Kanë mbërritur mesditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Korçës tre të akuzuarit, tashmë të arrestuar, për vrasjes e Martin Çeços, ngjarje e ndodhur disa ditë më parë.
Ndaj të arrestuarve rëndon akuza e ‘vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim’, ndërsa në redaksinë e Gazeta Shqiptare kanë ardhur pamjet e momentit kur ata qendrojnë në sallën e gjyqit për tu njohur me masën e sigurisë ndaj tyre, ndërsa dy prej tyre qëndron me kokën ulur gjithë kohën.
Në seancën e sotme gjyqësore, trupa gjykuese përbëhet nga gjyqtar Besnik Shehu, ndërsa prokurori i çështjes është Oli Visi.
Si ndodhi ngjarja?
Martin Çeço, 26-vjeçari që u gjet i pajetë katër ditë më parë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq rezulton se është vrarë. Tre persona e kanë mbytur me litar dhe më pas e kanë hedhur trupin në rezervuar.
Prej datës 12 qershor Çeço nuk ishte kthyer në shtëpi, ndërsa pas tre ditësh, pra më datë 15 qershor babai ka bërë denoncimin për zhdukjen e të birit.
Autoritetet kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë dy ditë më parë, ndërsa pas ekspertizës mjekoligjore është konstatuar se Çeço kishte shenja në fyt.
Në pranga për këtë ngjarje kanë rënë Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj, ku dy të fundit janë kushërinj. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim.
Autorët e dyshuar e kanë marrë Çeçon dhe e kanë çuar në rezervuar, ku më pas e kanë vrarë me litar dhe e hodhën trupin në ujë për ta inskenuar si vetëvrasje.
Shkak i vrasjes dyshohet se është konflikti për të dashurën e Martinit, e cila mësohet se është e mitur. Para se të lidhej me Martin Çeçon vajza ka pasur një lidhje me Bleti Angjon, njërin prej vrasësve.
Ajo ka treguar gjithçka dhe ka zbardhur ngjarjen. Autorët e kanë vrarë të riun, e kanë hedhur në rezervuar dhe shapkat e tij i kishin lënë jashtë për të bërë që të dukej si vetëvrasje.




