Severine Sierens nga Belgjika sjell në Prishtinë thellësinë e tingujve të klarinetës

“Clarinet Podium” quhet bienalja e klarinetave në Prishtinë dhe me koncertin që ka nisur rrugëtimin e kësaj ngjarjeje për kryepersonazhe ka pasur klarinetisten belge, Severine Sierens. Mjeshtërisht ka zbërthyer rrëfime nëpërmjet instrumentit e në këtë debutim në Kosovë në harmoni i janë bashkuar edhe Lirika Pula në piano e Lundrim Rexha në klarinetë

Zotërimi i instrumentit është shenja e parë dalluese e Severine Sierens nga Belgjika. Nëpërmjet klarinetës ajo shpalos rrëfime, komunikon me publikun. Kur në skenë i bashkohen edhe kolegët, dialogu midis tyre sa vjen e intensifikohet. Shëtitja nëpër epoka të ndryshme bëhet me elegancë përderisa stilet e teknikat i ndihmojnë ta ndajë me publikun mjeshtërinë e saj.

Sierens ka qenë mysafirja e nderit e edicionit të parë të Bienales së Klarinetave në Prishtinë “Clarinet Podium”. Koncerti i saj të enjten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës e ka hapur këtë ngjarje, e cila pasuron skenën muzikore të vendit. Sierens nuk ka ardhur në Kosovë vetëm për koncertin, por edhe për ta ndarë përvojën e saj me profesionistë, kolegë të saj klarinetistë dhe këtë e ka bërë me punëtorinë që ka mbajtur. “Clarinet Podium” kësisoj nuk vjen vetëm si ngjarje që i shtohet kalendarit kulturor, por edhe si organizim që për synim ka edhe ngritjen e nivelit të instrumentistëve me bashkëpunime të tilla.
Kaltërimi i skenës ka qenë paralajmërimi për nisjen e koncertit. Qe Sierens e para që doli në skenë, shoqëruar nga pianistja Lirika Pula.

Me tinguj të lehtë, por të thekshëm, dy artistet sollën para publikut veprën “Koncert për klarinetë numër 5 në D-dur” të kompozitorit gjerman të periudhës së barokut, Johann Melchior Molter. Tingujt pianistikë vijnë si shoqërues tek e bëjnë më të dallueshëm solon në klarinetë. Harmonia është konstantja.

Në pjesën e dytë dyshes iu bashkua edhe klarinetisti nga Kosova, Lundrim Rexha, themelues e organizator i “Clarinet Podium”. Me “Pjesë koncertale për dy klarineta dhe piano” të Felix Mendelssohnit, në trio, e ngjyrosi koncertin me romantikë. Dy klarinetistët nisën të frymonin njëherësh të shoqëruar nga tingujt e butë e të lehtë të pianos. Deri në përfundim të veprës ndërruan disa formacione herë duke luajtur njëri klarinetist, herë tjetri.

Ka qenë Sierens ajo e cila ka përmbyllur koncertin me “Rapsodi” të Giacomo Miluccios, vepra më e njohur e këtij kompozitori dhe klarinetisti të shquar të shekullit XX. Ka një lloj drame që thuret në kulmimin e veprës dhe Sierens e zbërthen bukur atë për ta përcjellë te publiku, i cili e falënderon me duartrokitje.

“Të punoj me Lundrimin ishte një gjë shumë e mirë, por gjithashtu edhe me pianisten Lirika. Ishte me të vërtetë një bashkëpunim shumë i mirë dhe po, këtu ka shumë potencial”, ka thënë ajo.

Sierenes ka theksuar edhe faktin që në Kosovë ka ardhur me llojin e klarinetës që nuk njihet fort këtu.

“Unë zgjodha të performoja këtu, sepse unë jam e specializuar në Es klarinetë. Kur erdha këtu Lundrimi më tha se, ndonëse ata e njohin Es klarinetën, nuk kishin një specialist të tij këtu, gjë që për mua ishte paksa shokuese. Për mua ishte shumë kënaqësi t’i përgatisja këto vepra dhe të performoja për ju”, ka thënë Sierenes.

Pianistja Lirika Pula ka vlerësuar bashkëpunimin me Sierens duke theksuar edhe një tjetër fakt.

“Është një ndjenjë shumë e mirë. Më klarinetistë kisha kohë pa performuar kështu që në momentin që i bëmë provat e para, ishte shumë kënaqësi. Është një instrument që ka një tingull shumë të mirë që unë pata nderin ta shoqëroja në piano”, ka shpjeguar Pula.

Pula ka qenë edhe profesoreshë e organizatorit dhe themeluesit të kësaj, bienaleje, klarinetistit Lundrim Rexha.

“Me studentët si Lundrimi ai nuk është më student, por megjithatë me studentët si puna e tij, të cilët janë shumë të aftë dhe të suksesshëm, nuk është aspak problem të bashkëpunosh ose edhe të luash në duete apo ansamble më të mëdha. Ai tashmë ka një eksperiencë dhe vetë fakti që e ka nisur një iniciativë të tillë, me të gjitha forcat e veta, tregon se ai është i aftë dhe ambicioz. Për mua ka qenë kënaqësi ta mbështes Lundrimin, por edhe cilindo student tjetër”, ka vlerësuar Pula.

Severine Sierens studioi në Shkollën e Arteve Luca (Instituti Lemmens), Konservatorin Mbretëror të Lièges dhe Shkollën Fontys të Arteve të Bukura dhe Performuese të Tilburgut. Severine është klarinetiste e pavarur dhe mësuese në Liceun Artistik MUDA. Ajo është gjithashtu anëtare e “Woodwind Quintet Venturi”. Ka performuar me ansamble si: “Ciurlionis Stringquartet”, “Roman Stringquartet”, “Odeion Stringquartet”, “Zemlinsky Quartet”, “Khroma Quartet” dhe me orkestra si: “The University of Utah Windensemble”, “The International Clarinets”, “Claribel Clarinet Choir”, “Simon Bolivar Youth Symphony Band” e të tjera.

Në vitin 2021 ajo ishte anëtare e jurisë së “Konkursit të Artistëve të Rinj” të Shoqatës Ndërkombëtare të Klarinetës dhe gjysmëfinales së Konkursit të Muzikës së Dhomës “Fontys Willem Twee”.

“Clarient Podium” ka vazhduar edhe të premten mbrëma dhe do të përmbyllet të shtunën me koncertin e dyshes së violonçelistëve Aurélien Sabouret dhe Vlorent Xhafajn, i cili vjen në bashkëpunim me festivalin DAM në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme