Stambolli i pulëbardhave të uritura

Xhevdet POZHARI

Pulëbardhat vinin nga pas, e ndiqnin anijen me përplot udhëtarë. Kërkonin ushqim edhe pse me bollëk e kishin në deti. Por, njerëzit i kishin mësuar me vesin e përtacisë. E në ndërkohë frynte erë e lehtë në dimrin e hershëm që nuk ia zbehte bukurinë Stambollit. Ndërkaq mua nuk me shkëputej nga mendja kujtimi për pulëbardhat që zëvendësonin fluskat e borës së largët kur për herë të parë, 15 vite më parë, vizitova qytetin që fshehte në vete histori të ndryshme, nga ato të rrëfyerat dhe të pashkruarat.

I bukur, hijerëndë, Stambolli që nga shumëkush ngatërrohet si kryeqyteti i Turqisë ishte vendi më i duhur për të derdhur hirin e kujtimeve. Për të ndërmendur se në këtë botë parakaluan shumë mbretër dhe sulltanë që me vete nuk morrën asgjë, por pas lanë një trashëgimi të pasur kulturore të cilat shenjë njohëse kanë minaret e xhamive. Dhe sa më të larta që janë ato minare, thuajse më shumë ka zgjatur edhe mbretërimi i atyre që dikur veten e konsideronin se janë “zotër që ecin mbi tokë”, duke harruar se janë qenie krejtësisht të rëndomta, të vdekshme dhe të pafuqishme për të ndryshuar fatin e tyre. Pothuajse të gjithë, etjen për pushtet dhe fuqi absolute kishin zgjedhur ta mbështesnin me përkushtimin ndaj fesë islame, madje duke mos ngurruar të vrisnin as pasardhësit e gjakut nëse do devijonin nga “rruga e drejtë” që ata vetë – sulltanët e dikurshëm, e të vdekshmit e mevonshrm, e kishin mitizuar dhe e kishin shpallur si rrugë të vetme.

Por, pavarësisht tiranive dhe haraçit që kishte rënduar me shekuj mbi supet e popullit, ata kishin lënë edhe vepra të pakontestueshme të artit që sot janë magnet për vizitorët nga mbarë bota, për dallim nga politikanët tanë që e vjedhën popullin ndërsa “monument” të vetëm mund ta lënë ndonjë xhip me xhama të errët.

Stambolli gjatë këtyre viteve kishte shtuar bukurinë që nuk ia zbehte as nata. Nëpër rrugë mbetej e paqartë nëse më shumë takoje turq apo sirianë. Madje, një zinxhir restorantesh mbante mbishkrime në gjuhën arabe dhe nëse nga kureshtja vendosje të drekoje në ndonjërën prej tyre, edhe kamarierët te flitnin vetëm arabisht si dhe faturat ishin në gjuhën arabe!

I degëzuar në rrugët e Stambollit mbetej edhe fati i shqiptarëve që si destinacion, në periudha të ndryshme kohore, kishin zgjedhur qytetin që konsiderohet si zeniti i lindjes dhe perëndimit, vendi ku ata shihnin shpresën e cila sot i lidh si nyje të shkërrmoçura me vijën e gjakut që lanë prapa tyre. Dhe në mos tjetër, është për t’u vlerësuar guximi i tyre që fatin t’ia dorëzojnë një vendi të panjohur ku shumicës prej tyre do t’iu pushonin edhe eshtrat.

Prandaj, jo rastësisht mbase fluturimin e pulëbardhave e ndjeja si shtegtim të palodhshëm të gjithë atyre që nuk patën mundësi as të rrëfenin atë që ua panë sytë dhe ua ndjeu zemra, si flatërim të fundit drejt të panjohurës ku do të kërkonin pafundësisht fatin e tyre në çaste dobësie kur nga ngutja apo lodhja mund të kenë harruar se askund nuk mund të ndjehesh vetvetja pos në vendin ku je i mbështjellë nga dashuria e atyre që i japin kuptim jetës, familja.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme