Merkel për Brexit: Britania të mos ketë iluzione për lëshime evropiane

Në një deklaratë qeveritare drejtuar Bundestagut, kancelarja gjermane Angela Merkel foli ashpër para takimit të nivelit të lartë të BE të shtunën për Brexit.

Në prag të një takimi të 27 shteteve anëtare të BE në Bruksel të shtunën, kancelarja Angela Merkel e informoi Parlamentin gjerman, Bundestagun për qëndrimin gjerman për Brexitin. Mesazhi i saj njëkohësisht u drejtohej edhe shteteve të tjera.

Kancelarja e paralajmëroi Londrën që të mos presë një marrëveshje, që do ta privilegjonte Mbretërinë e Bashkuar. “Një shtet i tretë nuk mund të shijojë të njëjtat avantazhe ose të pozicionohet më mirë se një shtet anëtar i BE”, tha Merkeli. “Unë kam ndjesinë se disa njerëz në Britani kanë iluzione në këtë drejtim. Po ata po e humbasin kohën kot.”

Kjo fjali u prit me duartrokitje në Bundestag. Merkeli tha se është një sfidë e madhe për BE, shkëputja e marrëveshjeve me Britaninë e Madhe, të lidhura në 44 vjet anëtarësi të Britanisë në BE. Por kjo duhet të ndodhë përpara se të lidhet ndonjë marrëveshje e ardhshme midis Britanisë së Madhe dhe BE.

“Synimi ynë është që të arrijmë marrëveshjen më të mirë për Evropën dhe qytetarët e saj.” Merkeli shtoi se negociatat mund të nisin seriozisht vetëm pas zgjedhjeve parlamentare britanike në 8 qershor.

Në të njëjtën kohë, Kancelarja gjermane tha se Gjermania dhe BE janë të interesuar për një Britani të Madhe të fortë dhe në mirëqënie. Interesa të përbashkëta BE dhe Britania e Madhe kanë në fushën e biznesit si dhe në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Kancelarja gjermane përshëndeti njëkohësisht si shenjë fuqie të Evropës që në negociatat për Brexit po ruhet një linjë e përbashkët dhe asnjë shtet nuk ka nisur “negociata paraprake” me Londrën./DW/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme