Kështu s’ka askund në botë?!

Jo, sigurisht se ka. E ka edhe më zi. Vetëm se edhe kaq durim të qytetarëve ndaj politikanëve të papërgjegjshëm ka në pak vende të botës, gjithsesi.

A E KENI përcjellë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Oscar”?

Ose a e keni parë në lajme skandalin që ka ndodhur?

E kanë shpallur fitues filmin e gabuar! Pasi që ka dalë ekipi i lumtur i filmit në skenë, iu tregojnë se në fakt ata nuk janë fitues. Se fitues është filmi tjetër, “Moonlight”.

Shumë marre. Shumë skandal. Të ndodhë diçka e tillë në ndarjen e çmimeve më të rëndësishme në botë, ceremonisë ku derdhen dhjetëra milionë dollarë dhe me produksionet më të mira që ekzistojnë.

Thashë me vete, të kishte ndodhur te ne shumica e komenteve do të ishin – “veç te na ndodhin kësi sende”.

Ka kohë që ma vret shumë veshin e edhe nervoz më bën kur e dëgjoj dikë me lehtësi të thotë: kështu s’ka askund në botë; ose, veç shqiptarëve iu bëjnë vaki këto.

JANË DY SHPJEGIME të mundshme për njerëzit që i thonë këto fjali:

1) Janë thellësisht të padijshëm.

2) Kanë mentalitet të robit.

Pra, te e para, janë të padijshëm, meqë nëse do të udhëtonin, ose së paku nëse do të lexonin, shikonin lajme, të shijonin art etj., do ta kishin të qartë se bota i ka më shumë se 7.4 miliardë njerëz, mijëra popuj, qindra shtete… ka gjasa shumë të mëdha që shumë gjëra të ndodhin e që ne kurrë të mos e marrim vesh. (Padituri e thellë)

Te e dyta, duket se ti beson se si shqiptar je pjesëtar i popullit më të keq në botë, rrjedhimisht që secili që nuk është shqiptar detyrimisht i bie të jetë më i mirë sesa ne që jemi shqiptarë. (Mentalitet robi)

Morali i rrëfimit: Kritikoni, por mos përgjithësoni!

Tash, mos u nxehni, e di që një numër i njerëzve i thonë këto shprehje bukur pa vetëdije, pa u thelluar në kuptimin real të tyre. Por, shprehitë e këqija mund të ndërrohen.

Mazohizmi është njëfarëlloj sëmundjeje!

E QË MAZOHIZMI është njëfarëlloj sëmundjeje, më duket se mund ta vërejmë me durimin e madh të popullit të Kosovës tash e shumë vjet ndaj klasës udhëheqëse politike, me shumë pak përjashtime cilësore.

E bukur është që populli i këtij vendi nuk ha bar.

S’ka hëngër as përpara, e ndoshta s’do të hajë as tash.

E ka vetëm nga një të metë nganjëherë, ky popull – shumë duron!

Në mungesë të punës që do t’ua bënte qytetarëve jetën më të mirë, politikanët e Kosovës e kanë gjetur formulën – i ushqejnë qytetarët me mjegulla populizmi, në secilën kohë dhe rrethanë që iu përshtatet:

Kemi parë se PDK-ja me vite e komplikon, por pastaj përnjëherë e nxjerr çështjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës vetëm si një procedurë të thjeshtë që duhet vënë në Kuvend, duke e vënë cilindo që kërkon qartësi dhe arsyeshmëri të veprimit ad hoc – në pozita të “tradhtarit”.

Pyetja: Pasi që paskësh qenë kaq e lehtë, përse na paskan lënë deri më tash pa ushtri?!

Opozita, në anën tjetër, kapet njëjtë symbyllazi për çështjen e kontestuar të demarkacionit, pavarësisht rrezikut real të izolimit të qytetarëve dhe pavarësisht sigurisë se miqve që garantojnë vetë shtetësinë e Kosovës, si Joe Biden e NATO-ja, duke e vënë secilin që kërkon qartësi dhe arsyeshmëri të veprimit – në pozita të “tradhtarit”.

Pyetja: E çka nëse nesër Mali i Zi, me një qeveri tjetër, do ta kontestojë krejtësisht pavarësinë e Kosovës, e lëre më të bëjë demarkacion?!

Kërkesa e politikanëve tanë: Na paguani me taksat tuaja, por na besoni verbërisht në idetë fikse tonat!

Kujt t’i besohet?!

Kjo klasë politike, interesat e kalkulimet e ngushta partiake të vetat, përpiqet djallëzisht t’i shesë për interesa jetike të qytetarit.

Po të ishte ndryshe, edhe Kosova do të ishte ndryshe. Nuk do të ishte vendi i vetëm i izoluar në Evropë, nuk do të ishim lart në listat e zeza të korrupsionit, nivelit të ulët të shëndetësisë, arsimit etj.

KËSHTU S’KA askund në botë?!

Jo, sigurisht se ka. E ka edhe më zi.

Vetëm se edhe kaq durim të qytetarëve ndaj politikanëve të papërgjegjshëm ka në pak vende të botës, gjithsesi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme