Temperaturat deri në 40°C, udhëtarët ankohen për mungesën e kondicionerëve në autobusë

Gazetare: Melihate Rustemi

Temperaturat e larta deri në 40 gradë e bëjnë edhe më të vështirë udhëtimin me autobus nëpër qytetin e Shkupit. Në një pjesë të autobusëve, kondicionerët nuk funksionojnë ose nuk përdoren aspak.

“Disa e lëshojnë, disa aspak. Posaçërisht ato privat nuk lëshojnë. Është shumë nxeht, është tmerr. Kot që ankohemi, nuk e lëshojnë”, tha një qytetare.

Qytetarët ankohen dhe thonë se kur autobusi ndalon nëpër stacione temperaturat brenda bëhen edhe më të padurueshme.

“Erdha tani, nuk kishte kondicioner, ja me çfarë po freskohem. Kur ndalon në stacion, është tmerr. Kur lëviz autobusi ka qarkullim ajri, erë e kështu me radhë, pastaj të dhemb koka. Disa prej tyre kanë kondicioner, për shembull ata që janë dykatësh, ndërsa të tjerët janë të gjithë kështu, tmerrësisht keq”, u ankua një qytetar.

Për një pjesë të udhëtarëve përdorimi i kondicionerëve në autobusë nuk është çështje luksi. Ata thonë se paguajnë për shërbimin e transportit dhe presin që ai të ofrohet në kushte të përshtatshme, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta.

“Disa kanë, disa jo. Aty ku nuk ka klimë është shumë vapë, aty ku ka është shumë në rregull. Sot udhëtova me 2-shin, nuk kishte kondicioner. Tani erdha me 22-shin, kishte. Tani do të shohim. Paguajmë aq sa duhet, duhet ta marrim atë që na takon”, u shpreh i revoltuar një qytetar tjetër.

Drejtuesit e autobusëve pranojnë se përdorimi i kondicionerit shkakton shpenzime më të mëdha. Disa prej tyre ankohen se autobusët janë të vjetër dhe nuk kanë kondicioner. Por, në këto temperatura, sipas njërit prej shoferëve që anketuam është e vështirë të drejtohet autobusi pa sistem ftohës.

“Harxhimet janë të mëdha, nëse e shfrytëzon tërë kohën harxhimet shkojnë deri në 45 ose 50 litra. Pa kondicioner, tani verës nuk besoj që mund ta ngasësh autobusin”, tha një shofer autobusi.

Pavarësisht temperaturave të larta, autobusët mbeten një nga mjetet më të përdorura të transportit për shumë qytetarë. /Alsat.mk

The post Temperaturat deri në 40°C, udhëtarët ankohen për mungesën e kondicionerëve në autobusë appeared first on Alsat.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme