Vlera Lekaj: Gurët në tëmth, llojet dhe mënyrat e trajtimit

Voltiza Duro – Gurët në tëmth janë një problematikë e ndeshur shpesh nga mjekët specialist. Por pse krijohen këta gurë dhe cilët janë faktorët e riskut? Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në Gazeta Shqiptare, mjekja patologe Vlera Lekaj tregon se ka disa kategori që janë më të riskuar nga kjo patologji, ndër ta dhe personat që kanë një jetë sedentare. Mjekja shton se përgjithësisht është një sëmundje asimptomatike, por nëse shfaq shenja atëherë do të kishim atë që quhet kolika biliare. Ndryshimi i stilit të jetesës, mosshtimi në peshë dhe aktiviteti fizik mund t’iu mbajnë larg kësaj sëmundjeje.
Çfarë është kalkuoza biliare?
Kalkuloza biliare ështe një patologji shumë e shpeshtë, e cila konsiston në prezencën e gurëve në kolecistë ose në nivel të rrugëve biliare.Si shume patologji të tjera edhe kalkuloza biliare ka disa faktorë rrisku të cilët janë: mosha e madhe, seksi femër, gjenetika , numri i shtatzënive, hipertrigliceridemia, jeta sedentare etj.
Sa lloje gurësh të tillë ka?
Në praktikën klinike njihen 2 lloje gurësh që shkaktojnë kalkulozë, gurët kolesterinik dhe gurët pigmentarë. Gurët kolesterinik përbëjnë dhe 85% të gurëve që prekin kolecistën dhe në thelb të formimit të tyre qëndron një disekuilibër mes komponentëve të bilës,kolesterolit dhe acideve biliare.Procesi i formimit të gurëve kolesterinik nis në qelizën hepatike, aty sekretohet një bilë e saturuar(e ngopur) në kolesterol, si pasojë formohen kristale të shumtë të kolesterolit, të cilët më pas i nënshtrohen procesit të agregimit ose të grumbullimit së bashku duke formuar një masë të vetme në formën e gurëve kolesterinik. Gurët pigmentarë, janë në 2 ngjyra, të zinj si pasojë e hemolizave(process i shkatërrimit të qelizave nga sëmundje të ndryshme) që mund të ndodhin ose ngjyrë kafe si pasojë e infeksioneve kronike, sëmundjeve të heparit.
Cilat janë simptomat e kësaj patologjie?
Përgjithësisht është një sëmundje asimptomatike, por nëse shfaq shenja të saj atëherë do të kishim atë që quhet kolika biliare.Kolika biliare është një dhimbje e fortë e përqëndruar në stomak, e cila përfshin të gjithë anën e djathtë të barkut, si dhe përhapet mbrapa në nivel të shpatullave. Është një dhimbje, e cila zgjat deri në 30 min dhe mund të shoqërohet me nausea dhe të vjella. Dhimbja në këtë rast shfaqet si pasojë e obstruksionit(bllokimit) të duktuseve(kanaleve) që shkakton guri duke shakatuar kështu një gjëndje inflamatore akute apo kronike e shoqëruar me simptomat e mësipërme.
Mund të na i shpjegoni komplikacionet e kalkulozës biliare?
Si patologji mund të ketë komplikacione, të cilat mund të jenë edhe të rënda, si ikter(zverdhja e mukozave dhe lëkurës), pankreatiti ose ndryshe inflamacion i pankreasit etj. Patologji të tilla, me formim të gurëve mund të prekin dhe rrugët biliare, koledokun duke dhënë kështu klinikën e një koledokolitiaze me pozicionimin e gurëve në nivel të koledokut.
Si bëhet ekzaminimi dhe trajtimi i gurëve në kolecistë?
Shqetësimet që shfaqin patologjitë e kolecistët janë gjithmonë për t’u marrë në konsideratë, dhe, nëse keni një simptomë të mundshme, si: psh një dhimbje në stomak e paqartë, çrregullime me tretjen, ndjesi nauzeje apo të vjella që zgjasin në kohë, atëherë duhet patjetër të konsultoheni nga ana mjekësore. Diagnoza e kësaj patolgjie vendoset me ekzaminime imazherike dhe plotësohet me analiza. Trajtimi varet nga specifikat e kësaj sëmundje tek secili pacient, nga shenjat klinike dhe mund të jetë me medikamente por në pjesën më të madhe të rasteve zgjidhja përfundimtare është interventi, i cili me modernizimin e procedurave realizohet me metodën laparoskopike, e cila eviton ndërhyrjen kirurgjikale të hapur.
A luan rol stili i jetësës në këtë patologji?
Sigurisht që duke patur parasysh se është një patologji, e cila ka disa faktorë rrisku të caktuar, atëherë mund të sugjerohen disa ndryshime në stilin e jetesës, të cilat duhet të merren parasysh. Fillimisht duhet të ruajmë një peshë normale. Problematika qëndron të mos shtojmë shumë në peshë në mënyrë që të mos riskohemi nga kjo patologji. Por nga ana tjetër duhet të kemi kujdes dhe nga humbja e peshës në mënyrë të shpejtë, sepse na ekspozon ndaj rrezikut të zhvillimit të kësaj sëmundje. Aktiviteti fizik i përditshëm, gjithashtu, na ndihmon të mos kemi një jetë sedentare, e cila mund të jetë një shkak për shumë sëmundje jo vetëm për kalkulozën biliare. Vaktet duhet t’i respektojmë dhe duhet të mundohemi që ushqimi ynë të jetë i pasur me fibra dhe i varfër në yndyra. Duhet të hajmë ngadalë duke u përtypur mirë dhe mbi të gjitha të mos i anashkalojmë vaktet. Këto janë disa nga rekomandimet kryesore që duhet të resektojmë për të mos u riskuar nga kalkuloza biliare, por sigurisht dhe nga sëmundje të tjera.


më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme