Pas një hetimi disa mujor dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion në Prishtinë dhe në fshatin Babush të Ferizajt, ku janë sekuestruar rreth 60 kilogramë marihuanë dhe janë arrestuar katër persona të dyshuar.
Lidhur me rastin janë arrestuar katër persona të dyshuar, prej të cilëve një shtetas i Republikës së Kosovës, dy shtetas të Republikës së Serbisë dhe një shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, dy vetura dhe një kamion.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftimin ndaj kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim. / RTK.




