Serbët e Kosovës ndihen si “pengje politike”

Serbët në Kosovë thonë se debati i fundit për “trenin propagandistik” midis Beogradit dhe Prishtinës i la ata të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe plot frikë se po përdoren si pengje politike.

“Ndihemi të braktisur – as Serbisë dhe as Kosovës nuk i bëhet vonë për, pa përmendur pastaj ndërkombëtarët. E thënë thjesht, jemi të zhgënjyer, të zemëruar dhe të frikësuar,” ka thënë për BIRN Zhivorad Laziq, një profesor 57-vjeçar në Shkollën e Ekonomisë në Llapllasellë afër Graçanicës në Kosovën qendrore.

Laziq nuk është i vetmi që është i shqetësuar. Pas rritjes së tensioneve midis Beogradit dhe Prishtinës ditët e fundit, serbët në Kosovë thonë se ata kanë druhen për sigurinë dhe të ardhmen e tyre.

Ata besojnë se po lihet jashtë vendimmarrjes për çështje të rëndësishme që ndikojnë në jetët e tyre dhe se po përdoren si pengje në lojëra e pafundme të pushtetit midis Beogradit dhe Prishtinës.

Mosmarrëveshja e fundit shpërtheu kur një tren pasagjerësh i lyer me ngjyrat e flamurit serb dhe dekoruar me parullën “Kosova është serbe” në 21 gjuhë të ndryshme të botës, përfshirë gjuhën shqipe, u nis nga Beogradi në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, e cila drejtohet nga serbët, të shtunën e kaluar.

Zyrtarët e Kosovës thanë se ky ishte një provokim dhe i bënë thirrje BE-së ta bindë Beogradin të mos e vazhdojë më.

Disa orë më vonë, autoritetet serbe e ndalën trenin në Raska, në Serbinë veriore, pak para se të mbërrinte në kufirin me Kosovë, dhe pastaj kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, akuzoi qeverinë e Prishtinës se kishte planifikuar të hidhte në erë linjën hekurudhore dhe se kishte dërguar forcat speciale për të sulmuar trenin.

Prishtina e mohoi se kishte pasur qëllim të sulmonte trenin, por serbët në Kosovë ishin të shqetësuar nga kjo gjë dhe pasojat e saj.

Gordana Gjoriq, një sipërmarrëse 58-vjeçare nga fshati Laplje pranë Graçanicës që drejton një shoqatë biznesi për gra që quhet Avenija, tha se ajo ishte tronditur nga vendimi i Beogradit për ta dekoruar trenin në atë mënyrë.

“Nuk mund ta besoja që dikush kishte pasur një ide të tillë. Nëse donin të hapnin një linjë të re nga Mitrovica në Beograd, duhet të kishin blerë një tren të ri, me vagonë të ngrohtë dhe internet në to, në mënyrë që të rinjtë dhe studentët të mund të përfitonin nga kjo,” tha Gjoriq për BIRN.

“Por të gjitha ato mesazhet që “Kosova është Serbi” dhe kërkesa që ky tren të hynte në Kosovë pa asnjë problem… S’e di se çfarë lloj personi mund ta ketë pasur një ide të tillë,” tha ajo.

Ndërsa shumë persona e pranuan se treni që lidh Beogradit dhe Mitrovicën ishte i nevojshëm, ata u shprehën se autoritetet serbe kishin gabuar duke e përdorur atë për qëllime propagandistike.

“Ai tren, ashtu siç është, nuk i nevojitet askujt në Kosovë,” tha Sanja Sovrliq, një gazetare e TV MIR në Leposaviq.

Një ditë pas udhëtimit të ndërprerë të trenit, presidenti serb Tomislav Nikoliq alarmoi shumë njerëz si në Serbi ashtu edhe në Kosovë kur lajmëroi pas një seancë të Këshillit Kombëtarë të Sigurisë se Beogradi ishte gati të dërgonte trupat në Kosovë “nëse vritej ndonjë serb”.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa u përgjigj duke thënë se serbët e Kosovës nuk kishin nevojë për mbrojtjen e Beogradit.

“Serbët e Kosovës janë qytetarë të barabartë të republikës tonë. Ata s’kanë nevojë për mbrojtjen e Beogradit, sepse s’janë aspak në rrezik dhe as do të jenë,” tha Mustafa.

Laziq tha se në çdo vend tjetër të botës, trenat dhe autobusët përdoren për të lidhur njerëz, por rasti i serbëve në Kosovë është e kundërta e kësaj.

“Këtu asgjë nuk është normale. Gjithçka është një teatër politik, i krijuar nga të dyja qeveritë, ajo e Serbisë dhe ajo e Kosovës, dhe çdo gjë për të fituar pikë politike në të dyja anët. Kurse ne serbët që jetojmë në Kosovë jemi viktima të kësaj. Ne jetojmë në një burg të hapur,” tha ai.

Frikë dhe pasiguri

“Atë mbrëmje, po planifikoja të shkoja në Beograd për të takuar mbesën time. Plani ishte ta merrja këtu për disa ditë, por pasi dëgjova lajmet, hoqa dorë nga planet,” tha Gjoriq, duke rikujtuar ditën e udhëtimit të trenit polemik.

“Kisha frikë se mund të ndodhte më e keqja dhe s’doja ta braktisja shtëpinë time. Shqetësohesha për atë që mund t’i ndodhte familjes time, fqinjëve dhe gjithçkaje tjetër. Nëse do të ndodhtë ndonjë gjë, do të ndihesha shumë keq që s’do të kisha qenë në shtëpi,” shtoi ajo.

Gjoriq tha se nuk shikonte asnjë arsye për nxitje tensionesh me Prishtinën.

“Ky lloj tensioni shkakton vetëm frikë dhe një ndjesi pasigurie. Nuk dimë çfarë të presim. E dimë që s’do të jemi të mbrojtur. Këtë e kemi të qartë,” shtoi ajo.

Laziq tha se serbët e Kosovës janë në një gjendje të vazhdueshme ankthi për të ardhmen.

“Nuk e dimë se çfarë do të na sjellë e ardhmja,” tha ai. “E dimë që askush s’do të ngrihet të na mbrojë dhe se nuk ka asnjë përfaqësues politik të cilit i besojmë.”

Megjithatë, ndjesi të tilla pasigurie s’janë diçka e re, tha Gjoriq.

“Ky është mjedisi ynë i përhershëm. Ne kemi lindur këtu. Kemi kaluar gjithë jetën tonë këtu dhe, për ne, s’është aspak problem të jetojmë këtu. Problemi është se nuk e dimë çfarë po ndodh përreth nesh, çfarë kuptimi kanë këto politika qeverisëse dhe se çfarë do të na sjellin ato. E kam fjalën për politikat pas luftës, por edhe ato para saj,” shpjegoi ajo.

“Ne jetojmë vazhdimisht në frikë se çfarë do të na sjellin këto politika nesër,” shtoi ajo.

Lajmet se Kosova kishte dërguar forcat speciale të Njësisë Rajonale për Mbështetje Operacionale (ROSU) në përgjigje të incidentit me tren rriti shqetësimin midis serbëve.

“Kur serbët dëgjojnë për ROSU-n, nuk ndihen të qetë. Kjo shkakton tensione dhe frikë. E dimë që këto njësi janë gati për gjithçka. ROSU për ne simbolizon gjëra të këqija. Njerëzit u frikësuan,” tha Dejan Nedelkoviq, një 34-vjeçar nga Banjsko që është aktivist OJQ-je me grupin “Srpska e Gjelbër”.

Branislav Nesoviq nga Leposaviqi, një aktivist i shoqërisë civile me Nismën e Re Shoqërore dhe kandidat për doktoraturë në Universitetin e Europës Qendrore, tha se frika ishte bërë një konstante për dy arsye.

“Mungesa e sigurisë në aspektin ekonomik është diçka që shkakton ankth të madh midis serbëve të Kosovës, si dhe integrimi në institucionet e Kosovës,” tha Nesoviq për BIRN.

“Ata druhen gjithashtu për të ardhmen e tyre në lidhje me Beogradin dhe qëndrimin e Beogradit ndaj serbëve të Kosovës, duke qenë se serbët e Kosovës varen nga Beogradi – pa Beogradin ata s’mund të mbijetojnë, sidomos në aspektin financiar, dhe ky është një shqetësim i madh,” shtoi ai.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi refuzon ta njohë sovranitetin e saj.

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999, veriu i dominuar nga serbët ka qenë jashtë kontrollit të qeverisë së Prishtinës, ndërsa Beogradi ka vazhduar të financojë sigurinë lokale, gjyqësore, shëndetësore dhe institucionet arsimore.

Ndërsa pak serbë që jetojnë në pjesët jugore të vendit filluan të bashkëpunonin me autoritetet e Prishtinës menjëherë pasi Kosova shpalli pavarësinë, veriu u la nën kontrollin e pjesshëm të Prishtinës vetëm pas Kosova dhe Serbia bënë të ashtuquajturën “Marrëveshjen e Brukselit” në prill të vitit 2013 – një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve që nuk është zbatuar ende plotësisht.

Lojëra pushteti

Jovana Radosavleviq, drejtoresha ekzekutive e OJQ-së Nisma e re Sociale në Mitrovicë, u shpreh se komuniteti serb në veri po keqpërdorej për qëllime politike.

“Propaganda nacionaliste në tren, edhe pse pasqyron ndjenjat e shumicës së popullsisë serbe, ishte provokuese dhe në kundërshtim me të gjithë progresin që është bërë gjatë 17 viteve të fundit (që prej kohës së luftës). Komuniteti lokal nuk e kërkoi këtë gjë. Askush nuk e kërkoi,” tha Radosavleviq për BIRN.

“Nuk është ende e qartë arsyeja pse qeveria serbe zgjodhi këtë sektor, por do të shërbejë padyshim për qëllime fushate për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Serbi,” shtoi ajo.

Milica Andriq, menaxher projekti në OJQ-në Activ në Mitrovicë, u shpreh se tensionet midis shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë nuk ishin rezultat i marrëdhënieve të këqija midis njerëzve, por faj i politikanëve.

“Ka gjithmonë lidhje me lojërat për pushtet. Jemi gjithmonë ne që fajësohemi për politikat e pasuksesshme të qeverisë së Kosovës dhe përdoremi gjithmonë si vegël e qeverisë serbe që ajo të arrijë qëllimet e saj, sidomos në negociatat ndërkombëtare,” tha Andriq.

Nesoviq tha gjithashtu se beson se tensionet po shkaktohen për arsye politike.

“Shoqëritë tona kanë qenë shumë të ndara gjatë 17 viteve të fundit, prandaj kontaktet tona nuk janë shumë të shpeshta. Nga ana tjetër, konfliktet shpesh ekzagjerohen, politikanët keqpërdorin situata të ndryshme që t’u dalë e veta, por ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm për pasojat që mund të shkaktojnë këto lëvizje,” tha ai.

Sovrliq theksoi ndërkohë se shumica e serbëve të Kosovës duan thjesht të shijojnë një ekzistencë paqësore.

“Njerëzit në Kosovë nuk duan konflikte, por duan të njëjtat gjëra si të gjithë të tjerët në botë. Ata duan të jetojnë në paqe në shtëpitë e tyre, të kenë rroga të mira dhe të jetojnë normalisht,” tha ajo. /kallxo.com/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme