Devollët ua morën 20 milionë euro qytetarëve vetëm përmes homologimit!

Zbardhen përpjekjet me ndërmjetësit e krimit ekonomik dhe politik

Analistë të politikës përfaqësuese të shoqërisë civile dhe njohës të situatës ekonomike thonë se vëllezërve Blerim e Shkëlqim Devolli si duket nuk po u mjafton vetëm monopoli e gjertanishëm i homologimit të automjeteve në tregun e Kosovës, i cili u ka sjellë të hyra mbi 20 milionë euro, edhe atë vetëm me Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), prandaj po synojnë që këtë biznes fitimprurës ta shtrijnë edhe në tregun e Shqipërisë. Por këtë do ta bëjnë duke e pasur “mësit e sekser” korruptiv edhe për këtë punë bashkë-ortakun dhe “mentorin” e vet në punët e inkriminuara, Baton Batakçiun, sigurisht me përqindjen e tij për veten dhe zyrtarin qeveritar në Tiranë. Mediat online kanë publikuar një dosje voluminoze, e cila dëshmon se si Blerim dhe Shkëlqim Devolli po bëhen gati ta marrin të drejtën e “plaçkës” në emër të këtij monopoli edhe në Republikën e Shqipërisë, duke konkurruar bashkë me shtetas shqiptarë vetëm formalisht. Analistët thonë se në vitin 2009 Devolli e mori me shumë lehtësi monopolin në fushën e homologimit të automjeteve me ndihmën e ish-zëvendësministrit të transportit të klanit ‘Pronto’, Adem Grabovci. Këtij të fundit, sipas përgjimeve të publikuara kohë më parë, ishin dëshmuar se ia “lag fytin” rregullisht me euro korruptive në vazhdimësi mafio-oligarku Shkëlqim Devolli për monopolin e terminaleve të homoligimit e tjera monopole të kundërligjshme, shkruan gazeta Kosova Sot.

Fitime marramendëse

Të dhënat tregojnë se nga viti 2009 e deri më tani për homologimin e një veture të sjellë nga jashtë kosovarët detyrohen t’i paguajnë nga 125 euro në llogari të QAK-ut, pronë e vëllezërve Devolli. Ndërsa në Kosovë mesatarisht importohen mbi 20 mijë vetura në vit. Por e njëjta tashme synon që përpos homologimit të të gjitha llojeve të automjeteve të transportit rrugor ta bëjë edhe kontrollin teknik të automjeteve, ngjashëm siç e gëzon privilegjin në Kosovë, ku përpos homologimit merr edhe nga 5 euro prej secilës qendër të kontrollit teknik të automjeteve në emër të instalimit të kamerave monitoruese. Kontrata monopoliste deri më tani llogaritet të jetë mbi 20 milionë euro fitim të pastër, përmes së cilës kontratë qytetarët e Kosovës rripen dhe vidhen, e cila në formë shpërblimi kundërligjshëm dhe kundër Kushtetutës iu dhurua vëllezërve korruptues Devolli nga pushtetarët e inkriminuar qeveritarë, përmes formës së veprimit të krimit të organizuar. Me këto para këta të fundit dhe jo vetëm me këta, sepse monopole kanë në çdo sektor fitimprurës, e kanë bërë për vete apo i kanë blerë të gjitha partitë politike, përfshirë edhe VV-në dhe të gjitha të tjerat, odat dhe asociacionet e tjera ekonomike e politike , mediet (portalet dhe TV-të) dhe po vazhdojnë të sundojnë në shkelje të ligjit, duke dalë gjithnjë mbi ligjin, ndërkaq që Prokuroria Speciale hesht thuajse nuk po ndodh asgjë, edhe atë që nga viti 2009. Së këndejmi, analistët pyesin se deri kur do të heshtë Prokuroria për shkeljen e Kushtetutës dhe të gjitha ligjeve nga vëllezërit e inkriminuar Devolli, që përmes monopoleve vetëm gjatë dhjetë viteve të fundit kanë përfituar disa qindra miliona euro. Analistët vlerësojnë se homologimi nuk është i vetmi monopol, por ‘Devolli’ ka nën sundimin e menaxhimin e tyre disa terminale doganore, sikur që kanë monopole edhe në shumë sektorë të tjerë super-profitabil.

Shteti i kapur nga politika e parapolitika

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar, Bali Muharremaj, tha për “Kosova Sot” se i tërë problemi qëndron tek heshtja e Prokurorisë së Shtetit, e cila për habinë e të gjithëve po bën sehir, pasi ka qenë dashur që “ex-oficio” ka herë të fillojnë me hetimet për ndriçimin e plotë të këtij rasti. “Për mua të gjitha organet e drejtësisë, përfshirë edhe Prokurorinë e Kosovës, ka qenë dashur që të ndërmarrin masa për këtë çështje. Por, heshtja e Prokurorisë së Shtetit dhe organeve të tjera të drejtësisë është një tregues se shteti ynë është i kapur nga politika dhe parapolitika”, theksoi ai. Deputeti Muharremaj tha se si deputet i Kuvendit të Kosovës, që konsideron se procesi i homologimit të automjeteve, duhet që të ndahet në të gjitha qendrat edhe regjionet më të mëdha të Kosovës, në mënyrë që të përfitojnë shumë biznese nga tërë Kosova, e jo vetëm një kompani që ka krijuar monopole në këtë fushë, pasi që bëhet fjalë për një numër shumë të madh të makinave dhe shuma milionëshe të parave që bëhen nga homologimi vetëm në një qendër sikur ajo e Devollëve. “Me këtë garniturë pushtetarësh nuk ka ndryshime dhe shkapje të shtetit dhe si shpëtim i vendit që të dalim nga kjo situatë na nevojitet që të kemi urgjentisht zgjedhje të reja, me çka edhe do të mund të eliminoheshin këto lëshime të kësaj garniture të pushtetarëve”, potencoi Muharremaj. Analisti Shefqet Dibrani tha për “Kosova Sot” se askush nuk mund ta imagjinojë monopolin dhe ndikimin kaq të madh në ekonominë e Kosovës si ajo vëllezërve Blerim e Shkëlqim Devolli. “Tashmë nuk duhet të dyshohet edhe për lidhjet e tyre të ngushta me oligarkët e politikës, kryesisht të klanit ‘Pronto’. Tashmë vëllezërit Devolli janë bërë të pasur, ata kanë mjete të mjaftueshme për ta korruptuar gjithë Kosovën, edhe pse pasuria e tyre në masë të madhe është krijuar në mënyrë të paligjshme ata sillen si oligarkë mbi Kosovën”.

Strumbullari i të këqijave

Analisti Dibrani tha se çuditërisht askush nuk ka reaguar, as Prokuroria e as Task-Forca, madje këtë ndërhyrje nuk e kanë bërë as zyrtarët e lartë shtetërorë, të cilët janë deklaruar për zero tolerancë. “Në anën tjetër, shihet qartë edhe lidhje në mes të pushtetit dhe vëllezërve Devolli, si dhe lidhja e tyre me personalitete që kanë ndikim në mediet e Kosovës. Edhe pse me një qasje kontroverse, Baton Haxhiu është strumbullari i një varg veprash të ndyra, i cili jo vetëm në rastin ‘Devolli’, por ai është mjaft i njohur me shantazhet dhe diskriminimin që ua ka bërë kolegëve gazetarë”, theksoi ai. Analisti Dibrani tha se Baton Haxhiu supozohet se gjatë tërë jetës ka qenë i involvuar në luftën e nëntokës, ku bashkë me grupe kriminale, qofshin ato të aspektit politik apo në planin ekonomik, involvimi i tij ka dalë në dukje.”Tashmë edhe ai është bërë një oligark dhe shumë i pasur, në kohën kur për shkak të angazhimeve të tij gazetareske kanë pësuar kolegë të kësaj fushe, të cilëve ua mbajmë përvjetorët”. Dibrani ndërkaq sqaroi se, edhe pse qysh atëherë është përfolur për lidhjet e Baton Haxhiut me sigurimin serb dhe me grupe kriminale, drejtësia atij nuk ia ka ndalur avazin. “Me të nuk është marrë as sigurimi i shtetit, e lëre më Prokuroria dhe ndërkombëtarët që nuk kanë bërë asnjë hap në këtë plan. Për fat të keq, ai defilon nga televizioni në televizion, nga tribuna në tribunë, duke u shtir analist, i ka implementuar të gjitha projektet e tij thellësisht të dëmshme dhe të kobshme për Kosovën”. Ndërkaq, sipas Dibranit, çështja se sa është i involvuar në kompaninë e vëllezërve Devolli dhe për depërtimin e tij të mundshëm në Shqipëri kanë shkruar e akuzuar bashkëkolegë të tij, por kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për drejtësinë kosovare që ta marrë në shqyrtim dhe të verifikojë pasurinë e tij dhe të vëllezërve Devolli për të ditur se sa thellë i ka rrënjët sistemi i kriminalizuar që lejon haptas të bëhen veprime antiligjore. Për drejtësinë në Kosovë nuk mjaftojnë dosjet, as aferat “Pronto”, pra nuk do të vlejnë as akuzat për kompanitë e vëllezërve Devolli”. Por, analisti Dibrani ankohet se për prokurorinë nuk mjafton as jeta përrallore e klaneve mafioze, as ndërhyrjet e dukshme të mediave, as nuk po mjafton shkelja e ligjeve dhe kushtetutëshmërisë për t’ia ndalur turrin degradimit të vlerave dhe rendit shoqëror.”Drejtësia po hesht sikur ajo të ishte pjesë përbërëse e klaneve mafioze. Drejtësia në Kosovë vetëm bën sehir, kundër gjithë kësaj të keqeje, pra edhe kundër monopolizmit dhe veprimeve antiligjore të vëllezërve Devolli, të cilët me Kosovën po sillen sikur të ishin oligarkët e saj”, ankohet Dibrani. Analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot” tha se ka vite që monopolin e homologimit të automjeteve në tregun e Kosovës e mban e njëjta kompani dhe kjo u ka sjellë të hyra milionëshe vetëm me Qendrën e Automjeteve të Kosovës. “Tani sikur nuk po u mjafton tregu kosovar dhe të njëjtit po e dëshirojnë edhe tregun e Shqipërisë, përmes ‘sekserëve’ dhe ‘mentorëve’ korruptivë dhe kriminalë në Kosovë dhe Shqipëri”. Sipas analistit Zeqa, këtu bëhet fjalë për fitime marramendëse të kompanive të afërta me pushtetarët. Si shembull Zeqa e mori kohën nga viti 2009 e këndej, kur për homologimin e një veture të sjellë nga jashtë kosovarët detyrohen t’i paguajnë nga 125 euro në llogari të QAK-ut, pronë e një kompanie private, kur dihet se brenda viti në Kosovë mesatarisht importohen mbi 20 mijë vetura. “E njëjta kompani e QAK-ut tashmë synon që përpos homologimit të të gjitha llojeve të automjeteve të transportit rrugor ta bëjë edhe kontrollin teknik të automjeteve, ngjashëm siç e gëzon privilegjin në Kosovë, ku përpos homologimit merr edhe nga 5 euro prej secilës qendër të kontrollit teknik të automjeteve në emër të instalimit të kamerave monitoruese etj”. Ai tha se përmes kontratave të kundërligjshme përfitojnë kompanitë monopoliste miliona euro fitim të pastër, duke vjedhur e rrjepur qytetarët e Kosovës. Sipas Zeqës, kompanitë e lidhura me pushtetarët po vazhdojnë të sundojnë tregun e Kosovës, duke e shkelur dhe ligjet në fuqi, ndërsa Prokuroria Speciale vazhdon të heshtë, thuajse nuk po ndodh asgjë që nga viti 2009. Analisti Zeqa shpreh keqardhjen se Prokuroria e Shtetit po hesht ndaj shkeljes së Kushtetutës dhe të gjitha ligjeve nga kompanitë e inkriminuara, të cilat vetëm gjatë dhjetë viteve të fundit dyshohet se kanë përfituar qindra miliona euro në mënyrë të paligjshme. Kosova.sot

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme