I ftuar në intervistën Saktë këtë javë është shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Zenun Pajaziti.
Pajaziti ka folur lidhur me tema të ndryshme politike, demarkacionin, gjykatën speciale, përgjimet, gatishmërinë e PDK – së për të shkuar në zgjedhje, reformimin e kësaj partie, etj.
“Podgorica ishte e qetë. Kishte deklarata politike të matura, qoftë me mundësinë e rishikimit apo të kalimit në institucionin ndërkombëtar të drejtësisë, ndërsa Prishtina gati digjej” , ka thënë Zenun Pajaziti i pyetur lidhur me temën e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi, duke shtuar se askush nuk e konteston se tokat në kufirin me Malin e Zi janë shqiptare.
Deputeti Pajaziti i cili ka qenë edhe ish ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme ka folur edhe lidhur me përgjimet e pararendësit të tij në postin e shefit të grupit parlamentar të PDK – së, Adem Grabovci. Ai ka thënë se çfarë do të ndodhte nëse do të publikoheshin biseda të figurave të ndryshme publike pasi që përgjime realizohen në çdo kohë për raste të ndryshme nga organet përkatëse.
“Z. Grabovci i është dërguar në derë të shtëpisë një CD e tillë. Do të thotë ka pasur përtej asaj që i kemi parë e dëgjuar dhe për këto gjëra duhet të merret drejtësia”, ka thënë Zenun Pajaziti
Intervista Saktë me autor Xhevdet Pozhari realizohet nga portali Sakte.net dhe televizioni First Channel dhe transmetohet në të dy mediat çdo të premte në ora 22:15./Sakte.net