Ditari sekret i Enver Hoxhës: Hrushovi si bandit e nxori jashtë Ramiz Alinë, në mënyrën më të poshtër…!

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ku ndodhet ditari sekret i sekretarit të përgjithshëm të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, për periudhën qershor – gusht të vitit 1961, ku ai ka përshkruar me detaje dhe hollësira kontraditat e thella që ekzistonin asokohe në mes udhëheqjes së lartë të Shqipërisë komuniste dhe asaj të Bashkimit Sovjetik me në krye Nikita Hurshovin, duke filluar nga problemi i ndarjes së anijeve dhe nëndetësve në Bazën e Vlorës, incidentet me marinarët sovjetikë që ende kishin mbetur pa u evakuar nga ajo bazë, notën e protestës së ambasadorit sovjetik në Tiranë dërguar Ministrisë së Jashtme, problemin e studentëve shqiptarë të degës së Sigurimit, Policisë dhe Kufirit që studjonin në shkollat dhe akademitë ushtarake të Moskës, ku pala sovjetike ’u bënte thirrje që të mos ktheheshin në Shqipëri, e deri tek mbledhja e përfaqsuesëve të vendeve të Traktatit të Varshavës që u mbajt në Moskë, ku kreu i Kremlinit, Nikita Hrushov, nuk e la të fliste kreun e delegacionit shqiptar, Ramiz Alinë, duke e nxjerrë atë nga salla “në mënyrën më të poshtër e skandaloze”., etj., etj.

“Ramizi u kthye nga Moska dhe na raportoi për mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës për çështjen e Traktatit të Paqes me Gjermaninë. Atë e nxorën nga mbledhja në mënyrën më armiqësore, të poshtër, trockiste. Nuk i dhanë as fjalën, nuk e lejuan të fliste. Banditi Hrushov, në mënyrë skandaloze, e pengoi të f1iste, sido që për këtë u bë një debat i ashpër midis Ramizit e Hrushovit. Ulbrihti propozoi përjashtimin tonë nga mbledhja dhe dërgimin e një letre armiqësore Komitetit Qendror të Partisë sonë, gjë që u aprovua nga gjithë të tjerët, me përjashtim të ambasadorit kinez, i cili ditën e parë s’foli, se fjala s’iu dha as atij, as koreanit, as vietnamezit, as mongolit, që ishin si vëzhgues. Por në ditën e dytë të mbledhjes, ambasadori kinez lexoi deklaratën e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, e cila është e mirë dhe na mbron. Hrushovi dhe përkrahësit e tij janë banditë, shkelin çdo normë marksiste, çdo normë të barazisë. Ata janë fashistë me tërë kuptimin e fjalës, por do ta pësojnë”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kështu thuhet në mes të tjerash në ditarin politik të Enver Hoxhës që I përket periudhës, qershor – giusht të vitit 1961, ku ai ka përshkruar me detaje dhe hollësira të gjitha mosmarrëveshjet dhe kontraditat e thella që ekzistonin asokohe në mes Tiranës zyrtare dhe Kremlinit, gjë e cila pak muaj më pas do të shënonte dhe prishjen përfundimtare në mes dy vendve. Për më shumë na njeh dokumenti arkivor që Memorie.al e publikon për herë të parë.

Ditari politik i Enver Hoxhës, qershor – gusht 1961

 

 

E PREMTE

2 QERSHOR 1961

KRERET REVIZIONISTE KANE SHUME SHPRESA NGA TAKIMI I HRUSHOVIT ME KENEDIN

Hrushovi u nis për në Vjenë. Rrugës ai ndaloi në Çekosllovaki ku u prit nga “miku i madh” i Bashkimit Sovjetik, Novotni. Informohemi se, incognito, në Bratislavë ndodheshin edhe Dezhi, Zhivkoja dhe Kadari. Për çorbën që do të gatuajë në Vjenë, Hrushovi as që denjon të na vërë në dijeni. Ca më mirë! Revizionistët le ta mbajnë vetë përgjegjësinë! Krerët revizionistë të kampit kanë shumë shpresa nga ky takim. Zaten ata rrojnë me mëshirën e ndonjë dëshmi nga Kenedi, kurse ky u kërkon këtyre t’i bëjnë lëshime më shumë. Dhe krerët revizionistë do të bëjnë të tilla akoma më tepër. Ata do të demaskohen patjetër për tradhtitë e tyre!

E SHTUNË

3 QERSHOR 1961

NJE FITORE E MADHE

Këshilltari sovjetik dorëzoi një notë të gjatë në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, plot me trillime e shpifje kundër nesh, në lidhje me tërheqjen e bazës detare të Vlorës. Aty thuhet se do të tërhiqen të gjithë marinarët sovjetikë që kanë mbetur akoma në bazë. Thuhet, gjithashtu, se ne gjoja kemi pushtuar të katër nëndetëset dhe bazën “Tomori”. Ua hodhëm poshtë të gjitha këto trillime dhe notën ua mbajtëm, sido që ata praktikojnë të kundërtën dhe do t’u përgjigjemi. Sidoqoftë, spastrimi i Vlorës në këto situata është një fitore për ne sepse kishim të bënim me grupin e egër revizionisto-titist të Hrushovit.

E SHTUNË

3 QERSHOR 1961

NJË TAKIM QE NUK DO TE KETE ASNJË REZULTAT

Hrushovi në Vjenë po bisedon me Kenedin. Asgjë s’do të ndal që të piqet dhe puqet imperialisti me revizionistin.

E DIEL

4 QERSHOR 1961

BAZA E VLORES U SPASTRUA

Më vunë në dijeni se të gjithë marinarët sovjetikë u imbarkuan në anije dhe sonte natën largohen nga Vlora. U spastruan kështu edhe këta të fundit dhe u bë shumë mirë. Poshtërsi dhe barbarizma kanë bërë në bazë sovjetikët këto ditët e fundit. Oficerët që i komandojnë, s’janë veçse lumpensovjetikë. Komunikata sovjeto-amerikane që u dha pas takimit Hrushov-Kenedi në Vjenë është kashtë, një fiasko e madhe.

E MARTE

6 QERSHOR 1961

NJE MBLEDHJE FIASKO

Kenedi bëri sot në mesnatë deklaratën për bisedimet që zhvilloi me Hrushovin në Vjenë. Mbledhja e tyre ka qenë një fiasko. Për asgjë nuk u morën vesh. Edhe nga çështja e Laosit, që përbën gjoja një nga çështjet për të cilat “ranë dakord”, s’do të dalë gjë. Me siguri amerikanët do t’i prishin punët. Mbledhja e Vjenës nuk kishte qëllim tjetër veç propagandës së bujshme që u duhet të dyve, edhe Kenedit edhe Hrushovit, për të bërë tym e për të fshehur të palarat e tyre.

E MËRKURË

7 QERSHOR 1961

VAZHDOJNE PROVOKACIONET E SOVJETIKEVE

Vazhdojnë provokacionet e sovjetikëve kundër nesh. Ata kërkuan largimin nga shkollat e tyre të sigurimit të disa oficerëve tanë, pse gjoja këta merren me politikë dhe, sipas tyre, “oficerët s’duhet të merren me politikë”! Këto janë pretekste për të dëbuar studentët tanë, pse u shpjegojnë të tjerëve atë të vërtetë që udhëheqja sovjetike ua fsheh. Ne po i tërheqim të gjithë studentët e akademive: të Sigurimit, të Kufirit dhe të Policisë. Sovjetikët po bëjnë punë individuale që të mbajnë atje ndonjë, por po hanë grushte fytyrës nga studentët tanë patriotë të flaktë.

E ENJTE

8 QERSHOR 1961

KESAJ I THONE VEPRIMTARI PROVOKUESE

Ambasadori sovjetik në Tiranë vazhdon protestat skandaloze se specialistët që kanë mbetur në Durrës e që kanë lënë punën, se kanë marrë urdhër të shkojnë, gjoja ne i kemi lënë në hotele, se gjoja njerëzve të ambasadës së tyre ua vonojmë takimet kur kërkojnë etj. etj. Harron ai se ambasadorit tonë në Moskë, në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ia mbyllën derën dhe i thanë se vetëm në Ministrinë e Jashtme mund të marrë takime. Këta janë armiq, provokatorë. Në Gjenevë amerikanët, anglezët e të tjerë e prishën pazarin për çështjen e Laosit dhe Gromikoja u nis me shpejtësi nga Moska për ta rregulluar këtë pazar të prishur.

E MARTE

20 QERSHOR 1961

NJE TAKIM SA PER TE SHKUAR RADHEN

Ministri këshilltar sovjetik pranë ambasadës së tyre këtu kërkoi takim me mua. Atë e priti drejtori i Drejtorisë së Jashtme të Komitetit Qendror, Pirro Bita, të cilin, si kofini pas së vjeli, e njoftoi mbi bisedimet e Vjenës. Kjo qe vetëm sa për të shkuar radhën e për ta pasur si argument, së pari, se nuk e prita unë dhe, së dyti, se gjoja na vunë në dijeni. Por të gjitha çfarë ai tha, ishin vetëm një shkurtim i keq i atyre që “Pravda” ka thënë me kohë rreth këtyre bisedimeve.

E MERKURE

21 QERSHOR 1961

GJENDJE KAOTIKE NE BASHKIMIN SOVJETIK

Sot bisedova me shokun Tahir Minxhozi, që mbaroi Shkollën e Lartë të Partisë në Bashkimin Sovjetik. Më tregoi për gjendjen kaotike ideologjike dhe për gjendjen e dobët ekonomike në Moskë.

E SHTUNË

24 QERSHOR 1961

KADARI BEN AKTAKUZEN E VETVETES

Janosh Kadari, në emër të Komitetit Qendror të Partisë Socialiste Punëtore të Hungarisë, na dërgoi një letër provokuese e të turpshme për të dhe për Komitetin Qendror të kësaj partie. Përveç akuzave të poshtra që na bën se gjoja ne jemi antisovjetikë, se nuk jemi internacionalistë etj., duke dashur të fshehë frikën dhe presionet që i bëhen, na akuzon edhe se ne, me qëllim të keq, kemi shpallur ndihmën që na dhanë prej 15 milionë rublash. Çfarë poshtërsie! Por poshtërsia më e madhe qëndron në atë që, ai mbron haptazi komplotistët dhe agjentët e imperializmit, Teme Sejkon e grupin e tij. Kështu vetë ai nënshkruan aktakuzën e vet për bashkëpunimin me tradhtarët e popullit tonë kundër Shqipërisë, për copëtimin e saj dhe për rrëzimin e pushtetit popullor. Kjo letër është një dokument me rëndësi kundër vetë atyre.

E MARTE

27 QERSHOR 1961

MARINARET SIIQIPTARE NUK U TREMBEN PRESIONEVE, SHANTAZHIT DHE KERCENIMIT TË SOVJETIKEVE

Sovjetikët vazhdojnë veprimet skandaloze kundër ekuipazheve të anijeve tona ushtarake që ndodhen në Sebastopol. Ata nuk lejojnë përfaqësuesin e marinës shqiptare, Avdi Mati dhe një përfaqësues tjetër të ushtrisë sonë të shkojnë në këtë qytet, për të marrë ekuipazhet nga dy gjuajtësit tanë, që po na i mbajnë me anë të forcës. Sovjetikët i kanë rrethuar anijet dhe marinarët tanë që ndodhen në to me marinarë sovjetikë të armatosur, janë përpjekur të hyjnë me forcë në anijet, por janë sprapsur nga njerëzit tanë. Morali i marinarëve tanë është shumë i lartë. Ata nuk lëvizin dhe nuk tremben nga asnjë presion, shantazh dhe kërcënim.

E SHTUNE

1 KORRIK 1961

APROVIM I NJEZESHEM I KOMITETIT QENDROR

Gjatë gjithë paradites në Plenum u diskutua rreth problemit të kursimit. Në fund të kësaj seance bëra konkluzionet. Pasdreke, në seancën e dytë e informoi Plenumin e Komitetit Qendror për gjendjen ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet e Partisë sonë me Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe me partitë komuniste e punëtore të vendeve socialiste të Evropës. Komiteti Qendror dëgjoi dhe aprovoi veprimtarinë e Byrosë Politike për këtë problem dhe pranoi njëzëri project-letrën për Komitetin Qendror dhe për qeverinë e Bashkimit Sovjetik. Kjo letër do t’u dërgohet për dijeni komiteteve qendrore të partive dhe qeverive të të gjitha vendeve socialiste.

E PREMTE

7 KORRIK 1961

VEPRIM ME HILE, POR I TRASHË

Ulbrihti na dërgoi letër, me të cilën më fton mua, sekretarin e parë, në mbledhjen e sekretarëve të parë që propozohet të mbahet në Moskë, më 3 gusht mbi përfundimin e Traktatit të Paqes me të dy shtetet gjermane, ose, në qoftë se kjo nuk do të jetë e mundur, me RD Gjermane. E ‘bukura është se në fund të letrës, ai thotë që përgjigjen tonë t’ia drejtojmë Hrushovit! Letra është shkruar me hile dhe ata po përgatitin kurthe. Sidoqoftë unë nuk do të shkoj. Do të shohim se si do të zhvillohet kjo punë, por sigurisht jo mirë, pse ata janë në rrugë armiqësore.

DAJT, E ENJTE

20 KORRIK 1961

HRUSHOVI ESHTE EDHE FRIKAMAN

Imperialistët vazhdojnë të bëjnë kërcënime për Berlinin, kurse Hrushovi, që bën një politikë personale e pajtuese dhe që zakonisht mban nga një fjalim në orë, është mbyllur në Soçi dhe s’flet. Të shohim si do të veprojë. Patjetër atij s’i pëlqejnë këto situata të acaruara, se është edhe frikaman. Vetëm një qëndrim i vendosur, ashtu siç ka thënë Partia jonë, i bën imperialistët të zmbrapsen në panic, ‘ilaç’ tjetër nuk ka. Çdo veprim tjetër është zbythje e kapitullim përpara imperialistëve.

DURRES, E SHTUNE

22 KORRIK 1961

DO TE MARRIM PJESE NE MBLEDHJEN E PROPOZUAR NGA GJERMANET

Dorëzuam përgjigjen tonë për letrën e Ulbrihtit. Pranuam propozimin për mbledhje dhe caktuam delegacionin e Komitetit Qendror me të plotfuqishëm shokun Ramiz Alia dhe anëtar delegacioni shokun Behar Shtylla. Unë s’vete, duke e arsyetuar këtë. se gjoja jam i sëmurë.

DURRËS, E DIEL

23 KORRIK 1961

SJELLJE PREJ VAGABONDESH

Manushi më raportoi për pritjen që dha mbrëmë ambasada polake me rastin e festës kombëtare të Polonisë. Ambasadori sovjetik dhe shokët e tij të vendeve të demokracisë popullore të Evropës, silleshin si vagabondë. As denjuan të duartrokitnin për fjalimin që u mbajt dhe as u ngritën në këmbë, si gjithë të tjerët, kur largua përfaqësuesi i Partisë dhe i Qeverisë sonë.

DURRES E HENE

24 KORRIK 1961

VEPRIM ANTISHQIPTAR I REVIZIONISTEVE BULLGARE

Nga Bullgaria na njoftojnë se Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bullgarisë u ka dërguar organizatave të partisë një letër me përmbajtje shpifarake kundër nesh.

DURRES E MARTE

25 KORRIK 1961

KENEDI KERCENON

Kenedi mbajti një fjalim shumë kërcënues në lidhje me çështjen e Beikinit. Atij i duhet dhënë një përgjigje e fortë. Ne do japim një grusht, por ky është si grushti që i jepet një elefanti. Atij duhet t’i përgjigjet revizionisti Hrushov. Të shohim ç’do të bëjë. Satelitët e tij, sigurisht, do të presin sa të flasë ustai.

DURRES, E ENJTE

27 KORRIK 1961

PERGATITEMI PER MBLEDHJEN MBI PËRFUNDIMIN E TRAKTATIT TE PAQES ME GJERMANINE

Fola me hollësi me shokun Ramiz për mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës, për çështjen e përfundimit të Traktatit të Paqes me Gjermaninë, që do të mbahet në Moskë më 3 gusht. Parashikuam të gjitha variantet e mundshme. Fjalimi kryesor për çështjen e Traktatit të Paqes me Gjermaninë, është i plotë. Në rast se na atakojnë, atëherë do të marrin përgjigjen e duhur.

DURRES, E DIEL

30 RORRIK 1961

MBI PROJEKT-PROGRAMIN E PARTISE KOMUNISTE TE BASHKIMIT SOVJETIK

U botua në “Pravda” projekt programi i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që do t’i paraqitet për shqyrtim e aprovim Kongresit të 22-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, 9 faqe gazete. Duhet ta studiojmë. Duhet të botojmë prej tij diçka të shkurtër, pa i prekur as çështjet ideologjike, as ato politike dhe organizative, por vetëm anët ekonomike.

DAJT, E MERKURE

2 GUSHT 1961

NE MOSKE DELEGACIONIN TONE E PRESIN FTOHTE

Ramizi u nis për në Moskë. Në aerodrom e pritën shumë ftohtë, njerëz të një rangu fare të vogël. Delegacionin e çuan të banojë në hotel “Moska”. Parashikojmë sulme të poshtra nga ana e tyre kundër Partisë sonë dhe udhëheqjes. Pamë përsëri filmin “Nëna”. Të rrëqethet mishi kur mendon se mbi ata heroizma, mbi ato sakrifica të bolshevikëve, tash po livadhis një trockist si Hrushovi dhe njëkohësisht u hedh baltë Stalinit dhe bolshevikëve. Por, shpejt ose vonë do t’i vijë medoemos fundi këtij tradhtari të poshtër.

DAJT, E ENJTE

3 GUSHT 1961

SHENJA JO TE MIRA

Sot hapet në Moskë mbledhja e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës, për çështjen e Traktatit të Paqes me Gjermaninë. Me shokët e delegacionit tonë të gjithë pjesëmarrësit në mbledhje qëndruan shumë ftohtë, as dorën nuk u dhanë. Jashtë çinovnik-ët u jepnin tanëve shenja sikur Hrushovi nuk e ka dashur këtë mbledhje.

DAJT, E PREMTE

4 GUSHT 1961

SHKELJE FLAGRANTE E TROCKISTE E ÇDO NORME MARKSISTE DHE TE BARAZISE

Ramizi u kthye nga Moska dhe na raportoi për mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës për çështjen e Traktatit të Paqes me Gjermaninë. Atë e nxorën nga mbledhja në mënyrën më armiqësore, të poshtër, trockiste. Nuk i dhanë as fjalën, nuk e lejuan të fliste. Banditi Hrushov, në mënyrë skandaloze, e pengoi të f1iste, sido që për këtë u bë një debat i ashpër midis Ramizit e Hrushovit. Ulbrihti propozoi përjashtimin tonë nga mbledhja dhe dërgimin e një letre armiqësore Komitetit Qendror të Partisë sonë, gjë që u aprovua nga gjithë të tjerët, me përjashtim të ambasadorit kinez, i cili ditën e parë s’foli, se fjala s’iu dha as atij, as koreanit, as vietnamezit, as mongolit, që ishin si vëzhgues. Por në ditën e dytë të mbledhjes, ambasadori kinez lexoi deklaratën e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, e cila është e mirë dhe na mbron. Hrushovi dhe përkrahësit e tij janë banditë, shkelin çdo normë marksiste, çdo normë të barazisë. Ata janë fashistë me tërë kuptimin e fjalës, por do ta pësojnë. Ne do t’a demaskojmë pa mëshirë këta qena me maskë komuniste. Çdo ditë ata po shumfishojnë gabimet e tyre dhe kështu vërtetojnë tezat e drejta tonat. Me këto veprime praktikisht ata na kanë nxjerrë nga Traktati i Varshavës dhe nga mbledhjet e partive të vendeve të Traktatit të Varshavës. Ligjërisht dhe hapët këtë ende s’e kanë bërë, se kanë frikë, por do ta bëjnë dhe atëherë duhet të presin sulmin tonë botërisht. Ata botuan edhe një komunikatë të falsifikuar, që ne nuk e botojmë, por do të botojmë fjalimin që do të mbante Ramizi në mbledhje dhe që ua dërguam komplotistëve revizionistë në Moskë me rrugë diplomatike.

E HENE

7 GUSHT 1961

NE PERGJIGJE TE LETRES SE BANDËS HRUSHOVIANE

Sot pasdreke zbrita nga Dajti në Tiranë. U bë mbledhja e Byrosë Politike, ku vendosëm botimin e fjalimit që do të mbante shoku Ramiz në Moskë, si deklaratë e Komitetit Qendror ku përcaktohen pikëpamjet e Partisë sonë për problemin gjerman dhe t’i përgjigjemi letrës që na dërgoi banda e Hrushovit nga mbledhja e 3 gushtit e organizuar në Moskë.

E ENJTE

10 GUSHT 1961

HRUSHOVI IU DREJTUA PERSERI KONJEVIT

Mareshall Konjevi u emërua komandant i forcave të armatosura sovjetike në Gjermani. Hrushov revizionisti, tash që “i ka ardhur veza”, e thirri përsëri Konjevin. Deri dje ky gjoja ishte sëmurë dhe Nikita e shkarkoi nga detyra e kryekomandantit të forcave të armatosura të Traktatit të Varshavës, për të vënë në vend të tij qolen e vet, mareshalin Greçko. Por veshët do të na dëgjojnë dhe sytë do të na shohin gjëra të tjera.

DAJT, E DIEL

13 GUSHT 1961

KOMUNIKATA PER ÇESHTJEN E TRAKTATIT ME GJERMANINE ESHTE APROVUAR NE MUNGESEN TONË

Sot agjencia gjermane e lajmeve AND, botoi komunikatën e Komitetit Politik Konsultativ të Traktatit të Varshavës për Traktatin e Paqes me të dy shtetet gjermane, që është aprovuar në mungesën tonë. Hileqarët duan të fshehin hilerat, por këto padashur ua zbulon qeveria gjermano lindore.

E MERKURE

16 GUSHT 1961

KOMPLOT I RI I GRUPIT REVIZIONIST TË HRUSHOVIT DHE I PASUESVE TE TIJ

Sot, me anë të një letre vumë në dijeni të gjitha organizatat-bazë të Partisë rreth veprimeve antimarksiste e antishqiptare, akuzave e shpifjeve të pabaza që grupi renegat i Hrushovi dhe i pasuesve të tij, bëri ndaj vendit dhe Partisë sonë në mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve pjesëtare të Traktatit të Varshavës për çështjen e përfundimit të një traktati të paqes me Gjermaninë. Ky komplot i ri, ky provokacion i ulët synonte t’i mohonte Partisë sonë të drejtën e padiskutueshme që, si anëtare e Traktatit të Varshavës, të thoshte në mbledhje fjalën dhe mendimin e saj.

DAJT E MERKURE

16 GUSHT 1961

NJE KOMEDI PA FAT E REVIZIONISTEVE SOVJETIKE

Sovjetikët kurdisën një provokacion të ri ndaj vendit tonë. Nëpërmjet ambasadës sonë në Moskë, Ho Shi Mini na lajmëroi se po niset, (pa na pyetur), nga Hanoi dhe, duke kaluar nëpër Moskë, do të vijë në Tiranë që, për hir të “unitetit”, “të na pajtojë” me Hrushovin! Për ne është e qartë se kjo komedi është kurdisur nga sovjetikët që, kërkesën e Ho Shi Minit, për bisedime me ne, t’a kenë në dorë si fakt për të na akuzuar më vonë, në mbledhjet e ardhshme, se gjoja ne nuk duam të bisedojmë e përralla të tjera si kjo. Me dy mesazhe të njëpasnjëshme, sepse kërkonte përgjigjen tonë urgjente, i thamë Hosë, se pranojmë të bisedojmë, por në nëntor të këtij viti dhe pasi ai të ketë biseduar më parë me sekretarët e parë të partive komuniste e punëtore të Bashkimit Sovjetik e të vendeve të demokracisë popullore të Evropës, të cilët janë të vetmit fajtorë për qëndrime armiqësore e të padrejta kundër Partisë së – Punës të Shqipërisë. Kështu “xhaxhi Ho” u pengua të vinte në Shqipëri me ato qëllime të errëta dhe oportuniste që kishte në kokë dhe u vinin për shtat komploteve të reja të hrushovianëve. Le të vënë mend shokët e Komitetit Qendror të Partisë së Punonjësve të Vietnamit!

VLORE, E SHTUNE

19 GUSHT 1961

TAKIM ME AMBASADORIN KINEZ

Bisedova me ambasadorin kinez në lidhje me përgjigjen që i dhamë shokut Ho Shi Min.

VLORE, E ENJTE

24 GUSHT 1961

SHENIME

Në mbrëmje shokët më vunë në dijeni mbi bisedën e Çu En Lait me Reizin. Përmbajtja e bisedës së Çu En Lait me ambasadorin vietnamez është e drejtë, ajo puqet me qëndrimin tonë, sido që kinezët kanë shpresa se mos Hrushovi ndërron rrugë, kurse ne jo, vetëm në rast se detyrohet, por atëherë ai ka ngordhur.

E MERKURE

30 GUSHT 1961

E MJERA PARTI KOMUNISTE E BULLGARISË NË Ç’DUAR KA RENE!

Teodor Zhivkovi, njeri i ulët e pa kurrfarë karakteri, si vegël e ndyrë e Hrushovit dhe që të mos mbetet pas, na shkruan një letër plot sharje, plot shpifje. Ai na akuzon hapët si luftënxitës, më keq se titistët, si antisovjetikë etj. E mjera Parti heroike e Bullgarisë në ç’duar ka rënë! Por ajo me siguri do t’u japë dru këtyre fundërrinave që i kanë hedhur duart në grykë. Shpejt ose vonë këta do të marrin përgjigjen, nga vetë partia e tyre, kurse nga jona do ta marrin shpejt!

E ENJTE 31 GUSHT 1961

NJE VEPRIM NGA HALLI I HRUSHOVIT

Qeveria sovjetike shpalli se do të rifillojë provat atomike. Nikita Hrushovi duhet të jetë në situata të vështira që bëri këtë, pse kjo s’është në vijën e tij revizioniste dhe pacifiste. Do të shohim. Sidoqoftë kjo vërteton vijën e drejtë të Partisë sonë dhe tradhëtinë e revizionistëve. /Memorie.al