Si u bënë aktore Matilda Makoçi dhe Rajmonda Bulku”

Të flasësh me një operator filmash artistikë a dokumentarësh, që ka qenë pas kamerës së aktiviteteve ose filmave më të rëndësishëm të historisë së Kinostudios, nuk mjafton as një libër.

Ilia Tërpini, që ende sot vazhdon të jetë i kërkuari i të gjithëve, e ka nisur punën pikërisht nga Kinostudio. Ka qenë drejtor fotografie i mbi 100 dokumentarëve e 26 filmave artistikë.

Një ndër filmat e parë që ka realizuar me regjisorin Viktor Gjika ka qenë “I teti në bronz”.

Për realizimin e tij, Ilias i është dashur të shëtisë nëpër të gjitha gjimnazet e Tiranës për të gjetur personazhin e Almës. Kërkimet, pa e ditur, e çuan te Pranvera Hoxha, por meqenëse Pranvera u përjashtua, fati e çoi fotografin te Yllka Muja, që kur ishte vetëm 15 vjeçe realizoi rolin e saj të parë.

Pas saj, emra të tjerë, ata që u bënë më të rëndësishmit e kinematografisë shqiptare, kaluan po prej objektivit të aparatit e kamerës së tij.

Ndodhi kështu me Rajmonda Bulkun, me Matilda Makoçin e me Zhaklina Dhimojanin, vajzën e llastuar që pikasi te Tirana e Re e që e mori menjëherë për rolin e Mimoza llasticës. Ndër vite, secilës prej tyre u ka bërë edhe fotografi të shumta, raporton Panorama.

Sot, ka aq shumë sa është gati të hapë një ekspozitë me imazhe në kohë të ndryshme të të gjithë emrave që përmendëm më sipër.

Tërpini, bashkë me fotografitë e rralla e të pabotuara që po na tregon sot, kthehet pas në kohë e kujton edhe ngjarjet e ditëve të gjata të xhirimeve kur u duhej të shkonin nëpër qytete të largë- ta e të xhironin në borë e ngrica! Një nga filmat që është xhiruar në të tilla kushte ka qenë edhe “Dimri i fundit”. Për netët e gjata e të ftohta që kalonin me njëri-tjetrin në Dardhë të Korçës, Ilia na tregon më gjatë….

VALLËZIMET E NDALUARA TE “DIMRI I FUNDIT”

Imagjinoni njerëzit-hije që shëtisnin rrugëve të Tiranës në 1975, duke ecur me kokën e kthyer pas… Institucionet që ishin të rrethuar nga vëzhgimet e partisë, kujdesi i të gjithëve për t’i matur mirë fjalët që nxirrnin nga goja. Në gjithë këtë atmosferë ishte një fshat në Shqipëri, ku nuk kurseheshin për të ngritur volumin e magnetofonit deri në fund. Në Dardhë të Korçës po xhirohej filmi “Dimri i fundit”.

Darkave, të rrethuar e mbrojtur nga bora, rrethi i ngushtë i ekipit të xhirimit dhe aktorëve vallëzonin deri në mëngjes nën tingujt e muzikës që pëlqenin.

Askush nuk i spiunonte, askush nuk vinte veshin pas derës, ishin të lirë të kërcenin siç thuhej se bënin korçarët diskove të Amerikës.

Ilia Tërpini u është rikthyer edhe një herë kujtimeve të atyre ditëve të gjata të dimrit që, për shkak të borës që shkriu, u detyruan të qëndronin edhe më gjatë… “Rajmonda Bulkun unë e kam xhiruar për herë të parë kur sapo e kishin gjetur për te ‘Dimri i fundit’.

Ato ditë që ne po kërkonim aktoren e përshtatshme për rolin e saj, Rajmonda kishte ardhur për pushimet e janarit, nga Cërriku në Tiranë. Ishte 17 vjeçe, në vitin e tretë në gjimnaz, dhe njëri nga dy regjisorët e filmit, Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, e kishte parë bashkë me dy vajza të tjera në rrugë dhe unë e fotografova menjëherë sapo ai e pa. Më pas e morëm për kinoprovë.

Shkuam në Cërrik, takuam të atin që e kishte oficer për të kërkuar leje, sepse ishte ende e vogël. Krijuam menjëherë marrëdhënie të mirë bashkë dhe jemi miq ende sot.

U bëmë aq të afërt saqë kur erdhi koha që do të fejohej, djali me të cilin u martua, siç ishte e zakonshme të ndodhte atëherë, erdhi më pyeti ç’mendim kisha për të.

Sigurisht që i thashë fjalët më të mira dhe siç dihet më pas të dy u martuan. Te ‘Dimri i fundit’ kemi kaluar kohë shumë të bukura.

Mund të them që është një nga rastet e rralla që kemi pasur kohë aq të bukura. Grupi i filmit ishte prej 70 vetash dhe për ne u hap enkas kampi i punëtorëve të Dardhës në Korçë.

Drejtori i kampit ishte mjaft i pasionuar pas artit dhe na ka trajtuar në mënyrë të veçantë. Përveç tij, i gjithë fshati na ka mbajtur si jo më mirë sepse edhe ne morëm disa nga fshatarët për film.

Për një rol të vogël paguanim 200 lekë në ditë, por mendoni që fshatarët duhet të punonin sa e sa ditë, për 14 orë, që të merrnin kaq para. Një natë na merrte njëri, një natë tjetri. Ishim edhe mjaft të organizuar dhe bënim përnatë mbrëmje vallëzimi, por nga ato që në Tiranë nuk lejoheshin sepse i futeshe burgut vetë. Kërcenim e pinim si të donim.

Jashtë ra dëborë e madhe dhe s’lëviznim dot prej andej as deri në Korçë. Imagjinoni që Liza Laska, aktorja e Vlorës, ishte e sëmurë me zemër dhe Komiteti na caktoi një doktor enkas për të.

Doktori ndenji me ne nga fillimi deri në fund të xhirimeve. Kërcenim e kërcenim për orë të tëra e më pas ashtu, të djersitur, dilnim e kërcenim jashtë në dëborë.

Margarita Xhepa thoshte sa herë që kishte kaluar kaq shumë përvoja, por mbrëmje si ato nuk kishte parë.

Përveç vajzave nga Tirana kishim marrë edhe rreth 20 vajza nga Korça, të gjitha ishin të emancipuara dhe grupi i ngushtë ishte i sigurt, ishim të bindur që nuk dilte fjalë, nuk spiunonte njeri sepse edhe aty ishim të izoluar.

Ka qenë një nga kohët më të bukura që kujtoj”, përfundon Tërpini, shkruan Panorama.

SI E ZGJODHËM YLLKA MUJON NË VEND TË PRANVERA HOXHËS TEK “I TETI NË BRONZ”

Në fakt, me Yllkën ishte krejt rastësi. Kishte nisur kërkimi për një rol të vogël, atë të Almës, vajzës së doktorit te filmi “I teti në bronz”. Shëtita nëpër disa gjimnaze të Tiranës dhe fotografova rreth 60 vajza të reja për të përzgjedhur. Atë vit, në mos gaboj, 1963, organizohej edhe spartakiada e parë shqiptare në stadium. Aty kishe mundësi t’i vlerësoje vajzat më mirë sepse ishin edhe të zhveshura. Ende pa gjetur Yllkën, një ndër vajzat që fotografova në spartakiadë ishte Pranvera Hoxha.

Unë natyrisht që nuk e njihja dhe e pyes për emrin. Pasi ma thotë, e pyes sërish se e kujt ishte. Kur më thotë edhe për të atin, unë stepem, megjithatë i shpjegoj arsyet pse po bëheshin këto foto dhe i them se do ta njoftoja më vonë nëse do të përzgjidhej.

Në fillim nuk e mendova kaq prerazi se nuk mund ta merrnim. Lava fotografitë dhe ia tregova regjisorit, Viktor Gjikës. Njësoj si unë, edhe atij i ngelën sytë te Pranvera, por kur i thashë se si ishte puna, ishte ai që e preu pa e diskutuar fare.

Deri atë kohë, as ai nuk dinte gjë, por hamendësoi se nëse e merrnim Pranverën për rolin, gjatë xhirimeve që na duhej të rrinim për një kohë të gjatë në Korçë, ajo, edhe prej moshës së re, 17 vjeçe, mund të dashurohej me ndonjë atje.

Nëse kjo ndodhte, burgu ishte masa më e lehtë që ne të gjithë parafytyruam. Kështu që, tha, as mos e zë në gojë këtë punë. E takoj sërish pak ditë më vonë dhe gjithë entuziazëm, e kishte me shumë qejf atëherë këtë përvojë.

Më thotë se kishte folur me babin dhe se ai i kishte dhënë leje. Priste vetëm përgjigjen tonë.

Viktori as që e diskutonte. Leja ishte për t’i bërë qejfin së bijës, sepse ai e dinte që s’do të guxonte njeri ta përfshinte në këtë film. Pas saj gjetëm Yllkën. 3 ditë përpara se të nisnim xhirimet shkova në një aktivitet në Teatrin e Operës dhe aty pashë Yllkën.

Duhet të ketë qenë 15 vjeçe. I them sime shoqeje “kjo është Alma”, duke përmendur emrin e personazhit. Afrohem, i shpjegoj rastin dhe e ftoj të vijë të nesërmen në Kinostudio.

Viktori në fillim tha se tashmë ishte gjithçka gati e nuk mund të ktheheshim pas, por pasi e pa Yllkën, nuk bëri asnjë fjalë.

Na u desh të ndryshonim edhe kostumin, ta qepnim sërish, sepse ishte vajzë e imët, ndryshe nga ajo që kishim përzgjedhur më parë. Kështu, me atë rol, Yllka Mujo nisi të bënte aktoren.

MATILDA MAKOÇI TE “SI GJITHË TË TJERËT”

Aktorja Matilda Makoçi e kishte kaluar provën e parë, kur operatori Ilia Tërpini e zgjodhi për filmin “Si gjithë të tjerët”, megjithatë edhe pse ishte hera e dytë, përzgjedhja ishte e rastësishme dhe kinoprova duhet të bëhej, në çdo rast… “Po përgatisnim filmin ‘Si gjithë të tjerët’ dhe po kërkonim nëpër shkolla për personazhin e Jetës.

Matilda Makoçin e kam gjetur në Politeknikum. Ka pasur më parë një rol tjetër e më pas erdhi ky film. E morëm në Kinostudio, i bëmë kinoprovën dhe karriera e saj vazhdoi me filma të tjerë, u bë aktore shumë e mirë. Atëherë ishte gjimnaziste, ende e vogël dhe rolet e tjera më të mëdha të saj do të vinin më vonë. Ka qenë shumë e bukur, kishte portret shumë interesant”, kujton Tërpini.

Si e bënim për të qarë Zhaklinën TE “MIMOZA LLASTICA”

Një tjetër film që është xhiruar nga “sytë” e operatorit Ilia Tërpini është edhe “Mimoza llastica”. Për të gjetur aktoren Zhaklina Dhimojani, regjisores Xhanfize Keko iu desh të shëtiste nëpër sa e sa kopshte të Tiranës, por pa rezultat.

Ishte vëmendja e Tërpinit, ndërsa po ecte në zonën e Tiranës së Re, kur e pa të voglën në rrugë me të ëmën.

Iu afrua menjëherë, e fotografoi dhe ia tregoi regjisores. Ishte ajo që po kërkonin. Nga ana e familjes nuk pati kundërshtime që e vogla “të bëhej” aktore, mirëpo Zhaklina vetë nuk ishte ende gati që t’u bindej urdhrave të filmit

Thuajse të gjitha skenat u xhiruan pa vështirësi derisa erdhi momenti që llastica duhet të qante… “Çfarë nuk i thamë që ta bënim të qante, por ishte e pamundur.

Më kujtohet që regjisorja i dha edhe një shpullë, por vajzës nuk i dilte asnjë pikë loti. E ëma që i ndiqte xhirimet nga larg më thirri dhe më tregoi që atë ditë në klasën e saj kishte humbur një stilolaps.

Skema ishte e qartë, duhet të akuzonim Zhaklinën si hajduten e stilolapsit. Thërras Xhanfizenë dhe i them se zgjidhja u gjet. Regjisorja i afrohet te veshi dhe e pyet se pse e kishte vjedhur stilolapsin në klasë?!

Aty ajo nuk i mbajti lotët, shpërtheu menjëherë duke u mbrojtur se nuk e kishte marrë ajo. Janë kujtime shumë të bukura, por ndryshe nga aktoret e tjera, ndoshta sepse ajo ishte fare e vogël, karriera e saj nuk vazhdoi. Komunikoj ende sot me të, jeton në Zvicër!”, tregon Tërpini.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme