Mali i Zi në NATO rrit hapësirën e lirisë në Ballkan, i thotë Nishani Vujanoviqit

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishanit përshëndeti hapat drejt anëtarësimin të Malit të Zi në NATO, duke thënë se do të kontribuonte në sigurinë e rajonit.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në aleancën politiko-ushtarake të Atlantikut të Veriut jo vetëm u shërben dhe rrit sigurinë e qytetarëve, por është një kontribut në të mirë të sigurisë së mbarë rajonit tonë, sepse rrit sigurinë dhe zgjeron hapësirën e lirisë në Ballkan duke qenë se kemi nevojë të garantojmë sa më shumë paqen dhe stabilitetin për vendet dhe popujt tanë. Qytetarët malazezë do të kuptojnë rëndësinë e të qenit në një aleancë politiko-ushtarake që i siguron paqen dhe stabilitetin,” tha presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili ndodhet për vizitë në Ulqin me rastin e Ditës së Komunës ku mori pjesë edhe presidenti malazez Filip Vujanoviq.

Presidenti Nishani i shprehu mirënjohjen homologut të tij malazez në emër të Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë për kujdesin e vazhdueshëm që tregon ndaj pakicës shqiptare si dhe për kontributin e vyer të dhënë gjatë gjithë këtyre viteve në drejtim të forcimit të miqësisë dhe marrëdhënieve mes dy vendeve, përcjell Zëri i Amerikës.

“Edhe ne e provojmë bashkëjetesën dhe Mali i Zi është jo vetëm një vend fqinj, por edhe mik i Shqipërisë”, theksoi presidenti Nishani.

Nga ana e tij presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, vuri në dukje se marrëdhëniet mes dy vendeve janë një model i përkryer i bashkëpunimit të mirë fqinjësorë, ai shprehu besimin se ato do të forcohen edhe më tej, sidomos bashkëpunimi ekonomik në fushat e turizmit, të energjisë, transportit detar, etj.

Presidenti Vujanoviq falënderoi presidentin Nishani për ndihmën e çmuar dhe mbështetjen që dha Shqipëria për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, “pasi ndihma e fqinjëve vlerësohet së tepërmi duke qenë se ata mund të dëshmojnë më së miri për zhvillimin e vendit të tij, duke shtuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera, por anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut hap mundësi të reja bashkëpunimi, sidomos po të kihet parasysh fakti që i gjithë bregdeti i vendeve tona i përket totalisht hapësirës së Aleancës”, tha presidenti Vujanoviq.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq po qëndrojnë sot në Ulqin ku u pritën nga kryetari i Komunës Nazif Cungu. Të dy presidentët morën pjesë dhe përshëndetën veprimtarinë festive që u mbajt në Qendrën e Kulturës me rastin e Ditës së Ulqinit, gjatë së cilët kënduan dhe interpretuan artistë nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kroacia.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme