Shtatë Kongresmenë në SHBA i kanë dërguar një letër Presidentit Joe Biden ku i bëjnë thirrje të ndërhyjë për situatën politike dhe korrupsionin e lartë në Serbi.
Kongresmenët nënvizojnë se mediat pranë qeverisë kanë marrëdhënie të ndërsjellë duke i shërbyer pushtetit dhe përfituar financiarisht nga ana tjetër.
Në letër përmendet fakti se televizioni i madh privat në Serbi, Pink TV gjatë viteve 2014-2016 ka marrë të paktën 7 milionë euro hua nga qeveria dhe ky televizion e ka favorizuar dukshëm Vuçiç gjatë fushatës zgjedhore.
Kjo situatë, thonë kongresmenët, dëmton normat e demokracisë, u mbyll gojën kritikëve dhe fuqizon personat e korruptuar.
Për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që Serbia pritet të mbajë në pranverë, ligjvënësit amerikanë i kërkojnë Biden që të sigurohet që procesi të jetë i lirë dhe i ndershme përfshirë fushatën dhe procesin e votimit.
“Për të pasur një të ardhme më optimiste, ne besojmë se veprime të mëtejshme diplomatike nga SHBA dhe aleatët Evropian, është vendimtare për të garantuar se Serbia mund të jetë efektive në zbatimin e reformave demokratike. Kjo do të sjellë përmirësim të marrëdhënieve mes shteteve në Ballkanin Perëndimor përfshirë Kosovën”, shprehen kongresmenët.





