Shqipëria kundër tregut të përbashkët rajonal

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kundërshton idenë e krijimit të një unioni doganor e tregtar mes shteteve të Ballkanit.

Shefi i diplomacisë shqiptare, duke folur në një konferencë në “German Marshall Fund”, ka folur më shkoqur, ndryshe nga 10 ditë më parë në Tiranë, kur është pyetur rreth këtij problemi nga “Koha Ditore”.

Kundërshtimet e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë vijnë në një kohë kur në rajon janë dhënë ide për krijimin e një tregu të përbashkët në të cilin do të përfshiheshin Mali i Zi, Bosnja, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Shqipëria.

Ideja është hedhur nga presidenti i zgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe është përkrahur në njëfarë mase nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ndërkohë që është kundërshtuar me forcë nga Kosova.