Në një intervistë për “Politico”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk mund të përjashtohet nëse prespektiva për anëtarësimin e Ballkanit në BE venitet.
E ndaj kësaj deklarate kanë reaguar zyrtarët shtetërorë të Serbisë.
Ministri për Punë, Punësim dhe Çështje Sociale i Serbisë, Aleksandar Vulin vlerësoi të martën se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama me deklaratat e tij dëshiron të nënçmojë BE-në dhe tha se “është i gatshëm që të shkaktojë luftë dhe konflikte në Ballkan”.
Me rastin e deklaratës së Ramës, se nëse perspektiva për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE vazhdon të zbehet, nuk mund të përjashtohet bashkimi i vendit të tij dhe Kosovës, Vulin tha se nuk është hera e parë që kryeministri i Shqipërisë “kërcënon paqen” me deklaratat e tij.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se deklarata e kryeministrit Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën është e rrezikshme.
Ai ka thënë se kjo deklaratë nuk i sjell asnjë të mirë rajonit, e as marrëdhënieve të mira fqinjësore.
“Nëse këtë vërtetë e ka thënë Edi Rama, atëherë kjo është një deklaratë shumë e rrezikshme. Ajo nuk i kontribuon asgjëje të mirë në rajon, e as që i kontribuon asnjë parimi të BE-së, e madje as marrëdhënieve të mira fqinjësore”, ka thënë Stefanoviq para gazetarëve në Beograd, transmeton Koha.net.
Ai ka shtuar se bëhet fjalë për një deklaratë të papërgjegjshme, e cila “faktikisht nxit konflikte dhe bën thirrje për shkatërrimin e rendit kushtetues të vendit tonë”.
“Ne gjithmonë themi, pavarësisht në aspiratat dhe ambiciet e ndryshme, se Kosova është pjesë e Serbisë dhe kështu do të jetë gjithmonë. Ata që mendojnë për konfiskim të paligjshëm të pjesëve të territorit tonë apo për ndryshim të dhunshëm të kufijve, duhet ta kuptojnë se kjo do të konsiderohet si akt armiqësor ndaj Serbisë”, ka theksuar ministri serb.