Në fillim ai pa sytë e saj. Lëkura e errët që i vezullonte nga dielli e bënte më të ndrojtur. Ishte vetëm 13 vjeç. Djaloshi që kishte nisur të shkruante mbrëmjeve vonë në dhomën e vogël të konviktit mijëra km larg shtëpisë, ndjeu në vështrimin e kësaj vajze diçka që i kujtonte historitë e librave që kishte në dhomë. Heshtja e bënte më interesante. Ai i mësoi në atë kohë vetëm emrin. Quhej Mercedes Barcha dhe vetëm disa muaj më vonë, kur do të kthehej sërish gjatë pushimeve të verës për të takuar prindërit, ai do t’i propozonte. Ndodheshin në një festë. Teksa vallëzonin, ai i shprehu gjithçka që kishte menduar kaq e kaq herë me mendje. Ishte viti 1946 dhe studimet për Drejtësi nuk i jepnin Gabriel Garcia Markez, atë emocion që i jepte e shkruara. Kishte një pushtet që ai kishte nisur ta ndiente, teksa historitë merrnin formë në letrën e bardhë. Ndaj një ditë vendosi t’i linte studimet për t’iu përkushtuar gazetarisë. Markez nisi të punonte në gazetën “El Espectador”, ku menjëherë u dallua pasioni i tij për të hulumtuar histori. Në këtë periudhë, Mercedes nisi studimet e larta. Sucre, qyteti i tyre i lindjes, do të ishte dhe vendi i romancës së Markez me Mercedez.
Regjimi politik në vendin e tij do të ndërhynte që Markez të mos paguhej më nga gazeta, për shkak të shkrimeve konfliktuale. “Ikja nga puna ka qenë një moment i vështirë për mua, pasi kisha prishur dhe paratë e biletës së kthimit, e nuk më mbetej gjë tjetër të rrija e të punoja. Jeta ime në Europë zgjati dhe tre vjet të tjera. “Mercedes e pranoi dhe këtë vendim timin, edhe pse çdo kush i thoshte se duhet të ishte e çmendur, pasi unë duhet të kisha gjetur ndonjë vajzë tjetër në Europë. Në Paris isha krejtësisht i lirë. Por e ndieja që një ditë kjo jetë do të përfundonte dhe unë do të kthehesha sërish tek ajo. Ishte si të ndieje një rrugë të fatit, që pavarësisht zgjedhjeve që kishe bërë, një ditë do të mbërrije atje. Nga Parisi i shkruaja asaj çdo javë. Dhe pas martesës, kur diçka nuk shkonte në marrëdhënien tonë dhe ajo nuk ndihej e lumtur, më thoshte: Në letrat nga Parisi me shkruaje se do të isha gjithmonë e lumtur. Një ditë i thashë: ‘Dua t’i blej të gjitha letrat që të kam shkruar’. Dhe ajo m’i shiti letrat. I dogja të gjitha, dhe jam i qetë, pasi askush nuk do të mund të hamendësojë ose t’i përdorë ato pas vdekjes sime”, kujtonte Markez.





