Vazhdojnë pakënaqësitë në BDI-në e Gostivarit, japin dorëheqje nga strukturat

Kanë filluar të dalin në sipërfaqe pakënaqësi të shumta në BDI-në e Gostivarit, me çka anëtarësia e kësaj partie ka filluar të largohet nga strukturat e saj.

Abdylshyqyr Abedini, profesor në gjimnazin e Gostivarit nënkryetar i nëndegës së BDI – Debresh në Gostivar, dhe Amir Elezi anëtarë i kryesisë së Këshillit Vendor kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e kësaj partie, raporton Almakos.

Më poshtë ua sjellim shkrimin e plotë të profesor Abedinit:

Të dashur miq, shok, familjar, njoftojmë opinionin se japim dorëheqje nga struktura e Këshillit Vendor BDI – Debresh, Gostivar, unë Abdylshyqyr Abedini – nënkryetar i nëndegës së BDI – Debresh dhe Amir Elezi anëtarë i kryesisë së Këshillit Vendor. Të vetëdijshëm për rolin dhe angazhimet që bashkëqytetarët i kishin përcaktuar me besimin e tyre gjatë cikleve zgjedhore si ato komunale poashtu edhe ato parlamentare, ne konsiderojmë se besimi i marrë pikërisht nga ata, nuk është dërguar në vend. Me keqardhje informojmë se gjatë gjithë kësaj periudhe asnjë takim të vetëm kjo strukturë nuk e ka organizuar për të parë dhe analizuar gjitha ato premtime që kanë qenë të premtuara prej zgjedhje në zgjedhje e që nuk i shohim të materializuar. Takimet e vetme që kanë qenë janë të kafeneve dhe vendeve larg syve të njerëzve të disa individëve që sot e kësaj dite thirrin për realizim projektesh e që në fakt kanë hallin e tyre, dhe kjo ka mjaft argumente. Sot, disa nga këta projekte s’i kemi hiç e disa prej tyre as më shumë se gjysma s’janë realizuar, dhe për këtë e din shumë mirë banorët e Debreshit dhe qytetarët e Gostivarit.
Aktin e dorëheqjes tonë e konsiderojmë të imponuar edhe nga rrethanat e përgjithshme nëpër të cilat aktualisht po kalon populli ynë në Maqedoni. Të sigurt se të gjitha dëshirat dhe angazhimet tona personale kanë qenë dhe do të mbesin të palëkundshme për jetësimin e shumë projekteve të papërfunduar kombëtare, jemi përcaktuar për një liri të denjë njerëzore, për një sistem shoqëror demokratik ku askush nuk do të ndjehet i favorizuar ose i diskriminuar në çfardo aspekti.
Prandaj, duke ju mbetur besnik parimeve tona politike dhe vlerave të moralit me këtë rast nuk mund të pajtohemi me ata të cilët në emër të ideologjive të ndryshme ose për interesat e tyre personale të luajnë rolin e të qenurit shpëtimtar, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel republikanë.
“RESPEKTO VETEN QË TË JESH I RESPEKTUAR NGA TË TJERËT”
Ju falemnderit!