Raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë mund të përkeqësohen ndjeshëm në rast se institucionet vendosin të shfuqizojnë Ligjin për Gjykatës Speciale, përkatësisht Dhomat e Specializuara, thonë deputetë opozitarë dhe njohës të çështjeve juridike.
Dastid Pallaska, njohës i fushave juridike, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova si në aspektin e brendshëm, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar, do t’i ndjejë pasojat në rast se shfuqizohet ligji, të cilin e kishte miratuar vet Kuvendi i Kosovës.
“Përveç izolimit, i cili vetëm se ekziston në një formë të butë dhe që do të ashpërsohej, unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare do të tërheqë gjithë përkrahjen diplomatike, ekonomike e politike për Kosovën, që pikë së pari do të reflektohet në raportet e Kosovës me Serbinë, përkatësisht do ta ndjejmë peshën e vërtet të shtetit serb apo armiqësitë që vijnë nga shteti serb”, tha Pallaska.
Ndërkaq, Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se nëse arrihet që të shfuqizohet Ligji për Specialen, pasojat do të jenë të shumëfishta.
“Në radhë të parë, Kosova do të izolohet në aspektin ndërkombëtar, jo vetëm si shtet, por edhe bartësit e institucioneve do të futen në lista sanksionesh të ndryshme dhe kjo do të ishte shumë e dëmshme në aspektin e imazhit ndërkombëtar të vendit. Po ashtu, edhe shtetet që më se shumti e kanë përkrahur Kosovën qysh nga vitet e ’90-ta, pastaj në gjithë procesin e shtetndërtimit, do ta braktisin Kosovën, sa i përket përkrahjes që e kemi pasur deri tani”, tha Osmani.
Deputetja Osmani tha se në rast se ndodh që ligji të shfuqizohet, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mund të ndërmarrë nisma për miratimin e ndonjë rezolute të re, në bazë të së cilës, gjykata prapë mund të funksiononte. Ajo thotë se duke u bazuar në deklaratat e zyrtarëve të partive politike në pushtet, kjo nismë nuk ka të ndalur.
“Në asnjë moment nuk mund të përjashtohet mundësia që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të marrë masa duke u bazuar në Rezolutën 12 44. Pra, pasojat do të jenë të mëdha e të shumëfishta. Do të jenë edhe politike, edhe të sferave të tjera. Prandaj, mendoj që e tërë nisma për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale është e pamatur dhe dëmton Kosovën dhe të gjitha të arriturat që i kemi bërë bashkë me partnerët tanë (ndërkombëtarë), dhe po ashtu e bllokon Kosovën që të bëjë hapa përpara në procesin e shtetndërtimit”, tha Osmani.
Megjithatë, Osmani potencon edhe faktin se Gjykata Speciale nuk mund të shuhet tërësisht pa ndryshime kushtetuese. Kurse, ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, sipas saj, mund të kalojnë me një shumicë të thjeshtë të votave në Kuvend.
Ndërkohë, avokati Dastid Pallaska thekson se dëmi që mund të shkaktohet nga anulimi eventual i Gjykatës Speciale, nuk kufizohet vetëm në përkeqësimin e raporteve të vendit me aleatët, ngase mund të prodhojë edhe tensione të brendshme, duke i pozicionuar forcat politike për dhe kundër UÇK-së dhe luftës së fundit.
Sipas tij, së paku 10 deputetë mund të kërkojnë vlerësim kushtetues të vendimit të Kuvendit pranë Kolegjit Kushtetues të Gjykatës Speciale.
“Janë dy grupe parlamentare që kanë gjasa reale ta dërgojnë një kërkesë të tillë. E para është LDK-ja dhe e dyta është Lista Serbe”.
Por, ai thekson edhe faktin se cilado nga këto grupe që do ta bënte një kërkesë të tillë, do të portretizohej si një palë që e urren Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe që është kundër UÇK-së.
“Ky portretizim, normalisht jo i drejtë, do të krijonte ndasi të thella shoqërore, të cilat mund të prodhonin edhe konflikte të brendshme nga trazirat shoqërore, që mund të shkaktoheshin nga një ballafaqim i krahut të paqes me krahun e luftës”, thotë Pallaska.
“Në rast se materializohen këto rreziqe nuk do të jemi vetëm vend i izoluar, por vend i izoluar në konflikt të brendshëm”, thekson tutje ai.
Gjykata Speciale ka nxitur debate të ashpra në Kosovë. Një pjesë e spektrit politik e konsideron atë të padrejtë dhe të njëanshme, pasi që do të hetojë vetëm krimet e supozuara të pjesëtarëve të UÇK-së, pjesa tjetër e spektrit që ka mbështetur edhe ndryshimet ligjore e kushtetuese për punën e kësaj gjykate, ka vlerësuar se me gjykimet që priten, nuk atakohet lufta e UÇK-së, por individët.
Mandati i Gjykata Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshinë periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.
Nisma e deputetëve të Kuvendit ka nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare. Shtetet e Kuintit kanë shprehur shqetësimin e thellë me përpjekjet në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, përkatësisht Dhomave të Specializuara.
“Jemi thellësisht të shqetësuara me përpjekjet e vazhdueshme për të zhvlerësuar punën e Dhomave të Specializuara”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
“Dhomat e Specializuara, në veçanti janë pjesë e rëndësishme e përkushtimit të Kosovës për sundim të ligjit dhe angazhimit të Kosovës për të adresuar krimet e kryera në territorin e saj”, thuhet në deklaratë, e cila u ishte shpërndarë mediave nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
Aty rikujtohet se vendet e Kuintit kanë qenë prej kohësh miq të vërtetë të Kosovës, përfshirë këtu edhe në kohërat më të vështira.