VMRO dhe BDI këto ndërmarrje të falimentuara

OPINION nga :Selim ILJAZI

 

Këto parti politike që kanë devijuar shënjestrën që në fillimet e tyre në pushtet, kanë punua për interesat e veta dhe jo për të ardhmen e vendit dhe për shqiptarët, janë kthyer plotësisht në një ndërmarrje biznesi. BDI-ja nuk u bë kurrë promotore e sfidave për të drejta të barabarta dhe demokratike. Nuk mund të kesh durim të dëgjosh avazin e politikanëve të BDI-së, që me sjelljet dhe qëndrimet e pritshmërisë së qytetarëve me prononcimet dyfytyrëshe, po ndotin çdo ditë e më shumë kërkesat e tyre.

Këta qytetarë që presin ndryshime, kërkojnë nga politika e ardhshme në mënyrë emergjente një gjyqësor, që të vërë në “pranga” korrupsionin dhe diabolizmin politik, kur në fakt qytetarët kanë marrë si përgjigje prej saj, mashtrimin dhe hipokrizinë e radhës. Me këto marrëzi, politika e VMRO-së dhe BDI-së e ka kthyer vendin në një moçalishte, ku po mban peng jo vetëm integrimin, por ka bërë që integriteti, morali dhe besueshmëria e njerëzve, të bjerë në kufijtë e ekzistencës së kësaj shoqërie të traumatizuar nga politika. Faktorët që kanë dominuar këtë politikë, e cila e ka kthyer vendin në një moçal që po na fundos çdo ditë, janë të shumtë.

Por disa prej tyre është mirë t’ia kujtojmë. 1- Politika e BDI-së është shmangur tërësisht nga misioni që ka marrë përpara qytetarëve, të cilin nuk e ka justifikuar dhe përfaqësuesit e saj nuk meritojnë të jenë në drejtimin e këtij shteti. 2- Mungesa e vullnetit politik për të gjetur konsensusin e munguar prej vitesh, për çdo problem jetik që lidhet me respektimin e marrëveshjeve në interes të vendit. 3- Mos dëgjimin e zërit qytetar dhe mos respektimin e ndërkombëtarëve për ndihmën e pakursyer të tyre. 4- Mungesa e strukturës politike dhe filozofisë pragmatiste për zhvillim të vendit, etj, etj. Definicioni i kësaj klase politike nuk ka qenë kurrë konsolidimi i të drejtave të barabarta dhe demokratike në vend, por autokracia, e cila spostoi të gjithë vëmendjen nga paktet sociale me qytetarët, duke u zëvendësuar me interesat e ngushta të tyre, e ato klanore e familjare.

Praktikat e gabuara të ndjekura në vite, nuk kanë lejuar ndërtimin, reformimin dhe formalizimin e sistemit i cili degradoi që në fillim. Kjo patologji politike bëri të mundur rënien e autoritetit të pushtetit, tkurrjen e parametrave të demokracisë, ku për pasojë, u krijuan përçarje sociale, mos bindje civile, si dhe trajtimin e njerëzve në të mirë dhe të lig (keq), duke krijuar herë pas here situata për destabilizim politik. Zhgënjimi çdo ditë e më shumë, i qytetarëve nga sjelljet dhe qëndrimet e papërgjegjshme të VMRO-BDI-së, dhe me të drejtë qytetarët, të lodhur dhe rraskapitur nga kjo politikë e falimentuar pyesin: Kush janë këta politikanë që kanë shpërdoruar besimin e qytetarëve, vetëm për të ndërtuar një ndërmarje biznesi? Kush janë këta politikanë që me gjuhën e helmuar satanike, fyejnë dhe shantazhojnë këdo që nuk është dakord me politikat e tyre? Kush janë këta politikanë, që nuk dëgjojnë zërin e arsyes qytetare, por vetëm atë të interesave të ngushta partiake e personale? Kjo klimë që vazhdon të tensionojë marrëdhëniet ndër-etnike ndër-partiake dhe ato publike, po ushqejnë egoizmin, urrejtjen mllefet, duke e mbuluar këtë politikë me turp, të cilin me sa duket e ka ngrënë me bukë dhe nuk do të dijë se çfarë kërkojnë qytetarët. Kështu kjo politikëbërje, e zhytur në moçal, nuk përbën transparencë, nuk ka ide, vizion e personalitet, por vetëm agresivitet, mashtrim, hipokrizi e dyfytyrësi si pjesë e moralit të saj. Selim Iljazi

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme