Gazetar: Zekirija Haxhiu
Qindra mijëra studentë u mblodhën për herë të dytë për të protestuar para Ministrisë së Drejtësisë duke kërkuar që provimin e jurisprudencës ta japin edhe në gjuhën shqipe.
Pikënisja ishte pranë Urës së Gurit në Qendër dhe përfundoi para ministrisë së drejtësisë. I bënë thirrje ministrit Igor Fillkov që të zbatojë ligjin pasi siç thanë, ligji ua lejon provimin edhe në shqip.
“Kjo nuk është privilegj, është e drejtë kushtetuese i këtij vendi e drejtë e fituar me Marrëveshjen e Ohrit, e drejtë që nuk varet nga humori, jo nga ministri apo politikat e një partie. Kjo është e drejtë që lind me ne sepse ne kemi qenë këtu dhe çdo herë do të jemi këtu”, tha një nga protestuesit.
“Ministër, je ulur në kolltukun e popullit, paguhesh me djersën e prindërve tanë, vendosë për fatin tonë. Mos e merr atë karrige për të mirëqenë……Shqiptarët kanë kaluar kohëra edhe më të vështira, kohëra me dhunë, me poshtërime, me mohime por gjuha shqipe as nuk është zhdukur as nuk do të zhduket“, shtoi një tjetër protestues.
“Kjo nuk është vetëm çështje akademike, është çështje dinjiteti, barazie, respektimi të qytetarëve. Ne besojmë në një shtet të barabartë për të gjithë, besojmë në një shoqëri ku askush nuk do të ndjehet si qytetar i dorës së dytë“, deklaroi më tej një tjetër protestues.
Në protestë morën pjesë qytetarë të shumtë edhe nga vende të tjera. Erdhën studentë nga Kumanova, Tetova, Gostivari, Struga, Ohri por edhe nga Kosova e Shqipëria. Protesta filloi me një orë vonesë pasi u pritën edhe protestues nga vendet e tjera. Kjo është hera e dytë që studentët shqiptarë protestojnë para ministrisë pasi paraprakisht edhe një protestë tjetër ishte mbajtur më 6 prill./Alsat.mk



