Është poshtërsi, zonja Mogherini!

Ju lutem, në ditën kur filloni mini-turneun ballkanik, mos përtoni ta lexoni këtë letër të shkruar për ju, prej njërit nga qytetarët e shtetit të vetëm të izoluar e të getoizuar në Evropë – Kosovës së vogël

E NDERUAR zonja Mogherini, mirë se vini në Kosovë!

E lexova deklaratën që e keni dhënë para se të niseshit në atë që organizata juaj e çmuar e ka quajtur mini-turne ballkanik.

Ju paskëshit thënë:

“Për Bashkimin Evropian, puna me Ballkanin Perëndimor, rajon ky në zemër të Evropës, është prioritet kyç. Unë punoj që ta shoh secilin nga partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor se si ecën përpara me reformat drejt Bashkimit Evropian, në mënyrë që të sigurohemi se ky proces është i pakthyeshëm. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në këtë kontekst mbesin qenësore”.

Krejt sinqerisht, më bëri bukur shumë përshtypje. Keni thënë aq shumë gjëra domethënëse e me rëndësi me vetëm dy fjali.

Ju falënderoj shumë – dhe besoj se një falënderim të këtillë të madh do t’jua bëjë edhe secili lider politik që do ta takoni të shtunën në Kosovë, e guxoj të besoj edhe secili qytetar i Kosovës – pra, ju falënderoj tepër për interesimin për reformat drejt BE-së. Është rruga e vetme që besoj ende mbetet për t’u ndjekur në mënyrë që të nxitet zhvillimi dhe përparimi edhe i Kosovës, edhe i vendeve të saj fqinje. Me këtë bashkë, është thellësisht e rëndësishme edhe ajo që nënvizoni, se ju dëshironi të siguroheni se ky proces është i pakthyeshëm për ne. Ashtu duhet të jetë.

Për Kosovën, ose së paku për Kosovën dhe për Shqipërinë, s’ka rrugë të dytë. Drejtimi është Bashkimi Evropian, drejtimi është Perëndimi.

Krejt e qartë deri këtu, se këtë besoj e dimë të gjithë, e keni dëgjuar të stërpërsëritur nga liderët tanë si në formë të asaj vjershës që e mësojnë fëmijët dhe pastaj prindërit i detyrojnë ta përsërisin sa herë duan t’i impresionojnë mysafirët e nderuar.

Por, ka edhe diçka tjetër, siç e thashë, me tepër rëndësi, të cilën e keni thënë në dy fjali, zonja Mogherini.

E keni përmendur zemrën. Ne, kosovarëve, na ngrohet zemra, kur dikush nga Evropa na cilëson si zemër. Vërtet, na e keni bërë qejfin. Edhe për faktin se e keni thënë një të vërtetë të pamohueshme. Ne jemi në zemër të Evropës. Kosova është në zemër të Evropës.

Sakaq, ja që si të gjitha punët që kanë të bëjnë me zemrën, edhe kjo fjali juaja trazon zemra. Besoj se do të duhej ta dini, por gjithashtu besoj se s’e keni shumë për qejf t’ia pranoni as vetes.

Ka të bëjë me atë që pres se do t’jua thonë edhe liderët tanë politikë, të shtunën, kur t’i takoni, mirëpo dyshoj se do të jenë aq të drejtpërdrejtë sa do të duhej me ju.

E nëse ata nuk e thonë drejtpërdrejt, më ndjeni, por do të përpiqem t’jua them unë këtu.

Zonja Mogherini, është një poshtërsi. Kërkoj falje, pra. E di që ju keni ardhur rishtas në postin që keni në BE, e di që personalisht do të mundë ta trajtonit ndryshe, por ja që kjo nuk e ndryshon faktin se bëhet fjalë për një – poshtërsi.

Është poshtërsi kur një komisar i BE-së e përmend Kosovën si zemër të Evropës.

Pse?

Se kjo Kosovë, mu në zemër të Evropës, është sot vendi i vetëm i izoluar në Evropë. Lënda e anatomisë do të na mësonte se një trup nuk do të mundë të mbijetonte në qoftë se do ta kishte zemrën e izoluar, por burokratët e Brukselit me Kosovën duket se duan ta sfidojnë këtë ligj të natyrës.

Vetë 28 shtetet anëtare të BE-së kanë rreth 510 milionë banorë, kurse shtetet brenda kufijve gjeografikë të Evropës numërojnë sot rreth 750 milionë. Ju keni gjetur t’i izoloni më pak se 2 milionë kosovarë?!

Është poshtërsi!

Dhe, natyrisht, si kosovar, nuk e them këtë për t’u ankuar, ose për t’u mëshiruar nga BE-ja. Absolutisht jo. Larg qoftë! Do të ishte poshtërsi prej meje nëse do të kërkoja diçka nga BE-ja, e cila nuk na takon, ashtu siç u ka takuar edhe shteteve të tjera që sot gëzojnë lëvizjen e lirë me bekimin e Brukselit.

Por, është poshtërsi për shkak se ne Brukseli na ka dhënë një udhërrëfyes se si do të duhej ta arrinim liberalizimin. Madje, Kosovës i është dhënë udhërrëfyesi me më së shumti kritere se sa të tjerët që e kanë pasur deri vonë.

Kosovës ju ia keni caktuar plot 95 kritere me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, më tepër se secilit shtet, i cili ka fituar liberalizimin deri para një viti.

Duke i përmbushur 94 kritere (hiç demarkacionin), i bie se Kosova qëndron më mirë se secili shtet tjetër, i cili ka fituar liberalizimin, meqë atyre iu është dashur të plotësojnë shumë më pak kritere.

Pra, ju, Brukseli – së paku me letër e me kushtet që i keni caktuar vetë – po na thoni që jemi më mirë se secili shtet i Evropës. E thoni ju, s’po ia bëjmë vetvetes qejfin ne. Ne kemi plotësuar më shumë kritere, si standarde të BE-së për zhvillim, mirëqenie e përparim, se sa krejt shtetet e tjera që sot kanë liberalizimin, por, paradoksalisht, po na leni që të jemi të vetmit në Evropë të izoluar.

Po i bie: Më shumë qenka më pak!

Dorën në zemër – është poshtërsi!

E di, zonja Mogherini, se ju mund të më jepni të drejtë; të më thoni se megjithatë BE-ja është organizatë serioze; se ndoshta është tepruar me gjithë këto kritere e gjithë këtë rigorizitet; porse sidoqoftë BE-ja nuk mund të tërhiqet nga kushtet e saj dhe se neve na ka mbetur një kriter ende i paplotësuar – ratifikimi i demarkacionit.

Teknikisht, edhe kjo do të ishte në rregull, do të ishte fer, në qoftë se sërish nuk do të ishte një poshtërsi e radhës.

Poshtërsia e demarkacionit, siç e dini edhe ju, zonja Mogherini, nuk i është vënë si kusht asnjëherë asnjë shteti tjetër nga BE-ja.

Për të qenë poshtërsia edhe më e madhe, Kosova, e cila ka mbetur ende pa liberalizim, ka qenë në një grup me shtetet si Gjeorgjia dhe Ukraina. Paramendojeni tash, Kosovës i mohohet liberalizimi për shkak se nuk ia ka dalë ende ta miratojë një marrëveshje me njërin prej fqinjëve të saj më të mirë, kurse – vëmendje këtu! – Gjeorgjisë dhe Ukrainës kjo u mundësohet edhe pse të dyja nuk kontrollojnë fare pjesë të mëdha të kufijve të tyre!

A s’është kjo një poshtërsi e rëndë, zonja Mogherini?!

Plot 48 milionë ukrainasve e gjeorgjianëve që s’e dinë se ku i kanë kufijtë e shteteve të tyre u jepet lëvizja e lirë, më pak se 2 milionë kosovarëve u mohohet!

Më vjen rëndë për ta thënë, por është poshtërsi.

Dhe kjo poshtërsi po ndodh, ashtu siç e thoni ju – në zemër të Evropës.

P.S.:

Zonja Mogherini, më falni se mbase e zgjata. Por, vetëm t’ju kujtoj edhe një gjë. Para pak javësh kam dhënë një propozim.

Ka individë me emër e mbiemër në Kosovë, të cilët duhet t’u japin zgjidhje kushteve tuaja – sado të padrejta – për liberalizimin e vizave. Ata janë 120 deputetët e Kuvendit dhe jo më shumë se 200-300 individë në Qeverinë dhe institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Shumica prej këtyre individëve, të cilëve po ua shohin sherrin gati 2 milionë shtetas të Kosovës – disa prej të cilëve i takoni të shtunën – për vete me kohë kanë siguruar lirinë e lëvizjes, duke u pajisur me pasaporta të shteteve të tjera.

Brukseli do të duhej t’ua bllokonte këtyre udhëtimin në mënyrë që të zgjidhen problemet e mbetura. Brukseli s’ka pse t’i dënojë të gjithë qytetarët për shkak të dështimit që vjen nga pushtetarët.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme