Ekziston një prirje fatkeqe mes analistëve dhe gazetarëve amerikanë për të supozuar se gjithçka rrotullohet rreth politikës së SHBA-së. Shqipëria është vetëm rasti më i fundit.
“Washington Examiner”, shkruan se Kushner ishte vetëm një nga shumë shkëndijat që ndezën protestat. Alex Soros, i cili është afruar me kryeministrin shqiptar Edi Rama për të fituar miratimin për zhvillime të ngjashme, ishte një tjetër. Po ashtu edhe përndjekja që Rama i bën pakicës greke të Shqipërisë, e cila banon në Rivierën Shqiptare. Më 12 maj 2023, për shembull, policia e Ramës arrestoi Fredi Belerin, një kandidat me origjinë greke për postin e kryebashkiakut të Himarës. Akuza? Ai kishte keqshpenzuar rreth 100 dollarë gjatë fushatës së tij. Shqiptarët e kuptuan farsën — Rama donte që njerëzit e tij të fitonin për të përfunduar marrëveshjet e veta për pasuri të paluajtshme. Në atë kontekst, zhvillimi i Kushnerit ishte simptoma, por jo shkaku.
Shqipëria, natyrisht, nuk është komuniste dhe, po të pyesësh Departamentin e Shtetit, është një demokraci e lulëzuar. Por kjo nuk është ajo që thonë shqiptarët. Kur Perdja e Hekurt u shemb, shqiptarët e përqafuan demokracinë me entuziazëm. Shqipëria u bë vendi më proamerikan në Evropë, në mos në mbarë botën.
Nuk bëhej kurrë fjalë për qeverisje të pastër. Ndërsa SPAK-u shënjestronte këdo që i bënte Ramës pyetje të vështira, Rama dyfishoi angazhimin e tij si në skemat e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe në pastrimin e dukshëm të parave me kartelet e drogës. Këtu, mekanizmi ishte vendimi i tij për të legalizuar kultivimin e marijuanës. Sapo fushat me marijuanë filluan të lulëzonin, po ashtu lulëzuan edhe trafiku i kokainës nga Amerika Latine dhe Afrika Perëndimore, si dhe trafiku i opiumit nga Afganistani dhe Turqia. Roja bregdetare italiane kap rregullisht dërgesa kokaine drejt Shqipërisë; ironikisht, roja bregdetare e Ramës nuk e bën.
Ndërkohë, Rama ndoqi hapur rrugën e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan. Nuk ishte një rastësi e thjeshtë: një ish-ndihmës i Ramës, i cili ndodhej në dhomë kur të dy liderët u takuan, tha se Erdoğan i dha Ramës një kurs të përshpejtuar se si të shkatërronte një sistem demokratik duke shënjestruar kundërshtarët dhe duke kultivuar diplomatët amerikanë. Erdoğan e konsolidoi pushtetin duke marrë nën kontroll autoritetin e kontrollit tatimor, që ishte ekuivalenti turk i SPAK-ut. Ai i bëri ish-diplomatët dhe atashetë amerikanë partnerë biznesi ose, të paktën, u dha donacione për t’i mbështetur në rolet e tyre të reja në institute kërkimore (think tanks). Rama duket se bën të njëjtën gjë. Rama, ashtu si Erdoğan, shpërndan favore në formën e koncesioneve të pasurive të paluajtshme dhe projekteve zhvillimore.
Departamenti i Shtetit e kupton gabimin e tij; ai e ka hequr në heshtje Berishën nga lista e zezë e vizave, duke pranuar në thelb se akuzat kundër tij ishin politike dhe jo thelbësore.
Kritikët e Trumpit e përshkruajnë atë si anti-Mbretin Midas, ku gjithçka që prek shndërrohet në plumb.
Megjithatë, për sa i përket politikës së jashtme, vetë sindroma e tyre e çrregullimit ndaj Trumpit (Trump derangement syndrome) mund të jetë po aq shkatërruese.
Në rastin e Shqipërisë, dëshira për t’u përqendruar te Kushneri i verbon politikanët ndaj çështjeve më të thella, që përfshijnë përvetësimin e burimeve amerikane, rritjen e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës nën regjimin e Ramës, si dhe pyetjet mbi përgjegjësinë e disa ish-ambasadorëve amerikanë që u rreshtuan plotësisht në krah të Ramës.



