Sistemi “Qyteti i Sigurt” po vendoset edhe në rajonin e Ohrit, ndërsa kamerat e sigurisë janë aktivizuar në autostradën Ohër–Kërçovë, njofton Sektori për Punë të Brendshme Ohër.
Nga SPB, Ohër njoftojnë se sot, pas përfundimit të testimeve finale, janë vënë në funksion kamerat e sigurisë në segmentin autostradal pranë Novo Sellës, në Komunën e Debërcës.
Sipas njoftimit, gjatë periudhës së ardhshme projekti pritet të zgjerohet edhe në aksin rrugor ndërmjet fshatrave Gorencë dhe Trebenishtë, si dhe në rrugët e tjera më të frekuentuara dhe në korridoret 8 dhe 10 në rajonin e Ohrit. Nga policia theksojnë se pajisjet tashmë janë vendosur, por për momentin nuk shqiptojnë gjoba, pasi ndodhen në fazën përfundimtare të kontrollit teknik dhe testimit.
Sistemi “Qyteti i Sigurt” pritet të mundësojë mbikëqyrje më efikase dhe të vazhdueshme të trafikut, të ndihmojë në uljen e numrit të aksidenteve, të zbulojë shkeljet e rregullave të komunikacionit dhe të rrisë disiplinën e shoferëve në rrugë.
Autoritetet i bëjnë thirrje shoferëve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe veçanërisht, të kenë kujdes ndaj shpejtësisë së lejuar, e cila në këtë segment të autostradës është 100 kilometra në orë./Alsat.mk.
The post “Safe City” zgjerohet në rajonin e Ohrit appeared first on Alsat.



