I vrari në kazinon e Lipjanit pas disa viteve po priste të bëhej baba për herë të parë

Një person i moshës 32-vjeçare mbrëmë  është vrarë në vendin e tij të punës, në një kazino në hyrje të qytetit të Lipjanit. Policia e Kosovës ka thënë se dyshohet se bëhet fjalë për një grabitje me armë, ku edhe e pësoi Florent Ahmetaj nga Rezalla e Skenderajt. Periskopi ka mësuar detaje shtesë rreth viktimës.

Burime të afërta me familjen e të vrarit bëjnë të ditur se ai pas pesë viteve martesë, tash ishte duke pritur që të bëhet baba për herë të parë.

Periskopi mëson se viktima kishte kohë që  punonte në kazinon e dajës së tij.

Mësohet se grabitësi ishte futur në objektin e lojërave të fatit, ku pas grabitjes së pazarit ditor që kishte marrë nga viktima, të njëjtin e ka qëlluar me armë zjarri duke e vrarë në vend.

Policia e ka cilësuar rastin si vrasje të dhunshme, ndërsa personi i dyshuar ndodhet në arrati.

Komandanti i Stacionit policor në Lipjan, kapiten Driton Imeri kishte thënë se viktima  nuk ishte lajmëruar në telefon fillimisht. Pastaj, dhunshëm njësitet policore janë futur brenda lokalit dhe mbrapa shankut të lokalit e kanë gjetur viktimën.

“Punëtori që ka qenë duke punuar në këtë lokal nuk është lajmëruar në telefon. Policia ka ardhur në vendngjarje për 3 minuta dhe ka parë që dera ka qenë e mbyllur. Njësitet policore e kanë hapur derën me forcë dhe mbrapa shankut e kanë gjetur një person pa shenja jete. Janë thirrur menjëherë të gjitha njësitet relevante. Personi që ka humbur jetën është rreth 30 vjeçar”, ka thënë Imeri.

Kjo është vrasja e dytë Brenda një jave në Kosovë në ambientet e kazioneve. Të dielen e javës së kaluar, një 35-vjeçar ishte qëlluar për vdekje me armë teksa po mbante ndërrimin e punës në një kazino në Suharekë. Policia nga hetimet e para kishte njoftuar se i dyshuar për këtë rast është një zyrtar policor, të cilit i janë caktuar edhe 1 muaj paraburgim.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë kërkesë që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme dhe Kuvendi të shpallë të jashtëligjshme të gjitha kazinot dhe lojërat e fatit.

‘’Kuvendi i Kosovës duhet urgjent të shpall të jashtëligjshme të gjitha kazinot dhe lojërat e fatit.

Kuvendi duhet të hedh poshtë edhe iniciativën e Qeverisë që parasheh zhvillimin e lojërave të fatit e kazinove, si mundësi për punësim e të ardhura dhe zhvillim ekonomik.’’, ka thënë Avdullah Hoti.

Na anën tjetër, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar se së shpejti do të nis një peticion për shfuqizimin e Ligjit për Lojërat e Fatit.

Ndërsa, këtë nismë e ka mbështetur kryetari i i Rahovecit, Smajl Latifi.

“Në përkrahje të plotë të iniciativës së kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj për peticionin rreth shfuqizimit të Ligjit për Lojërat e Fatit! Këtë peticion së shpejti do ta sjellim edhe në Rahovec, ku pres që ta nënshkruajmë të gjithë qytetarët së bashku. Mbyllja e këtyre lokaleve është e domosdoshme për ekonominë, sigurinë dhe të ardhmen tonë! Le të punojmë bashkë që në të ardhmen të mos kemi raste të vrasjeve, shkatërrimit të ekonomive e familjeve tona”, ka shkruar ai.

Edhe Lipjani i është bashkuar Suharekës për këtë peticion.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme