Biografia e Martti Ahtisaarit: Të pathënat për Kosovën

Sërish dhe për të fundit herë, Kosova dhe Ahtisaari u takuan në vitet 2006-2008. Dy vitet e negociatave që quan në pavarësi, Ahtisaari i kujton si të vështira por asnjëherë në mëdyshje për epilogun final që sipas tij duhej të ishte pavarësia.

 

Martti Ahtisaari vlerësohet për shumë të arritura gjatë karrierës së gjatë diplomatike e politike të cilën e filloi në vitin e largët 1960. Finlandezët e kujtojnë si diplomatin trupmadh që u bë Presidenti i dashur i tyre krejt papritur dhe e udhëhoqi vendin në rrugën pro perëndimore. Shumë rajone të varfra ish koloniale të Afrikës, e veçmas Namibia e kujtojnë për rolin historik në zgjidhjen paqësore të shumë konflikteve. Indonezia ka ende nostalgji për ndërmjetësimin në zgjidhjen e krizës së Aceh ndërmjet rebelëve dhe qeverisë së këtij vendi. Në Ballkan, ai u rikthye disa herë në njëzetë vitet e fundit për tu marrë e rimarrë me krizën që shpërtheu pas shkatërrimit të Jugosllavisë. Për rastin e Kosovës, Ahtisaari ishte çdo herë i preferuari i amerikanëve, i rusëve dhe i OKB-së qysh në kulmin e luftës në vitin 1999. Përgjatë karrierës disa dekadëshe, Ahtisaari ndoqi bindjet e tij për një botë të lirë, për popuj që realizojnë të drejtat e tyre politike dhe për shtete që zhvillohen në demokraci. Me po të njëjtat vlera e botëkuptime intelektuale, Ahtisaari iu qas edhe çështjes së Kosovës në dekadën e kaluar kur udhëhoqi negociatat dhe propozoi planin për pavarësi të mbikëqyrur. Ai na zbulon një marrëdhënie të panjohur me Kosovën nëpërmes biografisë së tij të fundit “The Mediator” (Ndërmjetësi) të shkruar nga dy gazetarët finlandez, Katri Merikallio dhe Tapani Ruokanen.

Në këtë libër, Ahtisaari si fëmijë ka një fat tragjik të ngjashëm deri diku edhe me fatin e Kosovës. I ndjeshëm për krizat kudo në botë, Martti, si pesë vjeçar e kishte përjetuar të qenit refugjatë duke u detyruar të largohet nga shtëpia menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Shpërnguljet e nxitura nga rusët prej njërit vend në tjetrën, duket se kanë lënë shumë gjurmë të thella në jetën e Ahtissarit teksa e kishte vizituar menjëherë pas luftës edhe kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë ku në vitin 1999 ishte ngritur kampi i Bllacës. Ai u kishte thënë bashkëpunëtorëve të afërt se këto ngjarje i ka të freskëta dhe i kujton njëjtë sikurse i kishte përjetuar personalisht para gjysmë shekulli.

Martti Ahtisaari e ndërtoi përvojën e gjatë diplomatike jashtë Evropës, duke nisur misionin si 23 vjeçar në Pakistan, pastaj në Tanzani, Namibi dhe disa rajone konfliktesh nëpër botë. Ai u kthye në Finlandë në fillim të viteve 1990 kur bota kishte filluar së ndryshuari dhe nuk dihej kur dhe si do të përfundonte. Ballkani sapo kishte hyrë në një fazë të re dhe të panjohur që qoi në shkatërrimin e Jugosllavisë. Për disa vite, Ahtisaari u shkëput nga angazhimet ndërkombëtare për t’iu përkushtuar thellësisht Finlandës pa e ditur se në çfarë roli dhe kapaciteti. Kohët e reja kërkonin një president të ri, që nuk vinte nga klasa e vjetër politike dhe kishte përvojën ndërkombëtare për ta udhëhequr Finlandën në një rend të ri botëror. Që nga  viti 1994, Ahtisaari si President tregoi zgjuarsi duke ecur bashkë me Finlandën sigurt drejt BE-së dhe në forcimin e mëtejshëm të raporteve me NATO-së. Ai përfitoi nga dobësia e Rusisë por njëkohësisht ishte nga të rrallët që e njihte edhe shumë mirë atë. Ahtisaari e kishte të qartë se Evropa e pas Luftës së Ftohtë duhej të zhvillohet në një zonë të sigurisë ku asnjëri nuk do ta kërcënoj tjetrin dhe askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar. Përvoja në ecjen e kujdesshme mes Perëndimit dhe Rusisë, pa e rrezikuar asnjëherë Finlandën, i siguroi Ahtisaarit një tjetër angazhim më 5 maj 1999 nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Strobe Talbott. Ai i kërkoi të udhëtonte drejt Beogradit për ta takuar Presidentin Millosheviq, si diplomati i duhur që mund ta bindte presidentin serb të hiqte dorë. Jo vetëm që ndërmori misionin e vështirë drejt Serbisë në kulmin e sulmeve ajrore dhe krimeve në Kosovë, por Ahtisaari në libër shprehet qartë se çështja e Kosovës duhej të merrte fund në qershor të vitit 1999 pasi Serbia kishte humbur të drejtën për të qeverisur me Kosovën.

Sërish dhe për të fundit herë, Kosova dhe Ahtisaari u takuan në vitet 2006-2008. Dy vitet e negociatave që quan në pavarësi, Ahtisaari i kujton si të vështira por asnjëherë në mëdyshje për epilogun final që sipas tij duhej të ishte pavarësia. Në bisedën me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan për ta marrë detyrën e kryengociatorit, Ahtisaari e kishte propozuar austriakun Albert Rohan si numrin dy me të cilin njihej prej kohës kur ishin angazhuar për raportet BE-Turqi. “E dija qysh nga fillimi se rezultati është pavarësia. Nuk kishte asnjë pikëpyetje për të. Edhe ai më pyeti nëse isha në faqen e njëjtë për pavarësinë e Kosovës” kujton Ahtisaari bisedën me Rohan. Të padëgjuara deri më tani, janë takimet e Ahtisaarit në Beograd me Kryeministrin e atëhershëm, Vojisllav Koshtunica për ti prezantuar propozimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur dhe kundërshtimet e tij. “Ju e keni humbur Kosovën. Tani duhet të kujdesemi si ta pastrojmë këtë fëlliqësirë që ka lënë Millosheviqi mbrapa”, i kishte thënë Ahtisaari teksa takimi kishte përfunduar keq dhe pa shtrëngim duarsh. Por në Kosovë kishte ndodhur e kundërta dhe propozimi ishte mirëpritur.

Libri zbulon pjesën e krenarisë të Ahtisaarit për Kosovën kur me 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës ishte mbledhur për ta shpallur pavarësinë. Eva dhe Martti ishin në shtëpinë e tyre në Hoolo kur e kishin dëgjuar emrin e  Ahtisaarit të ishte përmendur tetë herë. “Mbrëmje e qetë dhe një disponim të mirë. Po merrnim qindra mesazhe të mrekullueshme dhe të dashura nga Kosova. Ne po shikonim në televizion atmosferën atje” kujton Ahtisaari pasditen e 17 Shkurtit. Megjithëse ishte i bindur se akti do të shkaktonte shumë reagime dhe një rrugë të gjatë përpara. Deri në vjeshtë të vitit 2008, Kosova u njoh vetëm nga 22 shtete anëtare të BE-së. “Nuk e prisja që BE-ja të ndahej në procesin e njohjes së Kosovës. Sidomos nuk e prisja nga Spanja” thotë Ahtisaari.

Një vit më vonë, ai u shpërblye nga bota duke fituar çmimin Nobel për Paqe. Ishte në shtëpinë e tij kur e pranoi lajmin dhe telefonatat me urime nuk pushonin. Përgëzimet e krejt botës ishin për njeriun që i solli çmimin e dytë Finlandës pas 63 vitesh. Mes të tjerave, në arsyetimin e Komitetit të Nobelit ishte përmendur edhe roli i tij ndërmjetësues me Kosovën dhe propozimi gjithëpërfshirës. Në konferencën e parë pas lajmit për Nobelin, ai u tha reporterëve se ndjehet i lumtur që vetëm një ditë më herët Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë njohur Kosovën. “Të shpresojmë që kjo të shërbej si shembull edhe për shtetet e tjera” deklaroi Ahtisaari. Janë vetëm disa episode në këtë libër që Ahtisaari zbulon të pathënat e deritanishme të tij në raport me Kosovën, i cili është edhe shqyrtimi i këtij shkrimi dhe jo libri si tërësi. Biografia e Martti Ahtisaarit The Mediator, nuk është vetëm një libër i zakonshëm. Ai është edhe një dokument historik për Kosovën dhe shumë procese tjera që ndërlidhen drejtpërdrejt me këtë njeri, i cili ka jetuar kohën më dramatike të njerëzimit në Shekullin XX. Një jetë e tërë që përkon edhe me kohën e ngritjes së Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme