Jeta jonë në dëshirat e politikanëve

Baton Haxhiu

Një pjesë e politikës me ambicie serioze në Kosovë dhe në Serbi tregon qartë se Kosova duhet të ndahet dhe të vazhdohet jeta në shtete etnike, me arsyetimin se të dyja kombet nuk kanë qenë dhe nuk janë në gjendje të jetojnë së bashku.

Kjo strukturë e konsideron si ide të arsyeshme për koekzistimin jetësor në mes të serbëve dhe shqiptarëve në të ardhmen, që duket të jetë si një lloj testamenti i fundit politik.

Ndonëse duken në pozita të kundërta dhe armiqësore, politikanët nacionalistë janë të ngjashëm në idenë e tyre.

Edhe politikanët që dialogojnë në Bruksel i vonojnë negociatat për një arsye të vetme, shpesh të pathënë: duan ndarjen. Kjo vlen sidomos për politikanët në Serbi. Sepse tanët, nga Kosova, nuk e përmendin shumë, pasi s’kanë guxim ta bëjnë.

Sa për t’ia rikujtuar opinionit, diçka të ngjashme pati propozuar edhe akademiku serb Dobrica Qosiq, i cili ndarjen dhe përkufizimin territorial e kishte përfshirë në katër pika:

Përkufizimi territorial në mes serbëve dhe shqiptarëve duhet të vendoset mbi kompromisin e të drejtës historike dhe të drejtës etnike.

Themelet e përkufizimit territorial duhet të bazohen në gjendjen demografike para kryengritjes secesioniste të shqiptarëve dhe agresionit të NATO-s.

Përkufizimi duhet të përqendrohet në respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe të drejtave kombëtare.

Patrikanës së Deçanit, Pejës dhe Deviqit t’iu rikthehet toka dhe maleve të tyre t’iu jepet eksterritorialiteti.

Pas këtyre pikave të përmendura vjen edhe “nënshkrimi” i nënshtruar i të gjithë liderëve serbë të pasluftës, si Koshtunica, Gjingjiq, Tadiq, Daçiq dhe së fundi – Vuçiq, të cilët kanë ndier momentin vendimtar që të thuhet fjalia e fundit e shpëtimit për ndarje dhe përkufizim territorial ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Në këtë mënyrë, me vonesën dhe paqartësinë në dialog, si dhe me mjegullnajën që ka krijuar Trump, dëshirohet të përfundohet çështja e Kosovës – sipas bindjeve të tyre edhe të marrë fund jetesa e përbashkët – më përkufizimin territorial të serbëve dhe shqiptarëve.

Edhe pse mund të konsiderohet se është një guxim politik i momentit, që mund të përshkruhet si fascinant, mendim ky që ka edhe shumë përkrahës në të dyja shtetet, megjithatë thjeshtësia dhe lehtësia e propozimit tregon për një frustrim dhe një shpalosje të idesë, e cila ngutshëm dhe fatalisht guximshëm flet për politikanët që i japin vetes të drejtë që në emër të të gjithëve të vizatojnë dhe përkufizojnë ndarje.

Kjo ndarje dhe ky përkufizim është thënë aq lehtë nga intelektualë sa ke përshtypjen se ideja e ndarjes është pasion i njëjtë me pasionantët që bëjnë mbledhjen e fotografive të qyteteve, apo të fotografive të artistëve.

Kjo i bie që dëshira për ndarje dhe përkufizim territorial është e ngjashme me pasionantët e thjeshtësive ditore.

Shihet që të gjithë kanë ikur nga fjalët gjak dhe lot, edhe pse gjuha e përkufizimit mund ta ketë këtë përmbajtje, sepse fjalët nuk përfundojnë në letër, por shpërndahen si jehonë te grupet ekstremiste dhe radikale që përfundojnë më dominimin ose zhdukjen e një grupi etnik ndaj një grupi tjetër.

Edhe pse këto ide kanë ndikuar në shpërngulje dhe shumë refugjatë, dhe pakkush nga politikanët e ka paguar çmimin e jetëve të humbura, ata vazhdojnë me ritmin e njëjtë të propozimeve për jetën që i kanë kushtuar historisë dhe jetën kushtuar Kosovës, si dhe përkufizimit etnik të të dy kombeve.

Kjo artileri verbale e mbështjellë me retorikë të kujdesshme – kinse dashurinë për njerëzit dhe kombet tjera që mos të ndodhin vrasjet mëtutje – tregon për një egoizëm që realisht njerëzit i shohin si grupe që shumohen dhe ecin dhe pastaj vdesin, dhe që, normalisht, duhet të jenë në funksion të idesë së tyre të madhe.

Realisht, njerëzit e Kosovës në këtë rast janë marioneta të thjeshta, që marrin vlerësimin dhe vlerën e tyre vetëm nëse janë pjesë e idesë së politikanëve dhe lidhen me historinë dhe flijimin e tyre për përkufizimin etnik.

Gjithë ata, që për një arsye ose tjetër mendojnë ndryshe, politikanët nuk i vërejnë dhe i konsiderojnë johistorikë.

Ata do të quhen ose fukara, tradhtarë, jokombëtarë, dhe më një fjalë, “jashtëqitje e një kombi”. Mbi këto vështrime shihet qartë se çfarë është dashuria e këtyre për njeriun dhe qytetarët.

Ndoshta është e vërtetë e madhe se tërë jeta e politikanëve duket e lehtë të ecin mbi peshën e çështjes së Kosovës, por është shumë më e vështirë për banorët e Kosovës ti durojnë pasojat e dëshirave të kahmotshme të përkufizimit të politikanëve të të dyja anëve.

Ideja e jetës së përbashkët është e bukur dhe historikisht duhet të qëndrojë, kuptohet, nëse ajo bëhet pa luftë dhe pa ndarje dhe pa përkufizim territorial. Sepse çdo ndarje dhe përkufizim është luftë. Edhe një luftë në Kosovë nuk ia vlen, sepse humbës të mëdhenj do të jemi ne.

Ne, qytetarët e thjeshtë, për momentin, jemi për pavarësinë e Kosovës.

Pa ndarje dhe me serbët brenda.

Natyrisht, me të gjitha të drejtat dhe me të gjithë respektin për ta.

Sepse e kemi vuajtur shumë kohën kur kemi qenë pa të drejta.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme