Një muaj pas aksidentit, Arjan dhe Vilma Konomi, çifti që sëbashku me foshnjën e tyre u përplasën nga një makinë duke kaluar në vijat e bardha në “Rrugën e Kavajës” kanë lënë spitalin. Sipas News24, gjendja e tyre është më e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.
Kujtojmë se autor i aksidentit është 39-vjeçari Ajas Sulejmani. Ai u largua nga vendi i ngjarjes fill pas përplasjes, por u arrestua më vonë në një klinikë private. Suljemani justifikoi largimin duke thënë se e bëri për vajzën e tij të vogël, që ndodhej me të në momentin që ndodhi aksidenti.
Gjithashtu, në momentin që ndodhi përplasja bashkë me çiftin ishte dhe vajza e tyre 3-muajshe. Për fat të mirë vogëlushja shpëtoi mrekullisht pa lëndime serioze.
Kujtojmë se, pas aksidentit policia i ka hequr patentën për 2 vite Ajas Sulejmanit ndërsa i ka zbritur edhe 15 pikë nga leja e drejtimit. Sulejmani ishte gjobitur deri më sot plot 8 herë, për shkelje të Kodit Rrugor.
Sulejmani akuzohet për tre vepra penale: Shkaktim aksidenti me pasoja të rënda; drejtim i makinës nën efektin e lëndëve narkotike dhe largim nga vendi i aksidentit.
Ndërkohë, në gjobën që policia i ka vënë Sulejmanit, ai shprehet “Nuk jam dakord”. Pas aksidentit, policia shpjegoi edhe rrethanat e tij duke shtuar se Sulejmani mori me vete vajzën që kishte në makinë dhe u largua nga vendi i ngjarjes./GSH



