Pas Arben Gashit, edhe Agim Veliu ka kërkuar zgjedhje të brendshme në LDK, shkruan Reporteri.net.
Referuar renditjes së LDK-së si parti e tretë në zgjedhjet e 7 qershorit, Veliu ka thënë se duhet të merret përgjegjësia për dështimet.
Ai ka thënë se përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin.
“Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore”, ka shkruar Veliu.
Ai ka deklauar se nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë “besimin e humbur”, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj.
“ Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre. LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj”, ka shkruar Veliu.
Postimi i plotë:
Rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, përfundimisht, nuk mund të maskohet me interpretime kreative apo të paraqitet si sukses.
Qytetarët folën qartë, ndërsa LDK-ja mbeti e betonuar në vendin e tretë, larg pritjeve që vetë lidershipi krijoi gjatë fushatës zgjedhore dhe para saj.
Për dështimin e radhës, përgjegjësia politike bie para së gjithash mbi Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin, të cilët ishin arkitektët kryesorë të këtij projekti politik, i nisur në fillim me hile.
Prandaj, kur kërkohen meritat për çdo sukses, duhet të merret edhe përgjegjësia për dështimet.
U shpërfillën paralajmërimet e veprimtarëve, aktivistëve dhe figurave të shumta të LDK-së për centralizimin e partisë, margjinalizimin e mendimit ndryshe, largimin nga baza elektorale dhe së fundmi përzgjedhjen e kandidatëve sipas shijes dhe interesave personale e grupore.
Rezultati zgjedhor dëshmoi se ato shqetësime nuk ishin të pabaza.
Lidershipi aktual duhet ta pranojë dështimin e projektit të tyre për transformimin dhe përvetësimin e partisë sepse e morën përgjigjen nga elektorati.
LDK-ja ka nevojë për më shumë se reflektim formal. Ka nevojë për përgjegjësi konkrete.
Prandaj, është momenti i fundit të niset një proces zgjedhor i rregullt dhe transparent, duke hapur rrugë për figura politike që janë të dëshmuara, që gëzojnë mbështetje të gjerë dhe që interesin e partisë e vendosin mbi interesat personale apo grupore.
Një parti serioze nuk ringrihet duke festuar humbjet si fitore morale. Ajo ringrihet duke analizuar gabimet, duke rikthyer demokracinë e brendshme dhe duke vendosur standarde të qarta të llogaridhënies.
Nëse LDK-ja dëshiron të rikthejë besimin e humbur, ndryshimi duhet të fillojë nga maja e saj. Sepse partitë nuk dobësohen nga humbjet zgjedhore, por nga refuzimi për të nxjerrë mësime prej tyre.
LDK duhet t’i kthehet LDK-së dhe LDK-istëve të saj.
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!



