri-Kosovë”, vijon më tej deklarata.

Ministria e Jashtme ruse shkon më tej, teksa thotë se pjesë e këtij konteksti është edhe e bujshmja “platformë e Tiranës”, e miratuar nga partitë shqiptare në Maqedoni, që po minon themelet e shtetit maqedonas.

“E pavarësisht këtyre deklaratave, padronët kryesorë të Tiranës dhe Prishtinës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, ose kanë qëndruar të heshtur, ose kanë dhënë vetëm disa deklarata si zakonisht të pakuptimta”, thuhet në komunikatë.

“Ne nuk mund të ndihmojmë, por pajtohemi tërësisht me shqetësimet e shprehura qartazi nga kryeministri serb, njëkohësisht presidenti i zgjedhur Aleksandar Vuçiq, si dhe ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, të cilët kanë dënuar me vendosmëri retorikën e politikanëve shqiptarë dhe kanë kërkuar përgjigjen e duhur ndaj këtyre zhvillimeve nga ana e Brukselit, Washingtonit, si dhe vendeve të tjera kryesore europiane”, thuhet nga Ministria e Jashtme ruse.

Kremlini zyrtar ka theksuar gjithashtu edhe ironinë e hidhur, siç është shprehur edhe nga pala serbe, se nëse Vuçiq do t’i lejonte vetes të sugjeronte publikisht bashkimin e Republikës Serbe në Bosnje-Hercegovinë me Serbinë, ai do të ishte bombarduar nga zyrtarët në Bruksel.

E për këtë arsye, diplomacia ruse ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojnë në mënyrë të menjëhershme përballë politikanëve të Tiranës dhe Prishtinës, por edhe kujtdo në vendet e Ballkanit, që lëshojnë pretendime apo spekulime mbi rishikimin e kufijve të Ballkanit, gjë që është e papranueshme.

“Ne kërkojmë nga partnerët perëndimorë që të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe mirëkuptimin, duke mos aplikuar standarde të dyfishta”, përfundon deklarata.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme