“Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një mënyre të re të zhvillimit të dialogut, për shkak se dialogu që është zhvilluar deri më tani ka qenë asimetrik”, është përfundimi që nxori dje konferenca e mbajtur nga KFOS-i, me temën “Përfundimi i dialogut – Çfarë mund të presë Kosova nga ky proces?”, shkruan sot, gazeta Zeri.
Albin Kurti, deputet nga radhët e lëvizjes “Vetëvendosje”, pjesëmarrës në këtë konferencë ka thënë se “Vetëvendosja” nuk ka qenë kurrë kundër dialogut në parim, por kanë qenë kundër dialogut pa parime.
“Në dialogun e gjashtë vjetëve të fundit dy gjëra janë përjashtuar në mënyrë kategorike, historia dhe ekonomia, mbase më shumë se kaq është vështirë të gabosh. Pra, është lënë e kaluara të cilën jo vetëm që e mbajmë mend, por edhe e kemi përjetuar tërësisht anash”, ka thënë ai.
Ai tha se ne jemi dëshmitarë që Aleksandër Vuçiq ka nisur një dialog të brendshëm në Serbi për çështjen e Kosovës, po ashtu ka një nismë për ndryshimin e kushtetutës në Serbi dhe, sipas tij, ne nuk duhet të dialogojmë me Serbinë pa përfunduar ky proces.
“Nëse fillohet çfarëdo dialogu me Serbinë, atëherë nuk e dimë se me çfarë Serbie po dialogojmë. Pra, duhet të presim fundin e këtij dialogu të brendshëm”, ka thënë Kurti. Kjo, sipas tij, sepse ne nuk e dimë se çfarë mund të përgatisin ata dhe duhet ta presim përmbajtjen dhe orientimin e këtij procesi të brendshëm atje. Ai mendon se shenjat e para të këtij procesi nuk janë të mira.
Ndër të tjera Kurti ka thënë se Kosovës aktualisht nuk i duhet dialogu me Serbinë, por i duhet zhvillimi dhe drejtësia. Ai ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, kur flet për Kosovën flet sikur të ishte komandant i ushtrisë.
Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe publicisti Veton Surroi, i cili foli për detyrat që duhet t’i bëjnë Kosova e Serbia në atë që duhet të ndryshohet në dialog.
Sipas tij, negociatat janëprivatizuar në masë të madhe nga presidenti Hashim Thaçi, i cili po i përdor ato për interesa personale derisa vendi ka nevojë për një unitet politik.
“Normalizimi duhet të jetë te vetë politika. Kosova qe 7 vjet është kushtëzuar nga vetë raportet e dala nga Pakoja e Marty Ahtisaarit. Asaj i duhet të lirohet nga ajo dhe patjetër i duhet të ketë një konsensus të brendshëm pa këtë lloj konsensusi, nuk mund të ecim me këtë dialog”, ka thënë Surroi.
Sipas tij, BE-ja duhet të ndërrojë asimetrinë e saj që ka në raportin mes Kosovës e Serbisë, nuk mundet që njërit vend t’i premtojë shumë gjëra e tjetrit asgjë.
Në anën tjetër pjesëtari tjetër i debatit ishte edhe gazetari serb, Boshko Jakshiq, sipas të cilit ka pak gjasa që Serbia të ndryshojë qasjen e saj kundrejt Kosovës, por ky lloj dialogu i tanishëm është shumë gjatë me “frymëmarrje artificiale”, i cili nuk po sjell rezultate, andaj, sipas tij, është e domosdoshme të ketë një lloj marrëveshjeje të obligueshme. /Zeri//.