Mustafa: I kemi plotësuar të gjitha kushtet për vizat, ka mbetur vetëm demarkacioni

E mërkurë, 16 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mbledhjes së qeverisë, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizmin e vizave, përveç ratifikimit të projektligjit të demarkacionit me Malin e Zi.

“Kemi konstatuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave. Ka mbetur vetëm demarkacioni. Kemi konstatuar që qeveria i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj sa i përket kësaj çështjeje”, ka thënë Mustafa, raporton KP.

Kryeministri tha se së bashku me komisarin e Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, kanë lansuar agjendën evropiane.

Ai tha se Raporti i Progresit për Kosovën ishte pozitiv në disa fusha me rendësi, si lufta kundër krimit e korrupsionit.

“Na gëzon fakti që është dhënë një vlerësim i mirë sa i përket shtetit ligjor dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Mustafa.

Mustafa tha se zgjedhjet nuk mund të lidhen asnjëherë me demarkacionin, duke shtuar se koalicioni qeverisës po bënë punë të shkëlqyer.