“Dëshmi të reja që tregojnë pafajësinë e aktivistëve të dyshuar për terrorizëm”

Lëvizja Vetëvendosje sot paraqiti ato që i quajti dëshmi të reja që vërtetojnë pafajësinë e aktivistëve të dyshuar për terrorizëm, të cilëve iu vazhduan masat e arrestit edhe për një muaj, pas 3 muajve e që po privohen padrejtësisht nga liria.

Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj, e quajti këtë proces absurd dhe prezantoi një video-material që tregonte vendndodhjen e pesë aktivistëve që po mbahen ende të arrestuar dhe Astrit Deharit, i cili humbi jetën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Molliqaj tha se është e pakuptimtë që ndonëse të gjithë dyshohen për vepër të njëjtë, ndaj këtyre aktivistëve janë aplikuar masa të ndryshme.

“Gjyqtari në vendim thotë se ekziston baza ligjore për vazhdimin e paraburgimit kundër të pandehurve dhe në fjalinë e fundit të këtij paragrafi thotë se disa prej tyre kanë bashkëpunim me organizata të ndryshme jashtë vendit dhe ekziston rreziku se me mbetjen në liri ata mund të arratisen dhe mund të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë. Pikërisht njëri prej aktivistëve tonë, që ka lidhje me organizatat të tjera, është Petrit Ademi, i cili ka qenë punonjës në kompaninë Deloitte. Pra, pikërisht ai që ka lidhje me një organizatë të huaj, pikërisht ai është liruar dhe ka vetëm masën e paraqitjes në Polici. Pra këtu ka një kontradiktë brenda këtij vendimi”, deklaroi Dardan Molliqaj, i cili prezantoi vendimin që i privon edhe për një muaj nga liria pesë aktivistët.

Në videon e shkurtër që u prezantua, shihej se në natën kur ka ndodhur sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës, të gjithë aktivistët ishin në lagje të ndryshme të Prishtinës dhe larg ndërtesës së Kuvendit, ku edhe ka ndodhur sulmi.

Video-dëshmia tregon se Astrit Dehari dhe Adea Batusha kishin qenë në shtëpinë e Astritit në Lagjen e Spitalit, në rrugën “Muharrem Fejza”. Atdhe Arifi gjendej në lokalin “ABA”, duke u ushqyer, për çfarë janë dëshmitarë edhe Januz Shatri dhe Valon Hoti. Egzon Haliti ndodhej në banesën e të dashurës, Petrit Ademi ishte duke darkuar në rrugën “Hajrullah Abdullahu” në Breg të Diellit, kurse Frashër Krasniqi tre orë para sulmit kishte shkuar në shtëpinë e prindërve, prej ku nuk ka dalur deri të nesërmen. Për gjitha këto ekzistojnë kamerat e sigurisë, pamjet e shumicës prej të cilave i ka vetë policia.

Molliqaj tha po ashtu se dëshmi shtesë e cila bëhet kredibile kur lidhet me kamerat e sigurisë është edhe dëshmia e telefonit, duke theksuar se në Prishtinë minimalisht në secilen lagje ekziston një antenë që transmeton rrjetin.

Molliqaj theksoi po ashtu se avokatëve të aktivistëve nuk u janë dhënë asnjë provë, dhe në fund tregoi se është e qartë që arsyeja e vazhdimit të masës së paraburgimit ka ndodhur vetëm për shkak të rastit të vdekjes së Astritit sepse po të liroheshin tani, do të kishte përgjegjësi edhe më të madhe mbi shtetin për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme