Prej kohësh, në forumet dhe dialogët gjeopolitikë ku marr pjesë, një prej diskutimeve që rikthehet vazhdimisht kur flitet për Ukrainën është korrupsioni. Veçanërisht kontrolli mbi fondet e huaja, prokurimet, rindërtimin dhe miliardat që komuniteti ndërkombëtar po mobilizon për një vend që, përveçse duhet të fitojë luftën, duhet të bindë aleatët se paratë e tyre administrohen me rregulla dhe kontroll.
Dhe ky nuk është një debat i shpikur nga kritikët e Ukrainës. Është një nga çështjet mbi të cilat insistojnë vetë partnerët e saj. Banka Botërore raporton se që prej fillimit të pushtimit rus janë mobilizuar mbi 90 miliardë dollarë mbështetje financiare për Ukrainën, ndërsa mekanizmat e financimit lidhen edhe me forcimin e qeverisjes, luftën kundër korrupsionit, prokurimin dhe menaxhimin e financave publike. Edhe Bashkimi Europian vazhdon ta trajtojë forcimin e institucioneve antikorrupsion si pjesë thelbësore të procesit të integrimit dhe të besimit të donatorëve.
Pra, Ukraina është nën lupë (ndaj ka dalë edhe Roni në një cep përgjimesh), me problem real korrupsioni). Sipas Corruption Perceptions Index 2025 të Transparency International, Ukraina ka 36 pikë nga 100 dhe renditet e 104-ta ndër 182 vende. Shqipëria ka 39 pikë dhe renditet e 91-ta. Pra, Ukraina perceptohet si më e korruptuar se Shqipëri.
Por Ukraina është edhe në luftë. Prej vitit 2022 funksionon nën ligj ushtarak, me territore të pushtuara, qytete që bombardohen dhe nevoja të jashtëzakonshme ushtarake. Nëse ka një vend ku urgjenca mund të përdorej si argument për të shkurtuar procedurat, ai është Ukraina.
Dhe pikërisht për këtë arsye, ajo pjesë e përgjimit të publikuar më ka tronditur më shumë se çdo emër që përmendet në të. Ukrainasit kërkojnë tender. Në bisedën e publikuar thuhet se ata nuk mund t’i bëjnë gjërat ndryshe, sepse janë “në sytë e NATO-s”. Mendoni pak çfarë absurdi është ky për ne. Një vend në luftë, nën ligj ushtarak, më keq se Shqipëria në indeksin e perceptimit të korrupsionit dhe i varur në një masë të jashtëzakonshme nga mbështetja financiare dhe ushtarake ndërkombëtare, e di se po e shohin. E di se duhet të justifikojë procedurën.
Po ne? Ne jemi një vend në paqe, anëtar i NATO-s prej vitit 2009, që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe që çdo ditë flet për sundimin e ligjit, standardet europiane dhe forcimin e institucioneve. Madje, në indeksin e Transparency International renditemi pak më mirë se Ukraina. Dhe pikërisht Shqipëria shfaqet në këtë bisedë si vendi ku gjërat mund të bëhen pa tender.
Këtu për mua mbaron historia e Roni Yefetit dhe fillon historia jonë. Se, në fund të fundit, nuk ka shumë rëndësi çfarë mendon Roni për shqiptarët. Edhe pse, të them të drejtën, më erdhi tmerrësisht keq për ne të gjorët kur dëgjova se si na perceptonte një njeri që nga ky vend vetëm ka përfituar. Kush dhe çfarë ia ka krijuar atij bindjen se shteti shqiptar funksionon kështu? Me kë ka negociuar? Çfarë ka parë? Çfarë i është ofruar? Kush i ka dhënë sigurinë që të flasë për Shqipërinë si për vendin ku ajo që ukrainasit nuk e bëjnë dot, sepse janë “në sytë e NATO-s”, këtu mund të zgjidhet?
Për mua, ky është një nivel tjetër i korrupsionit. Korrupsioni nuk është vetëm zarfi që kalon poshtë tavolinës. Kjo është forma e tij më banale. Degradimi i vërtetë institucional fillon kur mungesa e rregullit bëhet pjesë e ofertës së vendit tënd; kur dikush që vjen të bëjë biznes me shtetin e konsideron aksesin te vendimmarrësi më të rëndësishëm sesa procedurën; kur fjalia “në Shqipëri e bëjmë” merr një kuptim që nuk ka më nevojë për shpjegim. Dhe nuk e pranoj dot si përgjigje argumentin “është industri ushtarake”. Sigurisht që mbrojtja dhe siguria kanë procedura të posaçme. Sigurisht që mund të ketë konfidencialitet dhe përjashtime të parashikuara nga ligji. Ka informacione që për arsye të sigurisë kombëtare nuk mund dhe nuk duhet të bëhen publike. Por … procedurë e posaçme nuk do të thotë mungesë procedure. Konfidencialitet nuk do të thotë mungesë kontrolli. Sekret shtetëror nuk do të thotë sekret nga shteti. Madje duhet të jetë e kundërta. Sa më strategjik të jetë sektori, aq më serioz duhet të jetë kontrolli institucional. Kur flasim për armë, municione, teknologji ushtarake, kompani të huaja, pasuri shtetërore dhe para publike, publiku mund të mos ketë të drejtë të dijë çdo detaj, por shteti duhet të dijë dhe të kontrollojë çdo detaj.
Prandaj, nëse përgjimi autentikohet, SPAK të evidentojë çfarë është bërë pa tender dhe mbi cilën bazë ligjore? Kush e ka autorizuar? Kush ka negociuar në emër të shtetit? Si janë përzgjedhur kompanitë? Kush ka verifikuar pronarët dhe përfituesit fundorë? Kush ka kontrolluar kapitalin, eksperiencën dhe kapacitetet e tyre? Si është vlerësuar interesi ekonomik i shtetit shqiptar? A ka pasur alternativa? Kush ka firmosur? Dhe, mbi të gjitha, kush ka kontrolluar gjithë këtë proces?
Në një shtet funksional, publikimi i një materiali me pretendime të kësaj natyre duhet të prodhonte menjëherë reagim institucional. Çdo ministri dhe institucion i përfshirë duhet të nxirrte dokumentet, të shpjegonte procedurën dhe të merrte përgjegjësinë e vet. Dhe aty ku shpjegimi administrativ apo politik nuk mjafton, duhet të fillojë puna e drejtësisë. Në fakt, ajo që duhej të kishte filluar dje ishte një revolucion institucional i përgjegjësisë, ministra që japin llogari, mandate të vëna në dispozicion, institucione që hapin dokumentet, auditime, hetime dhe një Parlament që ushtron funksionin për të cilin ekziston. Moralisht ky shtet ka rënë prej kohësh. Tani pyetja është nëse ajo që po shohim është prova se rënia është bërë edhe institucionale.
Dhe Ça paradoksi….ukrainasit, në një vend në luftë dhe nën ligj ushtarak, thonë se duhet tender sepse janë “në sytë e NATO-s”.
Ata janë në sytë e NATO-s.
Ne jemi NATO. Që në 2009.
E megjithatë, dikush duket se e shet Shqipërinë si vendin ku sytë mbyllen. Dhe prandaj nuk është Roni Yefet ai që na ul si shtet. Nëse ato që dëgjojmë provohen, duhet të kemi kurajën të pranojmë diçka shumë më të dhimbshme. Jemi ne që ia kemi mësuar se me shtetin shqiptar mund të sillet kështu. Ne, shteti më absurd i mijëvjeçarit të ri.
More, po ne ku dreqin jetojmë?
The post Ahmetaj publikoi përgjimet tronditëse të Ron Yeffet dhe akuzoi Ramën/ Ish-zv.ministrja e PS, Ornela Çuçi: Nëse audio del autentike, SPAK të hetojë çfarë u bë pa tender appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



