Shtet pa institucione shtetërore dhe President pa shtet!?

Analizë nga Almakos

Kaluan katër muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar, e Maqedonia ende nuk ka Parlament të konstituuar dhe qeveri të emëruara nga deputet e popullit. Në ndërkohë, vazhdon të zhbëhet thuajse çdo gjë që ka të bëjë me shtetbërjen dhe duket se çdo gjë do mund të përfundoj si një shtet pa institucione shtetërore dhe me një President pa shtet!

Dhe përderisa vazhdojnë protestat e VMRO-DPMNE’së, të cilat tregojnë atë që prej moti duhej ta dinin shqiptarët e këtushëm – se maqedonasit nuk duan ta ndajnë shtetin me shqiptarët – bëhet gjithnjë e më qartë se Maqedonia është shtet aq i fortë, sa mundet edhe pa të gjithë ne që jetojmë në të, por vetëm nëse e mbajnë në këmbë shtyllat ndërkombëtare! Pra bëhet gjithnjë e më e qartë se ky shtet edhe nuk ekziston për qytetarët e vet, por vetëm sa politikanët e këtushëm hajdut e kriminelë, të kenë shtetin e vet.

Po pra, siç kalon koha nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, bëhet edhe më e qartë se Maqedonia është shtet i gënjeshtrave të mëdha, e që kryesisht kanë të bëjnë me të kryegënjyerit – shqiptarët. Dhe duke qenë ky shtet i tillë, ndodhë për shembull, që LSDM’ja, që deri dje e luftonte regjimin DPMNE-BDI, sot të sillet thuajse për të e për shterin, janë të papranueshëm kriminelët maqedonas, por jo edhe ata shqiptarë!? E në ndërkohë, të mos jep përgjigje në pyetjen: nëse për partitë maqedonase na qenkan më të përshtatshëm shqiptarët e korruptueshëm, atëherë pse për partitë shqiptare të mos jenë më të pranueshëm të dyshuarit për hajdutëri të VMRO-DPMNE’së!?

Kaluan pra katër muaj nga zgjedhjet parlamentare dhe të vetmen të mire që sollën ato është dëshmia se Maqedonia mund të funksionojë edhe pa institucione shtetërore. Në ndërkohë, çdo gjë mbeti e njëjtë. Duke filluar nga antishqiptaria e qarqeve maqedonase, e drejtuar nga VMRO-DPMNE’ja, e që është vënë në mbrojtje të shtetit nga ‘Platforma e Tiranës’, e deri të BDI-ja shqiptare e pranueshme për të gjitha partitë dhe forcat politike maqedonase. E diku në mes të këtyre paqartësive e qartësive, ne shqiptarët mbetëm atë që ishim gjithmonë në të kaluarën: si arsyetim dhe mbulesë për të gjitha të këqijat që i ndodhin Maqedonisë.

Dhe ne shqiptarët do mbetem arsyetim dhe mbulesë edhe për hajdutërinë e politikanëve të këtushëm, sepse kemi parti si BDI’ja, që janë të pranueshme për të gjitha partitë maqedonase. Dhe pse nuk pyesim hapur: si u bë që për LSDM’në Maqedonase të jenë të papranueshëm të dyshuarit për hajdutëri e krime të DPMNE’së, por jo edhe ata të BDI’së që ishin pjesë e të njëjtit regjim? Pra shkaku se nuk e shtruam pyetjen se mos vallë për partitë maqedonase ka rëndësi dekriminalizimi i shoqërisë maqedonase, por jo edhe ai i asaj shqiptare, ngaqë kriminalizimin e shoqërisë shqiptare e konsiderojnë si diçka të natyrshme!?

Si do që të jetë, mos harroni: Maqedonia është vend i çudirave, ku as qeni nuk e dinë se cilin e ka pronar, po ku dihet se maqedonasit duna vasalë të korruptueshëm shqiptarë dhe Maqedoni të sunduar vetëm nga ata. Njësoj siç nuk dihet se vallë maqedonasit etnik janë pasardhës të sllavëve të jugut, apo të maqedonasve antik, por ku dihet se ata e urrejnë “Platformën e Tiranës“. Ku ta dish, mbase e urrejnë këtë platformë vetëm pse ajo nuk thotë atë që thonë ‘platformat’ e qendrave tjera të Ballkanit: se ka shtet të quajtur Maqedoni, por jo edhe popull maqedonas e gjuhë maqedonase!?
Almakos.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme