Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, sot kanë mbajtur një konferencë për media në Qendrën e Paraburgimit në Prizren lidhur me rastin e vdekjes së të paraburgosurit A.D.
Gjatë kësaj konference, sipas komunikatës pwr medie, ministrja Hoxha fillimisht ngushëlloi familjen dhe te afërmit me rastin e vdekjes së të paraburgosurit Astrit Dehari dhe kërkoi nga opinioni e mediet që të presin ndriçimin e rastit, transmeton Koha.net.
“Që nga dita e djeshme Ministria e Drejtësisë dhe organet tjera relevante, janë duke u marrë me rastin, ndërsa aktualisht jemi duke pritur vendimin e familjes për anëtarin i cili do t’i bashkëngjitet ekipit i cili do ta kryej autopsinë”, theksoi Ministrja Hoxha.
Ajo më tej shtoi se në kuadër të mandatit të saj, shpreh përkushtimin e plotë dhe gatishmërinë për sqarimin e rastit, me transparencë dhe ftoi që të mos bëhen paragjykime lidhur me rastin. Hoxha theksoi se raporti do të jetë publik dhe transparent.
“Menjëherë kam urdhëruar hetim të brendshëm të Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me rrethanat e vdekjes së të paraburgosurit A. D. dhe në pajtim me të gjeturat e raportit dhe kompetencat, do të ndërmarr të gjitha veprimet ligjore”, tha Hoxha.
Ministrja Dhurata Hoxha theksoi se Ministria e Drejtësisë do të japë informacione zyrtare dhe ato të cilat nuk e pengojnë hetimin dhe shkaktimin e çfarëdo paqartësie lidhur me rastin tragjik.